Urimi më i mirë që mund të jap për këtë vit

 

Kam vështirësi që ta gjej mënyrën e duhur për ta nisur urimin për këtë vit të ri. A duhet nisur me “gëzuar” apo me “urime”… teksa i drejtohesh një audience më të gjërë, anonime, me të cilën një kohë të gjatë ke ndarë mendime dhe opinione lidhur me cështje reale dhe të prekshme të jetës shoqërore bëhet akoma më e vështirë.Duke përdorur “gëzuar” uron që gëzimi që ke ndarë këtë vit të shkuar me shkrimet e tua të vazhdojë më tutje edhe në 2016. Por realiteti është se gëzimi nuk ka qenë pjesë e jetës sonë shoqërore atë 2015 që sapo mbaroi, as edhe e shkrimeve te mia. Një vit i vështirë, kontraverz, me dilema të mëdha, me paqartësi akoma më të mëdha. Por a mundem të them “urime” duke patur parasysh këtë realitet? As kjo nuk më duket fjalë e cila do të përfshinte atë që dëshiroj të na presë në vitin që sapo ka nisur. Të thuash “urime” nënkupton që problemet dhe paqartësitë e 2015 i kemi tejkaluar; që uroj për punën e mirë që e kemi mbaruar si shoqëri, që kemi tejkaluar dilemat dhe paqartësitë dhe që këtë vit të ri e nisim të pastër dhe me fuqi të rinovuara. Gjë që nuk e kemi bërë sepse 2016 e nisim me problemet e vjetra.

Urimin nuk mund ta vazhdoj me dëshirën për më shumë para, sepse gjatë vitit që kaloi nuk u ndërmorrën politikat e duhura ekonomike që do të na përmirësonin mirëqenien ekonomike si shoqëri. Rritja ekonomike ishte gati e parëndësishme, aq më shumë kur kihet parasysh që inflacioni i cmimeve e anuloi veprimin e kësaj rritjeje në ekonominë e vendit; investimet e huaja direkte nuk erdhën, të paktën jo në masën e duhur dhe të pritshme, dhe këtu ndikoi gjendja jostabile politike dhe sociale; sërish ishte evidente ndarja e gabuar e buxhetit me shpenzime dhe investime kundërproduktive dhe të gabuara. Nuk dij si mund të uroj shëndet më të mirë, kur neglizhenca e shtetit ndaj shëndetit të qytetarëve të vet është e frikshme, gati konspirative. Edhe nuk flas vetëm për ambientin, për ndotjen, për ajrin e stërmbushur me grimca të dëmshme – gjëra për të cilat kemi kohë të gjatë që po ngrejmë zërin e hidhërimit, të kushtrimit për ndihmë. Jo! Po flas për kualitetin në rënie të shërbimeve mjekësore, për mungesën e ilacrave dhe vaksinave nëpër spitalet publike, për kushtet e këqija në të cilat punojnë doktorët tanë, për Fondin Shëndetësor të bankrotuar…

Mund të gënjej nëse ju uroj një të ardhme më të mirë, sepse sistemi arsimor – mekanizmi që duhet të vëjë në lëvizje ardhmërinë tonë, është shkatërruar moti dhe me gjitha reformat dhe tentativat për ta rregulluar dhe për ta përmirësuar, shteti e ka shkatërruar akoma më shumë.Duke reformuar aq shumë dhe aq shpesh, kemi humbur pusullën dhe tani ndodhemi në mes të shkretëtirës. Shkollimi tek neiI përmbahet premisës: kuantitet, jo kualitet! E dëmshme kjo për një shoqëri.

Mund të dëshiroj më shumë qetësi, më pak turbulli sociale dhe politike. Por vështirë se mund të ndodhë kjo, teksa e ke parasysh që revolucioni politik i cili duhet të ndodhë për të arritur qetësinëështëi pakoncipueshëm të ndodhën në një periudhë aq të shkurtër kohore sa siguron një vit. Ndërrim politikash dhe qeverish teknike, zgjedhje të parakohshme, dhe të gjitha turbullësitë që vijnë dorë për dore me këto ndryshime. Sidomos kur kam parasysh që jo vetëm populli ka humbur besimin në forcat politike të vendit, por edhe vetë partitë politike nuk po tregojnë energjinë dhe vlerat që pritet të vijnë prej tyre për të stabilizuar vendin.

E vetmja dëshirë që më mbetet është të uroj për më shumë mençuri dhe zgjedhje më të mira. Dhe fat. Duke patur parasysh që janë të vetmet kualitete në të cilat shteti nuk ka vënë dorën e vet të dëmshme, por që varen nga ne si individë, atëherë nuk më mbetet tjetër vecse t’ju uroj një individualizëm produktiv në këtë 2016.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button