Koreja e Veriut ka testuar bombë të hidrogjenit?

Koreja e Veriut ka njoftuar sot se ka testuar bombën e hidrogjenit, lajm ky i cili ende nuk është konfirmuar, por ky lajm nxiti reagime dhe dënim të aktit në gjithë botën, e pritet që edhe Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara të zhvillojë një seancë të jashtëzakonshme.

Mediet vlerësojnë se ky test, nëse konfirmohet, do të jetë një hap i madh përpara në përpjekjet e Penianit për të modernizuar arsenalin e vet të kufizuar bërthamor. Në kumtesën të cilën e përcolli televizioni shtetëror i Koresë së Veriut u theksua se testi ishte i suksesshëm. Nëse testi konfirmohet, atëherë do të jetë ky një zhvillim brengosës, i cili me gjasë do të rezultojë me sanksione më të ashpra të Organizatës së Kombeve të Bashkuara kundër Penianit.

Qendra amerikane për studime gjeologjike ka regjistruar një tërmet prej 5.1 shkallë të Rihterit në Gadishullin e Koresë, ndërsa një zyrtar në Korenë e Jugut ka theksuar se tërmeti është nxitur në mënyrë artificiale dhe se epiqendra e tij ka qenë rreth 50 kilometra larg Kilxhusë, qendra kryesore e Koresë së Veriut për teste bërthamore. Koreja e Jugut e ka cilësuar testin si një provokim të madh, që rrezikon jetët e njerëzve dhe ardhmërinë e tyre. Uashingtoni ka deklaruar se ende është herët që të konfirmohet se Peniani ka kryer test, por shtoi se do të reagojë me masa të duhura ndaj çfarëdo provokimi, transmeton Tv21.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button