Ordanovski: Zgjedhjet referendum kundër regjimit Gruevski-Ahmeti
Qendra për Demokraci dhe Zhvillim (QDZH) organizoi debatin e pestë në kuadër të sezonit të dytë të ‘’Shkollës për lidership’’ ku i ftuar ishte profesori universitar, zotëri Sasho Ordanoski.
Temë e këtij debati ishte situata aktuale në Maqedoni.
Debatin e hapi kryetari i QDZH-së, Orhan Murtezani i cili potencoi se kriza aktuale në të cilën gjendet Maqedonia tanimë nuk është vetëm politike, por rezultat i një mendësie politike që demokracinë e sheh si një proces formal për marrjen e legjitimitetit për sundim absolut.
Në vazhdim duke e shtjelluar krizën aktuale në të cilën ndodhet Maqedonia zotëri Ordanoski u ndal në shtyllat kryesore përmes të cilave ky pushtet ka arritur uzurpimin absolut të shtetit. Sipas tij këto shtylla janë, klientelizmi që e ka instaluar ky pushtet, punësimi në administratë dhe subvencionet në bujqësi të cilat nuk kanë gjeneruar zhvillim si dhe kontrolli i rreptë i medieve.
Më tej Ordanoski duke biseduar për marrëdhëniet ndëretnike u shpreh: “Unë gjithmonë kam qenë ithtarë i qëndrimit që shqiptarët meritojnë më shumë të drejta seç kanë pasur, dhe fajin më të madh për këtë e kanë pasur maqedonasit ngaqë ata janë populli shumicë dhe ata duhet t’i iniciojnë këto procese. Jo gjithherë shumica e kupton pozitën në të cilën gjendet pakica”.
Në fund duke i komentuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare ai potencoi se këto zgjedhje nuk do të jenë zgjedhje ku do votohet ndonjë program i caktuar zgjedhorë, por zgjedhje ku do votohet pro ose kundër Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit.
Qendra për Demokraci dhe Zhvillim do vazhdojë me debatet mujore edhe në të ardhmen.