Vazhdon vala e migrimit e nxitur nga Rusia dhe forcat e regjimit në Siri

Bombardimet e rënda kryesisht në veri të Halepit të ndërmarra nga Rusia që nga e hëna e kaluar kur nisën bisedimet për gjetjen e zgjidhjes për krizën e Sirisë në Gjenevë dhe sulmet e njëkohshme të regjimit të Bashar Asadit kanë krijuar një valë të re të dhjetëra mijëra refugjatëve të cilët përpiqen të mbërrijnë në vende më të sigurta, raporton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve që gazetari i AA-së ka marrë nga burimet lokale mësohet se pasi sulmet e Rusisë dhe të Asadit u intensifikuan në korridorin i cili ofronte lidhjen mes Turqisë dhe qendrës së qytetit Halep, afërsisht 20 mijë persona nga fshatrat Mersite, Hajan, Tel Xhibin, Ritjan, Kefer Naja, Hırdetejn, Dejr Xhemal, Majir, İhris dhe Kefer Nasih kanë migruar drejt rajonit Azez.

Dy ditë më parë pasi forcat e regjimit në qendër të Halepit thyen korridorin e opozitarëve dhe pasi arritën në rajonet Nubul dhe Zehra duke i mbajtur nën rrethim, lidhja mes qendrës së Halepit dhe Turqisë ishte këputur. Pas kësaj afërsisht 15 mijë persona të cilët migruan drejt rajonit Azez theksohet se janë duke pritur në pikën kufitare Bab-ı Selam të zonës Azez e cila ndodhet përballë me qytetin Kilis të Turqisë.

Gjithashtu mësohet se pas prerjes së korridorit të Halepit afërsisht 10 mijë persona nga zonat Hırretejn, Bejanun, Kefer Hamra në zonën Anadan të Halepit u drejtuan drejt zonës perëndimore të qytetit.

Parashikohet se objektiva aktuale e forcave të Asadit është që me mbështetjen e bombardimeve të rënda ajrore të Rusisë të rrethojë plotësisht qendrën e Halepit, ku dhe për këtë i duhet që duke sulmuar në jug të Halepit të marrin nën kontroll edhe rrugën Kastillo-Anadan e cila është linja për lidhjen e opozitarëve nga qendra me Idlibin. Nëse ndaj linjës në fjalë nisin sulmet e rënda ajrore pritet që popullata të drejtohet drejt jugut, nëpërmjet rrugës Kastillo-Anadan në Idlib dhe që nga aty drejt pikës kufitare Cilvegözü në rajonin Reyhanlı të qytetit Hatay të Turqisë.

Edhe kryeministri turk, Ahmet Davutoğlu në një fjalim të mbajtur ditën e djeshme në Konferencën e Donatorëve në Londër tërhoqi vëmendjen ndaj fluksit të refugjatëve nga Halepi ku ai u shpreh se: “Për shkak të sulmeve ajrore në Halep 10 mijë refugjatë të rinj janë duke pritur në kufirin e Turqisë. Gjithashtu edhe 60-70 mijë që ndodhen në kampet në veri të Halepit janë nisur drejt Turqisë”.

Ndër të tjera Davutoğlu pati theksuar se edhe 300 mijë persona në Halep ishin duke pritur për të kaluar në Turqi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button