Kosovë, gratë ende të pabarabarta në nivelin e vendimmarrjes

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) në konferencën e sotme në Prishtinë ka publikuar raportin e ri të quajtur “Buxhetimi drejt Mirëqenies Sociale”, raport ky i përpiluar nga analiza e dytë e barazisë gjinore të shpenzimeve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës (MPMS), raporton Anadolu Agency (AA).

Koordinatorja e projektit, Donjeta Morina duke e prezantuar raportin ka theksuar se përkundër përmirësimeve në krahasim me vitin 2014, gratë mbeten të papërfaqësuara sa duhet në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në veçanti në nivelin e vendimmarrjes. Ajo tha se ende vazhdon pabarazia në të ardhurat personale.

Morina ka cituar të dhënat nga raporti, sipas të cilit, 54 përqind e grave marrin të ardhura në nivelin prej 200 deri në 400 euro, 42 përqind marrin rroga nga 400 deri 600 euro, ndërsa mbi 600 euro marri rrogë vetëm 19 përqind e grave të punësuara.

Ministri i MPMS, Alban Abrashi deklaroi se këto raporte i ndihmojnë institucioneve që të jenë më të përgjegjshme në politikat e tyre, në veçanti kur kemi parasysh se gratë në shoqërinë kosovare edhe më tutje mbeten të diskriminuara. Ai ka theksuar se me rastin e planifikimit të buxhetit në ministrinë që ai e udhëheq, gratë nuk anashkalohen, por se duhet qenë të vetëdijshëm për nevojat e tyre specifike.

“Edhe pse në Ministrinë që e udhëheq, gratë dominojnë mbi meshkujt, në punësim janë 399 meshkuj dhe 474 gra, shumë prej tyre në pozita udhëheqëse. Sidoqoftë, ky raport nuk na bënë që ne të mburremi. Gratë mbeten të nën përfaqësuara në nivele të vendimmarrjes, gratë mund të mos jenë të vetëdijshme për përfitimet që u takojnë si persona me aftësi të kufizuara, apo gratë nuk përfitojnë sa burrat nga shërbimet e punësimit”, ka deklaruar ministri Abrashi.

Alexandra Fehlinger, udhëheqësja e këtij projekti nga organizata qeveritare gjermane GIZ (Deutsche Gesellschaft fur Internationale), ka theksuar se analiza e barazisë gjinore në shpërndarjen e buxhetit është bërë, jo vetëm në nivelin qendror por edhe në nivelin lokal të komunës së Dardanës (Kamenicës). Sipas saj, GIZ e ka përkrahur financiarisht Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës për ta kryer këtë punë hulumtuese.

“Ato kanë konsideruar se duhet të zgjerohet kjo mënyrë e punës, në mënyrë që të hulumtohet shpërndarja e buxhetit nga aspekti i barazisë gjinore, demografike, grupeve etnike dhe në bazë të shtrirje gjeografike dhe se, të dhënat që tash i posedojmë janë të dobishme edhe jashtë shqyrtimit të buxhetit për vitin 2015”, tha Fejlinger.

Drejtoresha e RrGGK, Igballe Rugova, ka theksuar se qëllimi i raporti është t’i ndihmojë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës dhe që për barazi gjinore është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi i institucioneve me shoqërinë civile.

“Ky raport, natyrisht iu ndihmon edhe departamenteve përbrenda Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe shpresojmë se gjithmonë do të kemi këso bashkëpunimi, edhe me ministritë tjera” ka thënë Rugova.

Në fund, raporti jep rekomandime për disa departamente të MPMS-së.,

Divizionit të burimeve njerëzore të MPMS i sugjerohet të vazhdojë rritjen e përqindjes së grave të punësuara në nivele më të larta të pagës, përderisa të arrihet kërkesa ligjore e punësimit të grave prej 50 përqind në të gjitha nivelet e pagave.

Sistemit pensional të Kosovës, ky raport i rekomandon të mbajë të dhëna të ndara sipas gjinive dhe përkatësive etnike. Po ashtu, këshillohet që të verifikohet numri dhe përqindja e përfituesve të pensioneve sipas përkatësisë etnike, me anë të regjistrimit dhe të dhënave demografike, duke lehtësuar përpilimin e listave sa më të sakta të përfituesve pensional dhe largimin atyre që nuk e gëzojnë atë të drejtë. Me këtë, sipas raportit, do ët siguroheshin mjete të mjaftueshme për rritjen e pensioneve bazë pa pasur nevojë që të rriten shpenzimet nga buxheti shtetëror.

Një pikë e rëndësishme është edhe rekomandimi për rritjen e pensioneve bazë dhe jo vetëm të pensioneve kontribut-pagues, sepse me këtë do të përmirësoheshin kushtet e jetës të personave të moshuar që varen nga ky pension, në veçanti gratë.

Departamentit të Punës dhe Punësimit i rekomandohet që të jetë më aktiv në terren dhe përmes organizatave të grave dhe medieve të rris numrin e grave të regjistruara në zyrat e punësimit, pavarësisht nga përkatësia etnike, me çka do të rriten përfituesit e ndihmave sociale nga radhët e gjinisë femërore.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button