Akuza e Putinit: Ja kush e financon ISIS-in

Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë samitit dyditor të G20-s që po mbahet në Antalia të Turqisë, ka bërë të ditur se ka ndarë disa të dhëna të shërbimeve sekrete mbi financimin e Shtetit Islamik me homologët e tij të 20 vendeve më të industrializuara të botës.

Dhe ajo që rezulton nga këto të dhëna është se, terroristët duket se janë duke u financuar nga 40 vende gjithsej, përfshi edhe disa shtete anëtare të G20-s.

Gjatë samitit, “kam ofruar shembuj bazuar mbi të dhënat tona mbi financimin e njësive të ndryshme të Shtetit Islamik nga individë të ndryshëm privatë. Këto parà, nga çfarë nga rezulton neve, vijnë nga 40 vende dhe, mes tyre ka edhe disa prej anëtarëve të G20-s”, ka thënë Putin për gazetarët, siç bën të ditur “RT”.

Putin ka bërë një thirrje për ndalimin urgjent të tregtisë së jashtëligjshme të naftës nga Shtetit Islamik, duke bllokuar në këtë mënyrë një burim të konsiderueshëm të ardhurash nga kjo kontrabandë.

“U kam treguar kolegëve të mi foto të marra nga hapësira dhe nga avionë, të cilat tregojnë qartësisht shkallën e tregtisë së paligjshme të naftës dhe nënprodukteve të tjera të saj”, tha kreu i Kremlinit. “Autokolona e mjeteve të transportit të karburantit shkon deri në disa dhjetëra kilometra, mjaftueshëm sa për t’u parë edhe nga një lartësi prej 4 apo 5 km”, shtoi Putin, duke e krahasuar autokolonën në fjalë me sistemet e ngritura prej vendeve të zhvilluara të transportit të naftës dhe gazit natyror.

Nuk është momenti i duhur për të përcaktuar se cili vend është më shumë apo më pak efektiv në betejën kundër Shtetit Islamik, pasi tashmë është më shumë se kurrë e nevojshme një unitet ndërkombëtar kundër këtij grupi terrorist, ka thënë më tej Putin.

Udhëheqësi rus ka përsëritur edhe njëherë gatishmërinë e Moskës për të mbështetur opozitën e armatosur në Siri, në përpjekjet e tyre për të luftuar Shtetin Islamik.

“Disa grupe të armatosura opozitare le ta konsiderojnë të mundshme nisjen e operacioneve aktive kundër xhihadistëve të Shtetit Islamik me mbështetjen e Rusisë. Ne jemi gati të ofrojmë një ndihmë të tillë, qoftë edhe nga ajri. Nëse kjo do të ndodhë, do të përbënte një bazë të mirë për punën pasuese mbi një zgjidhje politike në Siri”, tha Putin. “Ne kemi me të vërtetë nevojë për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara, kombet e Bashkimit Europian, Arabia Saudite, Turqia dhe Irani”, tha në fund Putin, Top Channel.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button