A kanë udhëtuar sulmuesit në Paris bashkë me emigrantët përmes Ballkanit?

Përderisa media të caktuara njoftojnë se bëhet fjalë për dokument të falsifikuar, nga Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë thonë se pasaporta i takon Ahmed Almohamedit, i cili para një muaji ka qenë i regjistruar në qendrën e refugjatëve në Preshevë. Më parë, ai si refugjat ka hyrë në ishullin grek Leros. Informatën se personi, pasaporta e të cilit është gjetur në vendin ku ka ndodhur njëri prej sulmeve në Paris, dhe se e ka kaluar gjithë linjën ballkanike, e publikoi “Blici” i Beogradit, transmeton televizioni 21.

Duke publikuar një kopje të pasaportës së Ahmed Almohamedit, gazeta pohon se në bazë të këtij dokumenti, shërbimet franceze kanë kërkuar ndihmën e kolegëve të tyre në Serbi, ngase e dinë se këto mbajnë evidencë dhe i regjistrojnë të gjithë emigrantët që hyjnë në territorin e këtij vendi dhe se kanë bazë më të kompletuar të të dhënave për refugjatët, që lëvizin nëpër rrugën ballkanike.

Shërbime greke publikuan se ky person ka hyrë në territorin grek më 3 tetor, ndërsa sipas informatave të “Blicit”, ai në Serbi ka hyrë më 7 tetor, nëpërmjet Maqedonisë. Ahmed Almohamedi, pasaporta e të cilit u gjet në trupin e njërit prej sulmuesve, në Preshevë ka kërkuar azil, por këtu nuk ka qëndruar gjatë. Pasi e lëshon Serbinë, nëpërmjet Kroacisë ka hyrë në Austri.

Sipas pohimeve të mediave kroate, e njëjta pasaportë është regjistruar në Opatovac. “Jutarnji list” shkruan se, po qe se pasaporta nuk është falsifikat, atëherë, ky person e paska kaluar të gjithë rrugën ballkanike, si çdo emigrant tjetër.

Përndryshe, në disa sulme që ndodhën të premten në Paris, humbën jetën të paktën 129 persona, ndërsa 352 të tjerë  janë lënduar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button