Ndëshkimi i dënuar

Në vendet tona e keqja përsëritet dhe të këqijtë në vend se të ndryshojnë, ata vetëm ndërrohen. Jo rastësisht ligje kemi shumë, madje edhe të përpunuar mirë, por këtyre ligjeve u mungon zemra – dënimi dhe burgjeve tona u mungojnë të dënuarit meritor. Ligje kemi shumë, mirëpo këto ligje nuk vlejnë për të pasurit dhe të pushtetshmit. Po të mos ishte shtresa e varfër dhe e mesme, vaj halli për ligjet, nuk do të dukeshin kurrë. Parimisht, kultivuese e krimit apo asgjësuese e krimit duhet të jetë udhëheqja e shtetit, kurse segmentet tjera, fjala vjen, shoqëria qytetare që nuk kanë mandat përmbarues, vetëm mund të ndikojë në ngritjen e vetëdijes për rrjedhat e ndryshme në shoqëri dhe në shtet. Është fakt i pamohueshëm se në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni krimi gëlon dhe e keqja përditë të përvëlon, sidomos kjo lemeri bie mbi supet e qytetarëve. Pikërisht në këto shtete ligjit i mungon dënimi i plotë, kurse të dënuar me burg janë kryesisht ata që nuk përbëjnë piramidën e lartë shtetërore, pikërisht ata që janë viktimë e një qeverisje të keqe. Nuk them se këta të burgosur janë të pafajshëm, me përjashtim të rasteve të montuara politikisht, mirëpo shqetësohem se pse burgjet nuk janë të mbushura me shtresën e kultivuesve të krimit?

Mbështetur në shpjegimin e fjalorit të gjuhës shqipe, me fjalën dënim kuptojmë: “Ajo që pëson a vuan dikush për një gabim, për një sjellje të keqe, për një shkelje të rregullave a të kërkesave, të moralit shoqëror. Masa ndëshkimore që i jepet dikujt me vendim gjyqi për një faj a për një krim; vendimi i gjyqit për një masë të tillë”! Politikanët të cilët edhe i dhanë kuptim fjalës krim, keqqeverisje dhe padrejtësi, në tërë këtë zallamahi nuk shihen asgjëkund. Jo që njeriu është i etur që politikanët t’i sheh prapa grilave, mirëpo natyrshëm për ta hedhur në pah drejtësinë duhet larguar përmes ndëshkimit prej asaj hapësire të padrejtit. Nuk mbinë bar nëse sipër asaj hapësire qëndron një tullë! Më shumë se për t’i shkaktuar dhimbje, përmes ndëshkimit synohet davaritja e një shembulli dhe ngritja e vetëdijes. Nëse kriminelëve të vërtetë do t’i jepej dënimi i merituar, atëherë ata që ende nuk janë futur në qerthullin e udhëheqjes, sigurisht se do të ishin shumë të kujdesshëm nëse ia vlen të shkohet gjurmëve të atyre që tashmë gabimet po i paguajnë me heqje lire dhe privim lumturie. Mirëpo, në shoqërinë tonë ku kriminelët ecin lirshëm, mbase edhe vendosin për fatin tonë dhe shumë syresh të pafajshëm dergjen burgjeve, vështirë është të flitet për reforma në drejtësi dhe për ecje me krenari përpara. Ç’të thuash për Kosovën kur dëgjon të jetë vlerësuar si njëri prej vendeve më të korruptuara në botë, ndërsa në anën tjetër në vend se të merren masa duke filluar prej kokës së gjarprit, ata e burgosin Albin Kurtin, politikanin më të pakorruptuar dhe të rrallë që me afsh lufton kundër së keqes, kurse ata që sot zotërojnë shtëpia të shtrenjta, vetura të kushtueshme dhe që përgjithësisht bëjnë një jetë mbretërore janë të lirë, ndajnë drejtësi, flasin për dukuritë e këqija që e kanë mbërthyer Kosovën, pikërisht në kohën kur varfëria e popullit vlerësohet të jetë 35 për qind dhe ajo e skajshme 10 për qind e me mijëra tjerë ia mbathin prej Kosovës.

Për këtë arsye në arat tona murrizi dhe driza janë produkte të vetme që më së qarti shihen, mirëpo më sa paku punohet për t’i asgjësuar këto armiq të arave tona. Për shembull, po të ishte dënuar Ramiz Alia në kohën e Sali Berishës, Sali Berisha në kohën e Fatos Nanos, Fatos Nano sërish në kohën e Sali Berishës, Sali Berisha në kohën e Edi Ramës, sigurisht se shëndeti i drejtësisë dhe ekonomisë së Shqipërisë do të ishte më në rregull dhe më premtues, madje vetë Edi Rama dhe ai që do të vinte pas tij para se të merrte ndonjë vendim të dëmshëm për vendin do të mendohej dhjetë herë dhe do të këshillohej më shumë se me dhjetë njerëz. Jo rastësisht për krimet e komunizmit në Shqipëri askush nuk u dënua, edhe pse kishim krime rrëqethëse në atë periudhë, prandaj shpeshherë komunizmi hodhi bulëza në pemën e demokracisë. Është qesharake kur dëgjoj PS-n të flet për krimet e llahtarshme të PD-së dhe në anën tjetër i pari i PD-së ende mëngjeseve shëtitet buzë detit në vend se në vagëllimën e mëngjesit të kërkonte pak ajër të pastër brenda avllisë së burgut. Këta sikur harruan se krimi nuk mund të venitet pa i ndëshkuar kriminelët, kurse ky ndëshkim lehtësisht mund të zbatohet, meqë njerëzit në piramidën e lartë shtetërore treguan se kanë argumente të mjaftueshme sa për t’i dërguar prapa grilave keqbërësit, të cilët kishin harruar se një ditë jorgani i pushtetit do t’i largohej sa për t’ju shfaqur pastaj gjitha llojet e krimeve, mirëpo ende dënimi po mbulohet vetëm me akuza dhe nuk po arsyetohet me arrestime. E gjithë kjo sjellje lë të kuptohet se edhe i pari i Partisë Socialiste mëton të ruhet pas mbarimit të mandatit. Ndoshta nuk dëshiron ta krijojë një traditë të arrestimit të peshqve të mëdhenj, ngaqë parashihet se njëri prej këtyre peshqve mund të jetë edhe ai.

Përpos që mungon dënimi ligjor, në shoqërinë tonë mungon edhe dënimi moral, lloj dënimi ky që është në dorë të shoqërisë qytetare. Për shembull, Ermira Mehmeti kërkoi mandat për shumë arsye, por njëra prej tyre ishte hapja e kufijve me shqiptarët, kurse pasi e fitoi mandatin lëre se nuk u hapën pikëkalimet Llojan – Miratoc dhe Bellanoc – Stançiq, Tanushë-Debëllde, por në cilësinë e deputetes ajo i hapi kufijtë vetëm për interesa të veta, sa që mbërriti matanë oqeanit atlantik për të studiuar. Për t’u bërë terri më i tmerrshëm dhe më i frikshëm, mediat ende po i japin hapësirë, kurse një grup i njerëzve të cilët hiqen si njerëz të drejtë, mezi presin që çdo publikim të saj në rrjetin social t’ia pëlqejnë, edhe pse po prej këtyre “të drejtëve” mësuam se nëse të keqen nuk mund ta luftosh, të paktën mos i duartrokit asaj. Po ashtu edhe Maqedonia në çdo raport evropian kritikohet për masën e lartë të krimit dhe të korrupsionit, ndërsa burgjet ende vijojnë të frymojnë në mungesë të atyre që me harlisje e ujitën pemën e krimit. Përgjimet telefonike janë vetëm njëri prej shumë argumente se sa shumë të zhytur janë në krim udhëheqësit tanë. Pastaj vetë ardhmëria e pasigurt e këtij shteti flet mjaftueshëm se shpura udhëheqëse është ajo që vendin e katandisi në këtë gjendje, ku montimet politike janë më të shpeshtë se sa vetë shiu në këtë shtet me zemër të tharë. Për më keq, sërish për të satën herë me radhë, të përlyerit me krim kërkojnë votën tonë në vend se të kërkojnë ndonjë lëmoshë nga burgu. Sërish, shoqëria jonë përmes votës mëton t’i përligjë këta kriminel dhe habitshëm pastaj hidhërohet për të bëmat e saja jonjerëzore, edhe pse ajo një gjë duhet ta kuptojë se i keqi përpos gjërave të këqija nuk sjell diçka tjetër dhe se përmirësim të klimës së drejtësisë nuk do të ketë për aq kohë sa kriminelët me jakë të bardhë vazhdojnë të ecin dhe vendosin lirshëm për fatin tonë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button