Përfundon takimi maratonik i Opozitës, Haradinaj: Opozita e Bashkuar- marrëveshjet nuk kalojnë!

Pas mbledhjes së opozitës, liderët e partive kanë dalë në një konferencë të përbashkët.

I pari që i është drejtuar mediave, ka qenë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj. “Dje në Prishtinë kanë ndodhur ngjarje jo të mira. Është sulmuar selia e një partie. Çdokush që pajtohet me atë veprim e ka gabim, sepse shteti po kthehet në një shtet policor”, ka deklaruar Haradinaj.

“Dje në manifestim ishin dhjetëra mijëra qytetarë, të cilët kishin një porosi – marrëveshjet nuk kalojnë. Qeveria, për hakmarrje dhe për faktin se demarkaconi dhe asociacioni kanë vdekur, ka sulmuar selinë e një partie”, ka shtuar ai.

Pas Haradinajt, ka folur edhe Visar Ymeri, kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Vlerësimi ynë i përbashkët është se marrëveshjet tashmë janë të anuluara – janë anuluar nga qytetarët e Kosovës”, deklaroi Ymeri.

“Si të anuluara, ato janë një fitore e madhe për Republikën e Kosovës”, shtoi ai, transmeton lajmi.net.

“Shfrytëzoj rastin që të falënderoj qytetarët të cilët me mbështetje fizike i dhanë fitoren Republikës së Kosovës, fitoren e rrëzimit të këtyre marrëveshjeve”, deklaroi Fatmir Limaj, lider i Nismës.

“Pushteti nga dje e shfrenoi veten duke e kthyer veten në një shtet policor, duke shtypur opozitarët, burra, gra, djem e vajza të cilët mendojnë ndryshe”, shtoi Limaj.

Në fund, liderët e partive opozitare deklaruan se nesër do të dalin me komunikatë për ngjarjet e fundit, kurse nuk pranuan pyetje nga gazetarët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button