Shkup, promovohen publikimet për standardet anti-diskriminuese të përkrahura nga OSBE

Sot në Shkup u promovuan dy publikime të përkrahura nga OSBE lidhur me standardet anti-diskriminuese, të hartuara për të ndihmuar në forcimin e kapaciteteve të gjyqësorit dhe shoqërisë civile.

Publikimi i parë “Praktikum mbi Ligjin për pengimin dhe mbrojtjen nga diskriminimi” përshkruan procedurën e ndjekur nga Komisioni për anti-diskriminim, si dhe ofron analizë krahasuese të modeleve të ndryshme evropiane. Publikimi i dytë “Aktvendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian është përmbledhje e praktikës gjyqësore ndërkombëtare lidhur me rastet e diskriminimit.

“Këto botime do të jenë një mjet i dobishëm për praktikuesit ligjorë në trajtimin e rasteve kundër diskriminimit duke respektuar legjislacionin vendor dhe standardet ndërkombëtare,” tha Shefja e Misionit të OSBE-së në Shkup, Nina Suomalainen.

Botimet, të përgatitura nga Misioni i OSBE-së në Shkup, Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve publik, si dhe nga Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi, do t’iu shpërndahen të gjithë praktikuesve ligjorë, të cilët janë aktivë në fushën e anti-diskriminimit.

Kryetari i Komisionit për mbrojtje nga diskriminimi Dushko Minovski tha: “Të dy botimet janë një mjet i jashtëzakonshëm sepse janë kodifikim i të gjitha akteve fillestare të përdorura në rastet e diskriminimit para Komisionit dhe gjykatave vendase në mënyrë që të sigurohet mbrojtje efikase nga diskriminimi.”

Drejtoresha e Akademisë për gjykatës dhe prokurorë publik, Aneta Arnaudovska, tha se Akademia vazhdon të inkorporojë praktikën gjyqësore si një nga elementet më të rëndësishme për trajnimin e të gjithë praktikuesve ligjorë.  “Ne besojmë se përveç jurisprudencës kombëtare, mbledhja e aktvendimeve që reflektojnë pikëpamjet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të Gjykatës së Drejtësisë të Bashkimit Evropian në drejtim të mbrojtjes nga diskriminimi, do të jetë një nga shtyllat mbi të cilat qëndron programi mësimor në këtë fushë në vitet e ardhshme.”

Misioni i OSBE-së në Shkup vazhdon të mbështesë ndërtimin e kapaciteteve të praktikuesve ligjorë në fushën e anti-diskriminimit nëpërmjet trajnimeve, seminareve dhe nëpërmjet zhvillimit të resurseve, së bashku me Akademinë për gjykatës dhe prokurorë publik dhe Shoqatën e Avokatëve.

Gjithsej 270 gjyqtarë dhe 130 avokatë janë trajnuar në periudhën ndërmjet vitit 2011-2015.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button