Kosovari që fshehu 2 gratë dhe 7 fëmijët e tij, dëbohet nga Zvicra

Ai ka qenë i martuar me një zvicerane, ndërkohë që ka shtatë fëmijë me gra të tjera. Gjyqi Federal ka vendosur: Ai duhet të largohet nga  Zvicra, transmeton lajmi.net.

Kosovari ka ardhur në Zvicër në prill të vitit 1999, atëbotë 24 vjeçar, si azilkërkues. Një vit më vonë ai martohet me një zvicerane dyfish më të moshuar se ai.

Me këtë martesë, në 2005-ën e fiton lejen dhe vizën e qëndrimit në Zvicër. Por më 2011-ën kjo martesë prishet. Nuk dihet nëse fjala kishte qenë për një martesë fiktive. Ndërkaq, kjo është vetëm njëra pjesë e rrëfimit të “Neue Luzerner Zeitung”, datë 3 shkurt 2016, duke iu referuar Gjyqit Federal.

Në prill të 2012-tës, protagonisti i sapo shkurorëzuar, martohet me një grua nga Kosova, tani 36-vjeçare. Ish-azilkërkuesi kërkon t’i sjellë në Zvicër gruan dhe tre fëmijët me të, të lindur në vitet 2004, 2005 dhe 2009. Me këtë ai nxit dyshimin e autoriteteve sepse ai ishte bërë baba në Kosovë gjatë kohës kur kishte qenë i martuar, tani, me 67 vjeçaren zvicerane.

Enti për Migracion i kantonit Obwalden ia “djeg” atij vizën e qëndrimit në Zvicër dhe e dëbon kosovarin nga Zvicra. Sipas ligjit për të huajt, fshehja e fakteve qenësore në procedurën e rregullimit të dokumentacionit është një arsye për ta tërhequr të drejtën e qëndrimit në Zvicër.

Protagonisti e ankimon vendimin e kantonit në Gjyqin Federal, shkruan DP. Ky i fundit e konfirmon vendimin e autoriteteve të Obwaldenit. Ai gjykon që kosovari ndoshta nuk do ta kishte fituar lejen e qëndrimit aty, sikur t’i kishte informuar hapur autoritetet kantonale për marrëdhënien e tij të ndërlikuar familjare. Por, kjo nuk nuk është e gjitha.

Gruaja nga Kosova nuk është e vetmja me të cilën ai kishte fëmijë!

Në vitet 2001 dhe 2012, protagonisti i ngjarjes ka banuar me një grua tjetër në të njëjtën banesë. Me këtë grua ai ka tre fëmijë të tjerë, të lindur në vitet 2002, 2005 dhe 2012. Tani del që kur ish-azilkërkuesi iu ishte drejtuar autoriteteve për lejen e vendosjes në Zvicër, ai nuk ka jetuar më me gruan e tij të moshuar zvicerane, ndonëse në Zvicër qëndronte falë asaj.

Në mënyrë të përmbledhur: Kosovari për njëmbëdhjetë vjet ka qenë i martuar me një grua dukshëm më të moshuar se ai. Në të njëjtin hark kohor ai ka bërë me dy gra të tjera nga tre fëmijë. Kjo përsëri nuk është e tëra: Për më tepër, ai kishte edhe një fëmijë të shtatë në Gjermani. Dhe, këtë jetë paralele ai ua ka fshehur autoriteteve të kantonit të Obwaldenit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button