“Urgjencë për reforma në gjyqësorë”

Gjyqësori urgjentisht duhet të reformohet, kështu është përfunduar në debatin e sotëm me temë “Prioritete urgjente të reformës për Republikën e Maqedonisë”, në Kuvend në kuadër të Këshillit Nacional për Eurointegrime, raporton Portalb.

Edhe përskaj kornizave ligjore, në Maqedoni ka probleme në zbatimin e ligjit, kështu mendon deputetja e BDI-së Ermira Mehmeti.

“Në Raport thuhet se kemi kornizë ligjore, që do të thotë se Maqedonia ka ligje të mira por që gjatë zbatimit hasin në vështirësi. Kemi përzierje të politikës në gjyqësorë, por nuk kemi reagime. Gjyqësori vazhdon të jetë në shërbim të politikës. Kemi rastin e “Sopotit” ku u gjykuan njerëz të pafajshëm. Askush nga Gjykatësit nuk është thirrur në përgjegjësi”, tha Mehmeti.

Goran Misovski tha se është turp në shekullin 21 ne flasim ende për prioritete siç janë të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit e për departizimin e institucioneve.

“Jo rastësisht në raport thuhet se kemi ndikim të politikës në gjyqësorë. Ne kemi pasur rastin të shohim se si përcaktohen gjykatësit, gjatë publikimit të “bombave”. Kujtojë sot është 24 dhjetori, 3 vjet pas “të hënës së zezë” dhe ne ende nuk e dimë se kush dha urdhër që deputetët të largohen nga seanca”, theksoi Misovski.
Sipas aktivistit për të drejtat e njeriut, Suad Misini, gjykatësit në Maqedoni ende nuk e kanë kuptuar thelbin e funksionin e të qenurit gjykatës.

“Gjyqësori herë pas here ka kërkuar që mediat dhe opinioni të mos merren me punën e gjykatësve. Ata nuk e kanë kuptuar thelbin e funksionit, e dinë vetëm funksionin e profitit, edhe pse ka përjashtime. Në këtë shtet kishte dhe ka të burgosur politik. Gjithashtu ka edhe vrasje që ende nuk janë zbardhur”, potencoi Misini./Portalb

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button