Kriza politike në Kosovë dhe mesazhi i një qytetari të thjeshtë drejtuar udhëheqësve!

Shpeshherë jemi mësuar të dëgjojmë zëra si: njerëzit në Kosove flasin vetëm për politikë ose është politizuar gjithçka? Të jetosh në Kosovë ku çdo mëngjes, që nga momenti kur ndezë televizionin, kur bënë hapin e parë dhe del nga shtëpia e deri në mbrëmje kur edhe njeriu kthehet në shtëpi të imponohet të flasësh për politikë.

Si katalizator i gjithë kësaj është gjendja e rëndë institucionale, sociale dhe ekonomike. Sot, të gjithë ne jemi dëshmitar se po jetojmë në një kohë krize ku janë thelluar problemet dhe vazhdojnë të thellohen edhe më shumë. E për fat të keq, si zakonisht viktimë e mashtrimeve dhe abuzimit me ndjenjat dhe shpresat mbetet populli, i cili e tëra që kërkon është një mirëqenie më të mire sociale dhe ekonomike, ku nuk do të brengoseshin se çfarë po ndodhë në parlament por preokupim kryesorë do të kishin të shkonin në punë, ta jepnin kontributin e tyre secili në profesionin e tij dhe kështu jeta do të normalizohej dhe secili do të lëvizte si sistemi i planeteve në galaktike ku e kanë udhëpërshkrimin e tyre dhe nuk goditen planetet nga njëra tjetra.
Ndodhemi në kohën kur kemi qeveri por është jo funksionale, kemi gjyqësi por nuk gjykohet drejtë, kemi polici por kohë pas kohe di të jetë e njëanshme dhe di të bëjë veprime selektive sipas instruksioneve të atyre që e kanë pushtetin. Shëndetësia, me ato të meta që i ka mundohet sadopak t’i shërbejë këtij populli i cili ka marrë plagë të mëdha si para lufte ashtu edhe pas saj. Sistemi arsimor kurrë nuk ka pasur kushte më të mira sesa sot, u ndertuan shumë shkolla, por për çudi niveli i diturisë tek nxënësit është shumë më i dobët se gjeneratat e mëhershme të cilat kaluan në kushte më të veshtira dhe sprova me te medha se gjeneratat qe po shkollohen sot.

Ku qëndron problemi? Ose më mirë të themi qe sa ekziston ky problem? Është pak e vështirë, por qeverisja e keqe i ngjanë një topi dëbore i cili lëvizë nga lart dhe duke rrëshqitur vazhdon të rritet. I tillë është fati i Kosoves që nga faza e pasluftës. Secili popull i cili kalon fazën e tranzicionit përballet me këto probleme, mirëpo si duket Kosova është ngujuar në këtë fazë edhe e ka shumë të vështirë të dalë. Përderisa në botën demokratike mjaftonë një skandal, një plagjiature ose një shkelje e kushtetutës nga një deputet ose ministër përkatës të bëhet dhe ai vetëvetiu jep dorëheqje. Në Kosove shohim plotë skandale e dëme që i bëhen këtij vendi, dhe i sheh në televizion ku ministra të caktuar thonë ” nuk jap dorëheqje dhe pikë ” pothuajse atë karrikë dhe atë post e ka të trashëguar nga paraardhësit e tij brez pas brezi.

Pozita dhe Opozita janë duke i ngjarë atij tregimit të cilin besoj se të gjithë ne e kemi mësuar në shkollën fillore dhe e mbajmë mend edhe sot? Tregimi quhet ” Dy dhitë dhe ura “. Dy dhi jetonin në një fshat, një ditë ato vendosin ta kalojnë lumin dhe të dalin në anën tjetër. Ato shkuan tek ura, por nuk mund të vendosnin se cila të kaloj e para. Njëra dhi thoshte se është më e vjetër dhe se ka përparësi që të kalojë e para. Tjetra dhi thoshte se kopeja e saj është më e madhe dhe ka përparësi që të kalojë e para. Duke u shtyrë me njëra tjetrën se kush duhet të kalojë e para ato ranë nga ura dhe u mbytën që të dyja në ujë.

Besoj se e kuptuat për kënd është fjala në tregimin tonë aktual?!
Në një anë kemi diktaturë, arrogancë, jo transparencë, ikje e pergjegjesisë dhe debatit nga Pozita. Në anën tjetër kemi gazin lotësjellës, dëmtimin e pronës shtetërore, dhunën,  e që kjo e fundit gjatë zhvillimeve dhe fakteve historike na del se nuk është mjeti i duhur i zgjidhjes së problemeve.
Një thënie e Albert Ajnshtajn thotë: ” Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet duke përdorur të njëjtin lloj të të menduarit që kemi përdorur kur i kemi krijuar ato (probleme). ”

Nëse Pozita dhe Opozita ia duan të mirën këtij vendi dhe dëshirojnë të punojnë për të mirën e këtij populli ashtu siç flasin dhe kanë gojën plotë premtime për ndryshime në të mirën e qytetarëve në çdo fushatë zgjedhore, atëherë mendoj se koha ka ardhur që këto të dyja të ulen, të diskutojnë dhe të reflektojnë për zgjidhjen e kësaj krize politike dhe të punojnë për të mirën e të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë.
Ose skenari i dytë, ndërhyrja e palës së tretë, trokitja e ” postierit ” në derën e udhëheqësve politik dhe “ zarfi i famshem “ i cili shpeshherë po na del që nuk është zgjidhja më e mirë por e domosdoshme për ta kaluar këtë krizë politike e cila më vete po bartë pasoja në çdo fushë të jetës së qytetarëve të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button