Këngë për “Letër Tetovës” dhe “Letër prefektit”

(Letër Lindita Kadriu-t.)

Mike e dashur, që kur u ktheva nga pushimet në Oslo u pamë vetëm njëherë dhe përkundrejt dëshirës tënde të rrumbullaksoja gjithë mbresat për atë vend, kam përshtypjen se nuk kënaqa pritjet e tua apo pritjet e mia me gjërat që ti rrëfeja shkurt dhe shpejt, sepse, siq dimë ne, kalonim nga një temë në tjetër duke pirë unë kafenë e ti “Nes – salepin”.

Derisa, këtë të hëne, në minus 3 apo minus 8 po ngisja biçikletën, aty nga ora 18 nga Çair-i deri në Karposh, nëpër rrugë kryesore, mes veturash, për të arritur në kohë të mbaroj ca gjëra dhe po dëgjoja në mp3-in tim grupin Asgjë sikur Dielli, filloi kënga “Ndodhemi”, një ndër më të vjetrat këngë të grupit.

E kisha dëgjuar mijëra e qindra mijëra herë, por këtë herë ishte më ndryshe. Teksti i këngës, që nga vargu i parë e gjer tek i fundit më tingëllonte si përgjigje e kolumnave të tua të fundit “Letër Tetovës” dhe “Letër prefektit”. Teksti i mu kësaj kënge do të ishte ndihmesë dhe për të të transmetuar fotografitë që më mbetën në kokë dhe emocionet, diku në një pikë mbi lukth, nga ai vend i largët verior. Vargjet e para të këngës:

Habitur shikoj të tjerë,
nuk di prej ku do t`filloj,

…më përkujtuan ditët e para në atë qytet, të cilin nuk po e shihja së pari here, por ngaqë ka aq shumë gjëra për të parë e bërë, vërtetë nuk dija prej ku do të filloja. Nga muzejet, galeritë, libraritë, malet, nga rrugët e qytetit, teatrot, apo nga mbrëmjet live, jazz e blues. Kur jemi tek mbrëmjet live me jazz muzikë nuk lë dot pa përmendur që për një moment një grua norvegjeze afër të 50-ve iu afrua një mikut tim dhe e pyeti diçka duke improvizuar me dorë kitaren. Miku im vetëm mohoi me kokë. Pastaj kuptova se ajo po kërkonte një kitarë nga të gjithë ata që ishin prezent, sepse në atë vend, në atë qytet, në atë lokal nuk afrohej njeri të të thotë: – Ke një cigare shoku? apo – Ke një shkrepsë shoku? Aty kërkoheshin po pate me vete instrument muzikor që dikush nga të pranishmit që pinin dhe argëtoheshin të improvizonte diçka nga fundi i mbrëmjes. Po, vargu “Habitur shikoj të tjerë” më mbulon atë momentin kur vërtetë e habitur shikoja të tjerët se si koordinoheshin për të gjetur ndonjë kitarë që të vazhdonte mbrëmja.

…kënga në mp3-in tim vazhdonte,
ne mund të ndërrojmë,
ne s`jemi këtu as atje

…në mungesë shtigjesh biçikletash (ashtu siç e cek ti, mike, në kolumnën “Letër prefektit”) unë vazhdoja rrugtimin tim me biçikletë, mespërmes veturash, nëpër rrugët e Çair-it nëpër atë ajër të mjegullt, që thante fytin e thante hundën.

Po, mu si kënga, -ne mund të ndrrojmë-, mund të ecim më shumë, mund të përdorim trasnportin publik më shumë, dhe mund të ngasim biçikletë më shumë, e të kërkojmë shtigje biçikletash më shumë dhe transport më të rregulluar, dhe parqe, dhe drunj, dhe shporta mbeturinash, dhe ….(ato që numëroje ti, mike, në kolumnat e tua). Se në atë qytetin e ftohët të Evropës veriore, dhe kur binte borë njerëzit përdornin metro-të, ecnin në këmbë duke mos përfillur borën, dhe po, më beso, nëpër borë ngisnin biçikletat, me ndonjë pajisje të veçantë për aso kushtesh klimatike.
Ata që duhet t`ofrojnë
bëhen sikur s`vërejnë

Dhe këto vargje mi përkujtuan protagonistët e dy kolumnave të tua, mike. Mirëpo ata që duhet të ofrojnë, vërtetë bëhen sikur s’vërejnë. Është punë frike, e kuptoj. Po ofruan, ne kërkojmë më shumë e më shumë, e ata nuk duan sfida, se kërkesat e njerëzve (popullit) dinë të jenë të tepërta.

dhe çdo hap që bëj
thonë improvizim

Epo, mike, ja dhe këto vargje, më përkujtojnë pesimizmin e shumë të njohurve dhe miqve të mi. Çdo hap timin, tëndin apo të ndonjë grupi, për ndryshim të diçkaje në këtë shoqëri me shpirt të fjetur, e kanë quajtur, thjesht, improvizim…të parezultat. Unë ende nuk e pranoj.

Ndodhemi, ku ndodhemi, …

Çdo gjë duket shumë larg,
aq larg sa s`ka kuptim
Ne jemi këtu,
duket do t`mbesim këtu

Ndodhemi, ku ndodhemi, …

Vargjet e fundit, ndjej dhimbje ti ndërlidh me kolumnat e tua dhe me qytetin verior, parë nga prizmi im, mike e dashur.

Në pritje të kolumnës sate…

Deri në takimin e ardhshëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button