Letër menaxherit

Përshëndetje Albert!

Bash i mire ishte takimi i djeshëm.

Vetëm të sqarohem pak me një moment.

Kur u bëre gati të shkosh në atë konferencë ku me gjasë nuk të shkohej, të thash, apo, “mos shko hiç” dhe isha serioze; bile të premtova që në email do të sqarohem lidhur me këtë.

…ishte një nga filmat më të popullarizuar të Kohës sime.

Dalin në piknik Vivieni dhe Riçardi, biznismen “vorkoholik“.

Ajo e bind se s’bëhet hataja nëse asaj dite nuk shkon në zyrë.

Ai e shikon me hamendje, por pas pak i lajmërohet sekretareshës se nuk shkon në punë.

Kuadri i ardhshëm: sekretaresha e tij e habitur shumë.

Kuadri tjetër: të dytë me shportën e piknikut, happy.

Nuk bëhet hata në zyrën e Riçardit, e zëvendëson dikush, etj.

Kështu Albert…

Tash të rezimoj idetë programore:

  1. Fuqizim ekonomik i çajtoreve. Çajtoret e Çarshisë janë vende unikale, si për nga shërbimi, çmimet si për popull, muzika e mirë; myshterinjtë e shumicës prej tyre nënkuptojnë edhe femra, të rinj, krijues, mjaft turistë. (Digresion: në Stamboll kam parë lokale që subvencionohen nga komuna që populli të mundet për pak pare të kënaqet me daljet në kafene, socializimet, pamjet e bukura kah Bosfori, etj). Fjalën e kam, çajtoret me çaj 10 denarë dhe super kafe 30 denarë e kanë të vështirësuar mbijetesën, prandaj mbështetja konkrete financiare është super edhe për pronarët edhe për klientelën qe të mund të bëhen riparime të nevojshme, furnizime, intervenime në enterier në frymën autentike të ambientit.
  1. Estetizim i vitrinave të një rruge të Çarshisë si pilot-projekt, mandej mund të vazhdohet me rrugët tjera. JO ashtu si e parashihte qyteti i Shkupit apo Ministria – uniformim i vitrinave, por angazhim ekipor i dizajnerëve të mirë, si dhe hartim i planit për secilin dyqan veç e veç, gjithmonë duke ruajtur specifikat e arkitekturës së vjetër!
  1. Furnizim gratis i lokaleve të kësaj pjese të qytetit: çajtore, qebaptore, burektore, ëmbëltore dhe kafene…me shtypin ditor dhe periodik në shqip e maqedonisht, vendosur në kënd të veçantë.

Kjo direkt ndikon në kulturën e të lexuarit të popullatës që lexon gjithnjë e më pak ose rrezatohen nga ekranet moderne, bile dhe rrezikshëm në kuptimin bukval të shëndetit fizik. Në shpërndarjen gratis të shtypit mund të përfshihen edhe taksi-kompanitë shqiptare; në “xhep special” tek ulësja e pasme e veturave vendosen gazetat ditore dhe revistat. “Kështu bëhet në Gjermani“ më ka thënë një shok taksist që ka punuar atje.

  1. Në Beograd në kuadër të Qendrës studentore kam parë dyqan bukur të dizajnuar ku shesin lloj-lloj prodhimesh si Suvenire Made in Belgrade. Në punëtorinë kreative janë angazhuar dizajnerë të rinj dhe secili bën nga një paletë artikujsh: kuleta, çanta, përparëse për amvisëri, fletore formatesh të ndryshme, filxhane, enë tjera… Secili prodhim ka nje llogo specifike që ta kujton qytetin: Kalemegdani, lumenjtë, Skadarlia, Knjez Mihailova…Shumë cool.

Këto janë projekte me buxhete të vogla dhe benefit të madh, sipas meje.

Në projektet me buxhete të mëdha dhe me pak ose aspak “bona fide” nuk më merret pjesë.

As nuk kënaqem, as nuk ia shoh hajrin honorarit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button