2015-ta: Gjyqe masive për udhëheqësit e Vëllazërisë Muslimane në Egjipt

Autoritetet egjiptiane kryen në 2015-ën gjyqe masive për qindra mbështetës të presidentit Muhammed Mursi, të larguar me forcë nga detyra, dhe të grupit të tij, Vëllazërisë Muslimane, të sulmuar pandërprerë.

Një sërë udhëheqësish të Vëllazërisë, duke përfshirë vetë Mursin, morën dënime me vdekje për akuza që përfshinin dhunën, spiunazhin dhe arratisjen nga burgu.

Një gjykatë i dënoi me vdekje në qershor Mursin dhe afër 100 persona me akuzat për pjesëmarrje në një arratisje masive nga burgu gjatë revoltës së 2011-ës në Egjipt, që i dha fund sundimit të presidentit autokrat Hosni Mubarak.

Gjykata e dënoi po ashtu Mursin me burgim të përjetshëm me akuzat për komplotim me grupin palestinez Hamas dhe me Hezbullahun e Libanit për të kryer “akte terroriste” në Egjipt.

E njëjta gjykatë i dënoi me vdekje 16 udhëheqës të Vëllazërisë, duke përfshirë zëvendësliderin e saj, Hajrat esh-Shater, me akuzat për komplotim me Hamasin dhe Hezbullahun.

Në gusht, një gjykatë ushtarake në qytetin bregdetar të Aleksandrisë i burgosi për jetë 250 mbështetës të Mursit, mes të cilëve një numër udhëheqësish të Vëllazërisë, mbështetur në akuzat për dhunë.

Një gjykatë egjiptiane konfirmoi në muajin pasues dënimet me vdekje për tetë mbështetës të Mursit, me akuzat për dhunë.

Në tetor, një gjykatë ushtarake burgosi 41 kundërshtarë, duke përfshirë 16 studentë, po me akuzat për dhunë.

14 persona, përfshirë udhëheqësin e Vëllazërisë, Muhammed Bedii, u dënuan me vdekje nga një gjykatë në prill, me një varg akuzash të lidhura me dhunën. Me akuza të ngjashme u dha gjithashtu dënimi me burgim të përjetshëm për 25 të pandehur, me të cilëve gjendej dhe aktivisti amerikano-egjiptian Muhammed Sulltan.

Dy muaj më herët, katër udhëheqës të Vëllazërisë u dënuan me vdekje me akuzat për vrasjen e demonstruesve jashtë selisë qendrore të grupit në Kajro në vitin 2013. Katërmbëdhjetë udhëheqës të tjerë të Vëllazërisë, duke përfshirë Bediiun dhe dy zëvendës të tij, morën dënime me burgim të përjetshëm me akuza të ngjashme.

Mbështetësit e Mursit këmbëngulin se akuzat kundër tyre janë “të nxitura politikisht”.

Egjipti është përfshirë nga trazirat që kur ushtria e largoi nga detyra Mursin, presidentin e parë të vendit të zgjedhur lirisht, në një grusht shteti në vitin 2013 që pasoi protestat masive kundër administratës së tij.

Autoritetet egjiptiane kanë nisur shtypjen e disidencës që prej rrëzimit të Mursit, dhe në shenjë janë vënë përgjithësisht mbështetësit e presidentit të larguar dhe grupi i tij i Vëllazërisë, duke lënë qindra të vdekur dhe mijëra të tjerë prapa hekurave.

Marrë me shkurtime nga Anadolu Agency

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button