Thaçi dhe Suomalainen, diskutojnë rreth situatës politike në vend

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi sot në zyrat e OSBE-së në Shkup realizoi takim me shefen e Misionit të OSBE-së në vend, Ambasadoren, Nina Suomalainen.
Në takim është biseduar për situatën politike në vend, për rrjedhën e zbatimit të Marrëveshjes së 2 qershorit/15 korrikut, si dhe për rrjedhën bisedave në kuadër të grupeve të punës, që lehtësohen nga SHBA dhe BE.

“Në takim duke folur për marrëveshjen e 2 Qershorit/15 korrikut dhe zbatimin e saj, Kryetari Thaçi vlerësoi se kjo marrëveshje nuk do të ketë asnjë vlerë pa eliminimin e mundësisë së manipulimeve, vjedhje edhe falsifikimit të zgjedhjeve, andaj në këtë drejtim kërkoi përkrahjen e faktorit ndërkombëtarë për reforma në kodin zgjedhor, si dhe krijimin e mekanizmave me të cilat do të garantohen zgjedhje të lira dhe demokratike. Kryetari Thaçi theksoi se prioriteti i PDSH-së në tërë këtë proces është organizimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, me të vetmin qëllim eliminimin e parregullsive të deritanishme siç janë vjedhja e votave dhe falsifikimi i rezultateve”, thuhet në njoftimin e PDSH-së.

Nga ana tjetër thuhet në kumtesë se ambasadorja Suomalainen ka theksuar rolin konstruktiv të PDSH-së dhe kontributin e saj në këtë proces, duke shpresuar se zbatimi i të gjitha pikave të Marrëveshjes do të përfundojë shumë shpejt, pasi që përgatitjet lidhur me zgjedhjet kërkojnë kohë të konsiderueshme.

Lajme të ngjashme

Back to top button