Pa titull

Është e vështirë t’i vësh titullin një shkrimi në të cilin mëton të trajtosh çështje a probleme të cilave nuk mund t’ua gjesh as fillimin e as fundin. Dhe kjo ndodh vetëm te ne, këtu në Maqedoni, përkatësisht në Tetovë, ku qytetarët ndeshen me probleme pa fund, andaj është e vështirë të vendosësh nga t’ia nisësh. Sidoqoftë, do mundohem t’i radhis disi, sa për të konstatuar edhe njëherë tjetër (pas shumë përpjekjesh deri më tash) se në ç’gjendje të mjerë ndodhemi dhe cili do të ishte fundi ynë sipas kësaj.

Problemi i parë që më bie ndërmend, mbase edhe duhet të jetë kështu, është ndotja (e ajrit). Një sërë shkaktarësh janë në pyetje në këtë rast. Padyshim që vendin e parë e zë fabrika famëkeqe e Jugohrom-it, e cila tashmë është verifikuar si ndotësi më i madh i ajrit në këtë rajon. Për fotografi besoj që s’ka nevojë sepse keni parë mjaft të tilla, e fundit duke qenë ajo nga lartësia, nga aeroplani, e bërë nga ndonjë udhëtar po aq i shqetësuar për shëndetin e qytetarëve të këtij vendi sa edhe shumë të tjerë, por që nuk arrijnë assesi të ngrenë zërin mjaftueshëm sa për të hequr qafe këtë zullum mbi zullumet. Por, çështja e ndotjes së ajrit nuk përfundon këtu; përkundrazi, është veç fillimi. E kemi ndjerë, parë e nuhatur se në orët e mbrëmjes (dhe gjatë natës) ajri në Tetovë merr erë tjetër, të neveritshme, të padurueshme, të pistë sepse në periferinë e këtij qyteti (afër hekurudhës), fillon ndezja (e qëllimshme) e mbeturinave në deponinë e egër, meqë autoritetet komunale me vite nuk kanë qenë në gjendje t’ia gjejnë zgjidhjen këtij problemi madhor, bile as që e çajnë kokën për këtë, paçka se sëmundjet respiratore në rajonin e Pollogut janë bërë të zakonshme. Arsyeja e radhës (lidhur me ndotjen a ajrit) ka të bëjë me qarkullimin e pakontrolluar të automjeteve, shumica e të cilave nuk plotësojnë as standardet minimale lidhur me emetimin e gazrave helmues, duke qenë se edhe stacionet për kontrollimin teknik të automjeteve nuk e bëjnë punën për të cilën edhe ekzistojnë si të tilla. E fundit në këtë radhë, megjithëse jo më pak e rëndësishme, është edhe mirëmbajtja e pastërtisë dhe rendit në qytet, e që të bën të qash e të vajtosh deri në alivanosje, duke qenë se vetëm disa rrugë a bulevarde kryesore përreth qendrës së qytetit mirëmbahen disi. Porsa të largoheni pak më tej, do të shihni një fytyrë tjetër fare të qytetit, me rrugë plot mbeturina, pluhur, trotuare të shndërruara në parkingje veturash, kontejnerë të vjetruar që kundërmojnë gjithandej, gropa, gropa, gropa… . Natyrisht që për këtë fajin e kanë edhe një pjesë e qytetarëve “të paqytetëruar” të cilët hedhin mbeturinat kudo, në rrugë, në trotuar, në lumë, jashtë kontejnerëve (por assesi brenda tyre), etj.

Vazhdojmë më tej… Tetova s’ka ujë (ani se ne e paguajmë atë), duke qëndruar mbi burime të ujit, dhe për disa mandate rresht tetovarët gënjehen se një ditë (askush nuk e thotë se kur mund të jetë ajo) ata do ta kenë ujin e shumë-premtuar në shtëpitë e tyre, ndoshta në mijëvjeçarin e tretë tanimë, atëherë kur ne po edhe gjenerata të tëra pas nesh nuk do të mund t’i gëzohemi kësaj zemërgjerësie dhe mirësie nga ndonjë udhëheqës i joni i ardhshëm, sepse kjo nuk mund të konsiderohet ndryshe vetëm se si vullnet i mirë i ndonjë udhëheqësi “shpëtimtar”, i cili më në fund do të vendosë që të na e “dhurojë” ujin duke kërkuar që për hir të kësaj t’i besohen edhe shumë e shumë mandate tjera vijuese… deri sa të ketë jetë e shëndet.

Tjetër problem janë shkollat të cilat nuk i plotësojnë as kushtet elementare për mbarëvajtjen e procesit edukativ-arsimor (nëse mund ta quajmë të tillë tanimë). Gjithçka që ndodhet brenda hapësirave të shkollave tona daton që nga koha e “e egër” e “Shokut Tito” përfshirë bankat, karriget, dërrasat (e zeza a të gjelbra), tualetet, korridoret, dritat, dyert, dritaret, oborret, të cilat tanimë janë amortizuar e shkatërruar deri në atë masë saqë të duket vetja sikur me qenë në ndonjë shkollë të improvizuar në Afrikë. Mirëpo, pyetja që shtrohet këtu është: Çka do të bënim sikur të mos ishin as këto? Dhe tani, mu në këto shkolla dikush planifikon të bëjë “reforma”…!!! Paramendoni. Edhe atë, çfarë reformash? Reforma me libra falas për nxënësit, nga të cilët të gërditet trupi e shpirti veç duke i parë, jo më t’i shfletosh, dhe kjo për shumë arsye, duke nisur nga vetë gjendja fizike e tyre e duke përfunduar me përmbajtjet kryekëput fyese, nënçmuese, denigruese, përbuzëse të gjithçkaje që është shqiptare (të mos përmend gabimet gjuhësore, shkencore, redaktuese, të përkthimit, etj.). Në këto “vatra të dijes” tentohet të bëhen reforma duke dënuar e ndëshkuar mësimdhënës me përvojë disavjeçare, vetëm pse në testimin ekstern përplot me gabime (nga më të ndryshmet) nota e ndonjë nxënësi nuk paska dalë identike me atë të cilën e ka shënuar mësimdhënësi (i cili për nëntë muaj rresht tenton t’u ofrojë dije dhe i mbikëqyr rregullisht ata, dhe tani për një ditë të vetme, në një orë të vetme, duheshka që rezultati nga testimi ekstern i njohurive të nxënësve të jetë identik me atë të akumuluar me ditë, javë e muaj gjatë vitit shkollor) – çfarë absurdi, çfarë motivimi për mësuesit po edhe çfarë shtytje për nxënësit, nota mesatare e të cilëve në fund të vitit duhet të varet nga debilizmi, injoranca dhe rezillëku i përpiluesve/përkthyesve të pyetjeve të këtij farë testimi. E keqja nuk merr fund me kaq. Matura shtetërore është dështimi i radhës. Në ditën e testimit “maturantët” pajisen me teknologjitë më të fundit për të qenë të gatshëm të kopjojnë, dëgjojnë dhe lexojnë atë që të tjerët ua transmetojnë përmes burimeve të ndryshme nga jashtë, por assesi atë që është dashur ta nxënë gjatë katër viteve të shkollimit të tyre të mesëm. Si rezultat, ata ose marrin nota që janë shumë më të larta se sa suksesi mesatar i tyre, ose barazohen me suksesin mesatar (jo të vërtetë) që për arsye të ndryshme kanë arritur ta akumulojnë gjatë shkollimit (natyrisht jo në baza meritokracie, d.m.th. diturie, pune, angazhimi, etj.). Me këto nota ata më pas konkurrojnë në institucione të arsimit të lartë, d.m.th. universitete duke lënë përshtypjen e nxënësve të shkëlqyeshëm (ndërsa janë analfabetë) (këtu përjashtoj një klasë të caktuar nxënësish me të cilët vërtet ta ka ënda të punosh – fatkeqësisht shumë të paktë në numër).

Vazhdojmë më tej… gjendje e mjerueshme mbisundon edhe në spitalet tona, edhe ato, të gjitha të ndërtuara në kohën “e tmerrshme” të komunizmit dhe të amortizuara tanimë. As edhe një gozhdë e vetme nuk është ngulur në drejtim të përmirësimit të kushteve të përgjithshme fizike në spitale ku çdo ditë qindra e mijëra njerëz kërkojnë ndihmë për nevojat e tyre shëndetësore. Kur t’i shtoni kësaj edhe anomalitë tjera si korrupsionin, paditurinë e pakujdesinë, sjelljen arrogante, mungesën e ilaçeve dhe trajtimin absurd që iu bëhet pacientëve, atëherë fotografia kompletohet tërësisht. Ku mbet “Betimi i Hipokratit”? Apo është shndërruar në betim të HIPOKRITIT?

Lista vazhdon me projektin Shkupi 2014 ku miliona euro të qytetarëve shqiptarë, taksapagues të rregullt të këtij shteti u investuan për të krijuar historinë e rrejshme të këtij populli e vendi, me Enciklopedinë famëkeqe, me zonat e lira ekonomike që u bënë realitet vetëm në pjesët e banuara me popullatë maqedonase, me mos-zyrtarizimin e gjuhës shqipe, me mungesën e investimeve kapitale infrastrukturore në zonat e banuara me shqiptarë, me burgosjen e qytetarëve të pafajshëm shqiptarë në emër të luftës kundër krimit të organizuar dhe fundamentalizmit islamik, me afera korruptive miliona eurosh, me partizim të administratës shtetërore, me kërcënime, shantazhe, blerje votash, amoralitet, keqpërdorim pozitash zyrtare, keqpërdorim fondesh publike, sharje, fyerje, ofendime, me zullum dhe vetëm zullum.

Dhe pas gjithë kësaj, ne duhet të rrimë të heshtur. Duhet të buzëqeshim dhe të themi se gjithçka po shkon mirë dhe se më mirë nuk ka qenë asnjëherë më parë. Pas gjithë kësaj, qytetarët e këtij vendi nuk kanë të drejtë të reagojnë, s’kanë të drejtë të shajnë, s’kanë të drejtë të kërkojnë edhe atë që u takon ose atë për të cilën paguajnë, s’kanë të drejtë të mendojnë ndryshe, s’kanë të drejtë të shprehin mendimin e tyre të lirë, s’kanë të drejtë të protestojnë. Qytetarëve të këtij vendi u është mohuar e drejta e shprehjes dhe mendimit të lirë, e drejta e pronës, e drejta e punës, e drejta e shkollimit, e drejta e shfrytëzimit të shërbimeve publike, e drejta e jetës…

Pak më në veri, në Kosovë, apo në perëndim, në Shqipëri, protestohet me të madhe, hidhet gaz lotsjellës në parlament, qeveritarët gjuhen me vezë, me ngjyrë, me ujë, me gurë… populli i pakënaqur PROTESTON duke shfrytëzuar të drejtën e protestës; nuk rrinë duarkryq, ani se nuk do të mund ndoshta të realizojnë atë për të cilën janë rebeluar, por prapëseprapë janë ngritur në këmbë dhe me këtë dëshmojnë se nuk pajtohen me gjithçka që u ofrohet, duke ua bërë me dije përfaqësuesve të tyre se ata janë ngritur me votat e tyre dhe po me votat e tyre do të bien, përgjithmonë… Populli, megjithatë e ka fjalën e fundit…

Stop zullumit, stop të keqes, stop djallit dhe atyre që i rrinë përreth…

Fitorja megjithatë i takon drejtësisë dhe të vërtetës; sado që ato të vonojnë, po nuk harrojnë!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button