BE-ja i do hajnat dhe kriminelët në burg!

Qeveria e Kosovës që nga shtatori e ka ditur fare mirë që nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret të kërkuara nga Bashkimi Evropian për liberalizim të vizave. Por, zyrtarët e Qeverisë, duke filluar nga kryeministri dhe ministrat e tjerë, vazhdimisht na tregonin përralla se gjoja i kishin plotësuar të gjitha kriteret, dhe prisnin që të marrin rekomandim pozitiv për liberalizim të vizave. Por, doli e kundërta. Qeveria e Kosovës nuk kishte plotësuar edhe 8 kritere, e 4 prej tyre janë të domosdoshme që kanë të bëjë me korrupsion, krim të organizuar, sistemin e drejtësisë dhe konflikt interesin. Që do të thotë se BE-ja po kërkon nga organet e drejtësisë dhe Qeveria e Kosovës, t’i fusë në burg njerëz të profilit të lartë, ose më mirë të them ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës, parapolitikës dhe drejtësisë, të cilët janë përgjegjësit kryesorë për gjitha të këqijat që i kanë ndodhur Kosovës, dhe për degradimin e shtetit.

Avazi i vjetër!

Çdo zyrtar i lartë qeveritar merr minimum nga katër-pesë paga, por ka prej tyre që marrin edhe nga dhjetë paga. Me gjithë ato vende pune që kanë, e që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, ku asnjërën nuk e kryejnë, por vetëm marrin paga, këta zyrtarë zhvatës ua zënë vendin mijëra të papunëve! Qëllimisht për herë  të dytë është bërë tërheqja e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit nga qeveria e Kosovës, që do ta quaja skandaloze dhe turp nga ana e Qeverisë. Por, një nga kriteret që kërkon Bashkësia Ndërkombëtare për të përmbushur Qeveria e Kosovës, me qëllim liberalizimin e vizave për kosovarët, është edhe ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, gjë që është dashur të bëhet shumë më herët, kur kemi parasysh që Kosova po ballafaqohet me një papunësi të madhe, e në anën tjetër zyrtarët e lartë mbajnë nga disa poste publike, me qëllim të ruajtjes së pozitave dhe zhvatjen e shtetit. Ky ligj duhet që në seancën e parë në Janar të vitit të ardhshëm të aprovohet, dhe atë për shumë arsye. E para, mbajtja e më shumë se një posti, është konflikt interesi. E dyta, në ato vende të lira pune që po mbahen të uzurpuara nga këta ‘supermenë’, do të futeshin në punë disa mijëra të papunë! E treta, është kriter i BE-së me qëllim liberalizimin e vizave që të aprovohet ky ligj. Besoj që ky ligj do të aprovohet qysh në janar, sepse BE-ja këtë herë e ka seriozisht me këtë pushtet mafioz dhe kriminal, dhe rrezikojnë edhe të izolohen nga BE-ja nëse vazhdojnë prapë me avazin e vjetër, siç kanë bërë tash e 16 vite, duke vjedhur, plaçkitur, shkatërruar e degraduar çdo gjë. Edhe BE-së dhe SHBA-së, këta pushtetarë kriminelë e të papërgjegjshëm, ju kanë ardhur në maje të hundës, me veprimet e tyre kriminale, edhe pse deri tash i kanë mbyllur sytë dhe mbajnë përgjegjësi edhe ata për tolerimin kaq të gjatë dhe bashkëpunimin me këta hiena dhe fundërrina të politikës.

BE-ja këtë herë e ka seriozisht!

Por këtë herë BE-ja e ka seriozisht me plotësimin e këtyre kritereve, prandaj jam më se i bindur që do të ndodhë  ‘tërmeti’ i madh për largimin nga skena politike, të gjithë kriminelëve të politikës, falë të cilëve jemi në këtë gjendje të mjerueshme. Në të kundërt, jo vetëm që s’do kemi liberalizim të vizave, por Bashkësia Ndërkombëtare do ta izoloj tërësisht Kosovën, nëse Qeveria dhe organet e drejtësisë nuk veprojnë. Këtë gjë e kam pritur nga Bashkimi Evropian, se në të kundërtën skena politike në Kosovës, kurrë s’do të ishte pastruar nga kriminelët e banditët e politikës dhe parapolitikës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button