Shiitët e Irakut në protesta, kërkojnë mbylljen e ambasadës saudite

Disa mijëra shiitë irakianë sot në Bagdad kanë protestuar për shkak të ekzekutimit të liderit fetar shiit Nimr al-Nimr në Arabinë Saudite , raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit janë mbledhur para godinës së Parlamentit irakian dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe kërkuan që të mbyllet ambasada e Arabisë Saudite në Bagdad. Duke dënuar ekzekutimin e al-Nimr, demonstruesit kanë mbajtur pankarte të tij dhe brohorisnin sllogane kundër autoriteteve saudite. Dogjën flamurin e Izraelit, SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe, si dhe pankarte të mbretit saudit dhe ministrit të Punëve të Jashtme.

Paralelisht me këtë, një grup i demonstrantëve tentoi të hyjë në hotelin Rasht në të cilin ishte vendosur ambasadori saudit në Bagdad, por u parandaluan nga forcat irakiane të sigurisë.

Protestat të cilat i organizoi lëvizja Sadr përfunduan në mënyrë të qetë.

Kryetari i Komisionit për siguri dhe mbrojtje në Pralamentin e Irakut dhe anëtar i lëvizjes Sadr Hakim ez-Zemili për AA tha se do të ngritet procedurë parlamentare për marrjen e vendimit për mbylljen e ambasadës saudite në Bagdad.

Autoritetet e Arabisë Saudite të shtunën në mëngjes njoftuan se kanë ekzekutuar 47 persona të dënuar për terrorizëm në këtë vend, ndërsa në mesin e tyre edhe liderin fetar shiit al Nimr. Irani ashpër dënoi këtë hap të autoriteteve në Riad, ndërsa gjatë protestave në Teheran është djegur ambasada saudite, si dhe u sulmua edhe konsullata në Mashhad.

Arabia Saudite për këtë shkak mbrëmë ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe u dha afat prej dy ditëve diplomatëve iranianë që të braktisin vendin. Të njëjtën gjë e bënë edhe Bahreini dhe Sudani, si dhe Emiratet e Bashkuara Arabe degraduan marrëdhëniet bilaterale me Iranin në nivel të zyreve të të ngarkuarit me punë diplomatike.

Shqetësime për shkak të krizës aktuale në relacionin Riad – Teheran shprehën Kombet e Bashkuara, Bashkimi EVropian, SHBA-të, Britania e Madhe dhe një numër i madh i aktorëve të bashkësisë ndërkombëtare. Kina dhe Franca sot ftuan të qetësohen tensionet, ndërsa Rusia shprehu gatishmëri që të shfrytëzojë marrëdhëniet e mira me të dyja vendet dhe të ndërmjetësojë në zgjidhjen e krizës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button