Pa profesionalizëm tekstet mbesin “pallavra”

[Recension: “Fjalët e Menduh Thaçit “pallavra”, të burgosurit e Brodecit “po vdesin në burg”, ndërsa ai do merret me Kumanovën”]

Në pamundësi profesionale ose nga mosvullneti për të bërë një gazetari të mirëfilltë hulumtuese, disa medie zgjedhin rrugën më të shkurtër; plasojnë informacione të paverifikuara, jo të plota dhe tendencioze. I tillë është teksti në fjalë. Autori është “prekur” nga deklarata e një politikani që sipas tij është e pabazë, dhe duke dashur ta hedh poshtë atë, ka përdorur fakte dhe shprehje që nxjerrin në pah tendencën e tij për diskreditim në rrugë joprofesionale. Ja sqarimi.

Zhurnal - Fjalet e Menduh Thacit pallavra, te burgosurit e Brodecit po vdesin ne burg ndersa ai do merret me Kumanoven 1Linku deri te artikulli origjinal: Fjalët e Menduh Thaçit “pallavra”, të burgosurit e Brodecit “po vdesin në burg”, ndërsa ai do merret me Kumanovën

Data dhe koha e publikimit: 04.01.2016, 13:00

Data e recensionit: 06.01.2016

Recensues: Fatlume Dervishi

Teksti ka probleme që në titull. Autori quan “Fjalët e Menduh Thaçit “pallavra””, shprehje joetike (zhargon që nuk është as fjalë e mirëfilltë shqipe), e thënë nga vetë gazetari në tekstin e një lajmi. Për të hedhur poshtë deklaratat e një politikani, Menduh Thaçit të dhënë në një intervistë për Lajm, me të cilin gazetari personalisht nuk pajtohet, ka marrë përsipër të bëjë një krahasim mes ngjarjes së Kumanovës dhe ngjarjes së Brodecit. Këto dy ngjarje nuk lidhen me njëra-tjetrën. Andaj, nëse gazetari do t’i trajtojë në mënyrë paralele, duhet të jetë shumë i kujdesshëm që produkti i tij të mos përfundojë pikërisht kështu siç ka përfunduar.

Mangësitë janë në pjesën e parë të tekstit. Saktësisht tre paragrafët e parë janë komente të autorit mbi këndvështrimin e tij për këto dy ngjarje. Ja disa rreshta:

“… Ai nuk jep sqarime se vallë këtë rast a do ta zgjidhë si rastin me Brodecin…”

Si gazetar, nuk mund të pretendosh që dikush ka mohuar të sqarojë diçka nëse ti nuk ke kërkuar sqarime.

“Nga ky aksion disa persona u vranë ndërsa një numër i madhë u arrestuan dhe u torturuan në mënyrën më brutale nga policia maqedonase. Bashkëpunëtori i Thaçit, Refet Elmazi i cili mbante postin e zv. Ministrit të policisë, tha se ky aksion është tepër i suksesshëm ndaj shqiptarëve, pa mos folur asnjë fjalë për torturat që i përjetuan të arrestuarit.”

Pjesa e dytë e tekstit është në rregull, bëhet interpretim objektiv i intervistës për Lajm. Kjo automatikisht dhe shumë lehtë të len të kuptosh që pjesa e parë është produkt tendencioz i autorit në fjalë dhe pjesa e dytë (ku bëhet interpretim i intervistës) është produkt i dikujt që e ka parë atë nga një këndvështrim më objektiv. Dhe, është pikërisht ashtu. Pjesa e dytë, është kopjuar nga lajmpress.mk, nga intervista origjinale.

“Gazetari duhet të bëjë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit.” – Shkruhet mes tjerash në Kodin Etik të Gazetarëve të Maqedonisë.

Ajo që autori mund të bënte në këtë drejtim është pasqyrimi në mënyrë objektive i deklaratës aktuale të kryetarit të PDSh-së Menduh Thaçit, dhe vendosja e saj përballë fakteve historike për rastin e Brodecit. Kjo të mbështetej me burime të tjera dhe të dhëna të pakontestueshme. E gjithë pjesa e komenteve është e tepërt, është joetike dhe tendencioze.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button