Ademi: Themelojmë edhe dy fakultete të reja, rritet buxheti për USHT-në

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi sot ka marr pjesë në hapjen solemne të Konferencës shkencore “Universalizmi, globalizimi dhe shteti i së drejtës” që u mbajt në Universitetin Shtetëror të Tetovës.

Ademi tha se buxheti i USHT-së për vitin e ardhshëm do të rritet dhe se me buxhetin për vitin 2016 USHT do të jetë institucioni i dytë më me shumë buxhet në Maqedoni.

“Buxheti i MASH, për vitin 2016, do të shënojë një rritje për 809 milion denarë (ose 13 milion e 200 mijë Euro). Rritja është në pozicionin për rroga, projekte infrastrukturore, pagesat për laboratorë, tekste shkollore, Akademia për sport, Akademia për mësues dhe pozicione tjera. Kjo rritje e buxhetit të MASH reflektohet edhe në Buxhetin e USHT-së (që sigurohet nga MASH), për vitin 2016, ku shënohet një ngritje prej 1.707.602 euro, krahasuar me atë të vitit 2015.  Shprehur në përqindje, Buxheti i USHT-së, për vitin 2016, do të shënojë  rritje prej 32 %, në krahasim me buxhetin e vitit 2015. USHT, në vitin 2016, do të jetë Univerisiteti i dytë që do të menaxhoj me buxhet më të lartë, menjëherë pas Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup.
Në vitin 2015, USHT ishte e radhitur në vendin e katërt për nga thithja e buxhetit dedikuar për arsimin e lartë, për funksionimin dhe realizimin e veprimtarisë arsimore – shkencore (pas Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup, Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” në Manastir dhe Universitetit “Goce Dellçev” në Shtip). Në sferën e investimeve kapitale, investimet për USHT, për vitin 2016 shënojnë një ngritje prej 815.661 euro, që në krahasim me investimet në vitin 2015, shënon një rritje prej 100%. Pra, USHT është Universiteti i vetëm publik në Republikën e Maqedonisë ku mund të vërehet një ngritje të financave në programin buxhetor dedikuar për investime kapitale”, theksoi Ademi.

Ai paralajmëroi edhe themelimin e dy fakulteteve në kuadër të këtij universiteti- Fakultetin pedagogjik dhe fakultetin e bujqësisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button