Pallati i Çausheskut hapet për turistët virtualë

Vizitorët tashmë mund të shijojnë një turne brenda Pallatit të Parlamentit të Rumanisë, ndërtesa e dytë më e madhe në botë, pa pasur nevojë të dalin nga shtëpia.

Nga Marian Chiriac, BIRN

Nëse nuk keni kohë për të shkuar në Bukuresht dhe për të vizituar ndërtesën e çuditshme hibride që duket sikur kombinon pallatin mbretëror të Versajës me arkitekturën e stilit të Koresë së Veriut, atëherë keni një zgjidhje më të lehtë.

Duke filluar nga ky muaj, vizitorët virtualë mund të bredhin përreth Pallatit të Parlamentit të Rumanisë ndërsa qëndrojnë në karriget e tyre të rehatshme, ndërkohë që shikojnë sallat e stërmëdha, llambadarët prej kristali, dyert imponuese prej druri si dhe pikturat e skulpturat e shtrenjta zbukuruese.
Njohur gjithashti si Shtëpia e Popullit, ndërtesa masive u ngrit me urdhër të diktatorit komunist të RUmanisë, Nikolae Çaushesku.

Rreth 100 mijë njerëz punuan për të ndërtuar pallatin mes viteve 1984 dhe 1989. Ai zë një sipërfare prej 365 mijë metrash katrore, duke e bërë atë ndërtesën e dytë më të madhe në botë pas Pentagonit.

Tashmë kjo është zyra e Dhomës së Deputetëve si dhe e Senatit, dy dhomat e parlamentit të Rumanisë, por shumë nga sallat për konferenca dhe ekspozita përdroren për shumë qëllime të tjera.

Ndërtesa e stërmadhe ka rreth 1 mijë dhoma. Disa prej këtyre dhomave janë të disponueshme për t’u vizituar përmes një platforme në internet. Përdoruesit mund të vizitojnë gjithashtu Muzeun e Parlamentit dhe rreth 150 vepra arti nga koleksioni që janë të publikuara në këtë platformë.

“Ne kemi vendosur t’i ofrojmë njerëzve nga e gjithë bota një tur virtual të disa nga dhomat më të bukura të Pallatit, të cilat u ndërtuan me mundin e artizanëve më të mirë të Rumanisë. Ne shpresojmë se ata do të shijojnë punët e artit dhe trashëgiminë e parlamentit por edhe dhomat që ne kemi këtu,” deklaroi kryetari i parlamentit Valeriu Zgonea.

Njerëzit në Rumani kanë mendime të ndryshme mbi pallatin. Disa e vlerësojnë atë si “ndërtesa më e bukur” në Bukuresht, ndërsa të tjerët e kanë shpallur si ndërtesa “më e shëmtuar”, sipas një vrojtimi.

Pallati perceptohet gjerësisht si një simbol o sakatimit të kryeqytetit të Rumanisë nën sundimin e Çausheskut, i cili urdhëroi shkatërrimin e pjesës më të madhe të qytetit të vjetër. Gjithsesi, ndërtesa tashmë është edhe atraksioni më i madh turistik në kryeqytet.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button