Administrata në programet e partive shqiptare në Maqedoni

Një vëmendje e veçantë, madje në formë të strategjisë kombëtare, nëpër platformat e partive tona duhet të zë vend meritor edhe çështja e administratës shtetërore dhe publike. Sepse, vetëm përmes angazhimit të udhëheqësve të sektorëve dhe njësive në hartimin e programeve dhe strategjive vjetore, mund të dihet saktësisht se cilat janë nevojat e shqiptarëve të Maqedonisë dhe sa kujdeset shteti për plotësimin e atyre nevojave.

Kaluam muajin e parë të vitit 2016, i cili, sipas të gjitha parashikimeve, do të jetë vit i shumë sfidave! Pa dyshim, një nga sfidat më të mëdha do të jetë tejkalimi i krizës politike dhe mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Në bazë të marrëveshjes së Përzhinos,  24 prilli është caktuar si data e mbajtjes së zgjedhjeve, por se a do të mbahen në atë datë, ende nuk është e sigurt.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk ka të bëjë me zgjedhjet dhe me procesin zgjedhor. Në të do të mundohemi që ta sensibilizojmë opinionin dhe partitë politike, se në platformat e tyre zgjedhore dhe në programet partiake për zgjedhjet e vitit 2016 vëmendje të veçantë duhet t’i kushtojnë avancimit të nëpunësve shqiptarë në administratën publike dhe shtetërore në Maqedoni.

Drejtimi administrativ-profesional i shtetit konsiderohet se është trajtuar në mënyra të ndryshme në vendet e OECD-së. Cilësia, efiçienca dhe kultura administrative në përgjithësi janë sinonim i vendeve me traditë të lartë administrative, si: Francë, Angli, Norvegji, Gjermani etj.  Por,  ja që në vendin tonë ne akoma duhet të bëjmë përpjekje të veçantë për përfaqësim dhe avancim të drejtë dhe adekuat në institucionet e sistemit.

Programet partiake dhe platformat zgjedhore të të gjitha subjekteve politike shqiptare në Maqedoni duhet të kenë parasysh rritjen e përfaqësimit dhe avancimin e nëpunësve administrativ shqiptarë në administratën shtetërore, publike dhe te kompanitë private që u themeluan në zonat e lira ekonomike me ndihmesa dhe lehtësime të mëdha buxhetore. Të jemi të sinqertë:  niveli i përfaqësimit dukshëm është përmirësuar nga viti 2001 e këndej. Kemi institucione ku është arritur niveli,  bile edhe është tejkaluar, si p.sh: Fondi Pensional, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale etj. Por, lihet përshtypja se tërë ky përmirësim i përfaqësimit të shqiptarëve në administratë është bërë si rrjedhojë “inercie” e Marrëveshjes së Ohrit. Duke mos si kuptuar hilet dhe duke qenë shumë të sinqertë në gatishmërinë për të ndërtuar bashkërisht institucionet shtetërore, partitë tona nëpër platformat e tyre dhe nëpër programet partiake shumë pak i kanë dhënë rëndësi problemit të administratës shtetërore dhe asaj publike. Tani, si asnjëherë më parë,  po vërehet se një ministër, apo një zëvendësministër, apo edhe një sekretar shtetëror, është shumë pak i fuqishëm nëse në dikasterin që e drejton nuk ka në pozita udhëheqëse të sektorëve dhe njësive përkatëse shqiptarë. Prandaj, një vëmendje e veçantë, madje në formë të strategjisë kombëtare, nëpër platformat e partive tona duhet të zë vend meritor edhe çështja e administratës shtetërore dhe publike. Sepse, vetëm përmes angazhimit të udhëheqësve të sektorëve dhe njësive në hartimin e programeve dhe strategjive vjetore, mund të dihet saktësisht se cilat janë nevojat e shqiptarëve të Maqedonisë dhe sa kujdeset shteti për plotësimin e atyre nevojave. Fatkeqësisht, truqet politike, kompleksi i superioritetit, por edhe mosnjohja e problemeve dhe nevojave shqiptare, e shton edhe më tepër nevojën që partitë tona politike të kenë kujdes dhe vëmendje të veçantë në sferën e administratës.

Sipas ndryshimeve në Ligjin për nëpunës administrativ (neni 50), dukshëm është kompleksuar avancimi i nëpunësve në hierarkinë vertikale. Nëpunësi administrativ udhëheqës është kryetar i komisionit për seleksionim dhe avancim. E nëse i analizojmë të dhënat nga Enti Shtetëror i Statistikës dhe Avokati i Popullit, se sa është përqindja e shqiptarëve në pozita udhëheqëse, ngelemi të dëshpëruar. Fatkeqësisht, kemi shumë pak, madje tepër pak udhëheqës të sektorëve,  të cilët në të ardhmen do t’u vënë nota administratorëve shqiptarë. Ky mund të jetë një problem i veçantë,  i cili do të gjenerojë pakënaqësira e probleme të tjera zinxhirore.

Partitë politike shqiptare në përgjithësi dhe, BDI në veçanti, si pjesë e pushtetit,  e cila me gjasë se prapë do të jetë fituese e zgjedhjeve të parakohshme, duhet t’i kushtojnë rëndësi të veçantë avancimit të nëpunësve shqiptarë.  E kemi parasysh se partitë fituese në zgjedhje,  gjatë formimit të koalicionit qeverisës,  më tepër i kushtojnë rëndësi skalionit të parë, të dytë e të tretë, respektivisht pozitave ministrore dhe drejtorëve të përgjithshëm, por, ashtu siç e kemi cekur më lart, me ndryshimet e fundit ligjore pozita e ministrit apo e drejtorit është pozitë politike dhe se notimi i administratorëve bëhet nga udhëheqësit e sektorëve apo udhëheqësit e njësive.

Çdo gjë është e arritshme nëse planifikohet mirë dhe punohet në atë drejtim, andaj do të ishte mirë që subjektet politike në përgjithësi dhe ai që do të jetë pjesë e pushtetit (që me gjasa më të mëdha do të jetë BDI-ja) t’i forcojnë pozitat politike dhe administrative në këto institucione që kanë impakt kryesor në lidhje me sistemin administrativ të vendit, edhe atë në: Ministrinë e Shoqërisë Informative dhe Administratës, Agjencisë për Administratë dhe Ministrinë e Financave. Po ashtu, në zgjidhjen e kësaj problematike të shfrytëzohet edhe faktori ndërkombëtar dhe raportet e institucioneve relevante si: OSBE, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Është me rëndësi që të konsultohen, për analiza, edhe me ekspertët vendorë, si p.sh. me dy Fakultet Juridike – atë të UT-së dhe të UEJL-it.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button