Insistimi i qeveritarëve për justifikime, dëshmi për fajësi

Analistët në një formë i kanë hedhur poshtë zërat se Kosovës po i bëhet e padrejtë nga Bashkimi Evropian, duke mos lejuar liberalizimin e vizave.

Ka vetëm pak ditë nga publikimi i raportit të Komisionit Evropian lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën, në të cilin u tha se Kosova nuk i ka përmbushur plotësisht të gjitha kriteret e kërkuara nga Udhërrëfyesi për liberalizim të vizave dhe janë përmendur tetë prej tyre.

Por, zyrtarët e tanë shtetërorë vazhdojnë të thonë se Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe se Kosovës po i bëhet padrejtësi, duke mbetur i vetmi vend i izoluar në rajon. Këtë e thotë edhe kryeministri aktual, Isa Mustafa, edhe ish-kryeministri Hashim Thaçi, tani zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, madje edhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, sipas të cilit Komisioni Evropian paska analizuar përmbushjen e kritereve vetëm deri në shtator, e jo deri në dhjetor.

Por sipas analistëve, është e kot që të ndalet në këtë argument, pasi raporti i fundit e cek shumë qartë se cilat kushte nuk janë plotësuar dhe se institucionet e vendit duhet të fokusohen që t’i përmbushin ato në mënyrë që të jepet rekomandimi për liberalizim të vizave.

Analistët mendojnë se insistimi i tepërt i zyrtarëve tanë qeveritarë për të gjetur justifikime, vetëm sa forcon dëshminë për fajësinë e tyre për moskryerjen e detyrave, apo vetëbesimin e tyre të krijuar në bazë të deklaratave pompoze, të dhëna para opinionit, shpeshherë për marketing politik.

Analistët në një formë i kanë hedhur poshtë zërat se Kosovës po i bëhet e padrejtë nga Bashkimi Evropian, duke mos lejuar liberalizimin e vizave.

Ata iu rikujtojnë qeveritarëve tanë vlerësimet e vazhdueshme për mungesë të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivel të lartë, për mosefikasitet të gjyqësorit dhe ndikim të politikës në gjyqësor. Iu rikujtojnë edhe krizat politike që nuk janë pa ndikim në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian.

Nuk është periudhë e largët ngërçi politik dhe institucional gjashtëmujor pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, pasojat e të cilit i ndjeu kjo legjislaturë deputetësh që nga fillimi, e të cilat kulmuan muajt e fundit në raportet pozitë – opozitë.

Qeveritarët tanë nuk duhet harruar edhe fundvitin e kaluar dhe fillimvitin e 2015-es, kur qindra qytetarë braktisën vendin dhe mësynë vendet e Evropës Perëndimore në kërkim të kushteve më të mira për jetesë.

Zyrtarët qeveritarë i kanë të njohura shifrat se sa kosovarë janë në procedurë të azilkërkimit. Ata nuk duhet të harrojnë se të gjitha këto që u përmendën gjithësi janë elemente që ndikojnë drejtpërdrejt në rekomandimin eventual pozitiv për heqjen e vizave, edhe po të ishin përmbushur të gjitha kriteret, ashtu siç mendojnë qeveritarët tanë.

Profesori i integrimeve evropiane, Avni Mazrreku, duke mos dashur që të komentojë deklaratat e zyrtarëve shtetërorë, tha për KosovaLive se raporti i Komisionit Evropian, që reflektohet në konkluzionet e Këshillit të BE-së, tregon qartë se nuk janë përmbushur të gjitha kriteret që do ta kishin sjellë Kosovën në pozitën, ku do të jepej një rekomandim pozitiv për liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button