Avionët e rrëzuar, rusët i kap paniku

Shumë pak ditë pas rrëzimit të një “Airbusi” rus në shkretëtirën e Sinait, në Egjipt, me ç’rast jetën e kanë humbur 224 persona (pothuajse të gjithë turistë rusë me përjashtim të tre ukrainasve), një avion prodhim sovjetik, i vjetër nja dyzet vjet, është rrëzuar të mërkurën afër Jubas, kryeqytetit të Sudanit Jugor, shkruan gazeta Zëri.

Sipas të dhënave më të fundit, në këtë aksident e kanë humbur jetën 36 pasagjerë dhe 18 anëtarë të ekuipazhit të regjistruar në dokumentet e fluturimit (prej tyre pesë armenë dhe një rus).

Rrëzimi i këtij avioni transportues pak minuta pas shkëputjes nga pista i shtohet historisë së fundme tragjike të aviacionit rus, e përshkuar me njëzet aksidente dhe vdekjen e më shumë se 1.330 personave gjatë njëzet vjetëve të fundit.

Këto dy aksidentet e fundit, që kanë ndodhur njëri më 31 tetor e tjetri më 4 nëntor, kanë shkaktuar panik te qytetarët rusë, të cilët për këtë flasin sidomos në rrjetet sociale.

“Edhe ashtu udhëtimi me avion më tmerronte”, thoshte një e re në “Twitter”.

“Avionët tanë po bëhen arkivole fluturues”, thekson ndërkaq Daniil Sobolev në një postim në “Vkontakte”, një rrjet social tejet i popullarizuar në Rusi.

ISIS-i feston, shpërndan bonbone

Ndërkohë që ende nuk dihen saktësisht shkaqet e aksidentit ajror të së shtunës së kaluar, përditë e më shumë po forcohet hipoteza se “Airbus A321” i kompanisë ruse “Metrojet”, që u rrëzua në Egjipt, ishte viktimë e një bombe që thuhet të ketë shpërthyer teksa avioni ishte në fluturim e sipër.

Kështu beson të paktën edhe SHBA-ja. Presidenti amerikan, Barack Obama, sikur edhe kryeministri britanik, David Cameron, ka thënë se ekziston mundësia që të ketë pasur një bombë në bord.

“Ne këtë mundësi po e marrim shumë seriozisht”, ka deklaruar shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Se kush mund ta ketë futur këtë bombë në bordin e avionit ende nuk dihet, mirëpo disa specialistë nuk e përjashtojnë mundësinë që këtë ta kenë bërë luftëtarët e grupit “Shteti Islam” (ISIS), të cilët edhe e kanë marrë përgjegjësinë për rrëzimin e tij.

Ndonëse edhe kjo mundësi është e vështirë të konfirmohet, ajo që është e çuditshme dhe që forcon dyshimin se grupi xhihadist vërtet është autor është një video-incizim i publikuar nga portale të afërta me “ISIS”-in, në të cilin shihen luftëtarë të grupit duke e festuar rrëzimin e avionit shumë pak kohë pas aksidentit.

Në këtë video shihen luftëtarë të ISIS-it duke u shpërndarë bonbone një grupi burrash, pastaj disa fëmijëve, si dhe disa shoferëve të hasur në rrugë. Po ashtu, aty është publikuar edhe komunikata përmes së cilës grupi e merr përgjegjësinë.

Në fund të saj, shihet një xhihadist që flet rusisht dhe i cili Vladimir Putinin e quan “derr”.

80.000 turistë rusë të bllokuar në Egjipt

Ndërkohë, rreth 80.000 turistë rusë kanë mbetur të bllokuar në Egjipt për shkak të pezullimit të fluturimeve drejt këtij vendi pas rrëzimit të avionit në Sinai.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar të premten pezullimin e fluturimeve ndërmjet Rusisë dhe Egjiptit derisa të përcaktohet shkaku i aksidentit të së shtunës së shkuar.

“Aktualisht, numri i turistëve në Egjipt është verifikuar dhe është rreth 80.000”, ka deklaruar të shtunën zëvendëskryeministri rus, Arkadi Dvorkovich.

Ndërsa, po dje, Moska ka nisur 44 avionë të zbrazët për të marrë turistët rusë. Sipas agjencisë federale e ngarkuar me transportin ajror (Rosaviatsia), “30 avionë të kompanive ajrore ruse do të dërgohen në Hurghada dhe 14 të tjerë në Sharm el-Sheikh, dy qytetet bregdetare buzë Detit të Kuq”

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button