Inva Mula – ilaç qetësues për banorët e helmuar

Sopranoja shqiptare me famë botërore, Inva Mula, dhe orkestra simfonike nga Tirana, “Ibrahim Madhi”, i dhuruan publikut tetovar një mbrëmje të këndshme, një shfaqje artistike përplot ndjeshmëri kombëtare, një koncert, hijeshinë e të cilit e plotësuan edhe paraqitjet dinjitoze të dirigjentëve Suzana Turku dhe Isak Shehu, që u kujdesën në mënyrën më të mirë të mundur për t’na sjellë sa më me besnikëri veprat e artistëve të njohur shqiptarë, si: Pjetër Gaci, Thoma Gaqi, Femi Ibrahimi, Avni Mula etj.

Në këtë mbrëmje nëntori këndua për atdheun, për kombin, për alfabetin, për natyrën e bukur shqiptare, për luginën e Drinit, për valët e detit, për agimet shqiptare, për Kosovën, u kënduan jaret shkodrane, u këndua për virtytet e gruas shqiptare, u këndua me respekt dhe dashuri, me krenari dhe përzemërsi, sepse e tillë është vet “kryefjala” e muzikës operistike shqiptare, Inva Mula, e cila tashmë posedon një karrierë të konsoliduar dhe një biografi të verifikuar. Kjo ikonë e këndimit të mirëfilltë, e stilit belkanto, kjo poete e tingujve muzikorë që me ekspresion të njëjtë di ta reflektojë edhe emocionin dramatik edhe atë lirik, edhe emocionin sipërfaqësor edhe atë thelbësor, paraqet autoritet të lartë dhe të merituar në muzikën operistike, sepse majën e suksesit e ka arritur me shumë punë, me shumë përkushtim, me shumë sakrifica. Inva Mula i ka përballuar me sukses të gjitha fatkeqësitë e jetës: atë të sistemit diktatorial, të tranzicionit, të etheve politike që pashmangshëm kanë ndikuar në artin shqiptar, pastaj fatkeqësinë e divorcit dhe shumë të tjera, duke arritur të bëhet hero. Pra, të gjitha i ka arritur falë përkushtimit, seriozitetit, dinamikës krijuese, intensitetit të vrullshëm interpretues dhe falë përqendrimit të jashtëzakonshëm shpirtëror.

Inva Mula
Inva Mula

Kjo artiste që ka përshkuar shtëpitë më të njohura operistike të planetit, kjo “divë“ që i ka detyruar t’i përulen edhe elitat më të mëdha të qytetërimit botëror, ky yll i ndritshëm, ky zë i mrekullueshëm që i ka provokuar opinionet dhe kritikat më prestigjioze të botës, ka ardhur në “qytetin e helmuar” jo vetëm për t’na nderuar, por edhe për ta ndier sinqeritetin, ngrohtësinë dhe bujarinë e publikut tetovar.

Derisa po e dëgjoja këtë zë engjëllor, evokoja për ca biseda me ca pedagogë të mi që kishin qenë edhe pedagogë të saj. Ata tregonin se Inva nuk kishte qenë më e mira në klasë, as më e talentuara në kor dhe as më muzikalja në skenën shqiptare, por se Inva e kishte pasur rastin që asaj t’i sinkronizohen në mënyrë shumë të përpiktë: ambiciet, dëshirat, puna, serioziteti, talenti dhe fati. Një dirigjent, profesor i vjetër në Universitetin e Arteve, fliste për një takim me Invën në Paris, ku ishte bindur për vendosmërinë dhe përkushtimin e saj në përcaktimin jetësor. “Derisa po bëheshin prova në njërën nga operat e Parisit, Inva në dorën e majtë mbante djalin e saj të vogël, ndërsa në të djathtën – partiturat”, tregonte profesori i nderuar. Pra, këtë e bëjnë vetëm njerëzit e vendosur, njerëzit që i kanë përcaktuar qartë koordinatat e karrierës së tyre jetësore. E tillë është Inva Mula që sonte ishte pjesë e festës sonë, ishte kënaqësia jonë. Inva Mula arriti që këtë ditë nëntori të bëhet ilaçi më i mirë qetësues për banorët e helmuar të Pollogut…

Për fund, uroj që shfaqja e këtij fundnëntori të jetë mbi të gjitha një shembull, një nxitje e fuqishme për të gjithë ata që dëshirojnë të lëvizin koordinatave të njëjta të suksesit dhe të arritjeve të rëndësishme në botën e artit.

Bekim Ramadani  

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button