Letër shefit

Gjithmonë më ka penguar shkuarja çdo ditë në punë.

Nëse do të detyrohesha do të ndjehesha e ngulfatur, pavarësisht rrogës. Cilat para të kësaj bote, mendoja, janë të denja për ta shitur lirinë!? nëse e dijmë se liria nuk blehet, as falet, por pushtohet.

Ose, si në mësimet e historisë – liria çmim nuk ka.

Nisur nga këto, shpresoja se edhe gjatë kohë nuk do të punësohem.

Në fakt isha pa rrogë, e jo pa punë. Por pasi parat nuk sjellin lumturi, periudhën kur qesh zot i kohës sime e mbaj mend për të mirë.

Merresha vetëm me gjërat që i kam qejf.

Shkruaja, lexoja, shetisja, kur kisha mundësi – udhëtoja.

Kohë e bukur, pa limite, me djalin, familjen, miqtë…asgjë më tepër se kjo nuk më duhet, mendoja.

Dhe tamam u mësova të jetoja me lirinë, të koordinoja paret dhe dëshirat, erdhi oferta për punë.

Fillimisht nuk e mora me gjithë mend.

Por, gjithmonë ka një Por!

Ende pa u pajtuar unë, prindërit u lumturuan që “si gjithë dynjaja” do të shkoja në punë, do të isha “në listat e rrogës”. Ky ishte halli i parë…Si ti zhgënjeja ata që nuk e meritojnë këtë!? Nga ana tjetër, nuk më ndryshohej asgjë në jetë.

“Take it easy”, përsërisja në vete duke ngjitur shkallët që m’u duk i ftohtë si ai mëngjes janari…”mos u mërzit, askush me zor nuk të merr në punë”.

Me këto “mantra” hyra tek dy drejtorët.

Me njërin prej tyre jemi rritur bashkë (përshkruar tek “Letër Melos”).

Tjetrin e njihja vetëm përmes punës së tij, por nga fjalitë hyrëse ndjeva sikur kam një mik përballë.

Fliste për misionin në profesion; kështu na ligjëronin profesorët në një kohë më ndryshe nga e sotmja.

Ai vazhdonte të fliste për vlerat, në një mënyrë që mund të quhet jopretencioze, kjo më la mbresa.

Ashtu si edhe fytyra e tij.

Vitet na mësojnë se njeriu, kryesisht për një afat të shkurtër, mund të aktrojë shumëçka, por Nuri nuk aktrohet as për shkurt as për gjatë…

Pyeste ai, përgjigjesha unë, dhe për një çast ia shikova duart, gjithmonë i vërej duart. I kishte të kultivuara, për kuptimet e mia.

Takimi zgjati sa zgjati, me mjaft humor ndërmjet rrjeshtave.

Edhe kjo flet shumë, më shumë se fjalët.

…i zbrita shkallët, gjysma e barrës së para një ore ishte davaritur.

Gjysma tjetër m’u hoq rrugës dhe ende pa arritur në shtëpi, vendosa të punësohem.

Në fakt, të tëra vendimet e rëndësishme të befta i kam pasur, interesant.

…tash mund të them që gjeta punë ku nisem me qejf si në kafeteri.

Prindërit vazhdojnë t’më shikojnë me habi se si shkoj çdo ditë në zyrë anise nuk e kam patjetër. Edhe vetë po aq e habitur jamJ

Këtu dhe në kësi kohërash të ndërtosh kolektiv në të cilin me dhjetëra të punësuar ndihen si në shtëpi të vet, është pothuajse sience fiction.

Në një vend të ngrohtë ku njerëzit krijojnë, ndihmohen dhe qeshen me zë të lartë, më së paku shkohet për rrogë.

Jeta me kohë na mëson se vetëm njerëzit e butë, me nur u paraprijnë punëve të hajrit.

Ngase ata besojnë në mrekullira, çkado që të nënkuptojmë me atë fjalë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button