Yryshi për pushtet, se edhe pak ka mbetur shtet !

 

Nuk do të merrem me komentimin e asaj çfarë ndodhi në seancën e fundit të kuvendit, nuk do të merrem as me vezët dhe as me deklaratat tashmë bajate të pozitës dhe opozitës, të shndërruara në retorikë torturuese për opinionin publik dhe gjithë qytetarëve të vendit.

Sikurse zanafilla e problemeve me të cilat po përballet vendi sot, që është e  mëhershme, edhe “Zajednica” është produkt i veprimeve të mëparshme destruktive në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Ashtu siç erdhi në pushtet ky koalicion jo parimor dhe aspak natyral përmes ngërçit (kapsllëkut) politik mbi pesë mujor, si duket do të përfundoj edhe më keq përmes bllokadës së institucionit më të lartë ligjvënës të Republikës së Kosovës nga ana e opozitës.

E filluar me Isa Mustafën bllokada e jetës institucionale pas zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit të kaluar përmes bllokut pas zgjedhor V-LAN,…odiseada e gjatë e rrënimit institucional, kushtetues dhe territorial të vendit tonë, siç po shihet ashtu edhe do të përfundoj me Isa Mustafën.

“Zajednica” është shkaku, ndërsa Isa Mustafa mbetët qëllimi i bllokut opozitar VAN, për përmbysjen e tij dhe marrjen e pushtetit me dhunë.

Shkaku që opozitës i mungon mbështetja qytetare për protesta në rrugë, ajo provokon veprime të dhunshme në parlament, si e vetmja rrugë e mbetur siç thonë ata në “parandalimin” e Zajednicës !

Ndarja fizike e veriut të vendit ka ndodhur menjëherë pas lufte me pozicionimin e forcave Ruso-Franceze mbi Urën e lumit Ibër, ndërsa Zajednica serbe lindi me marrëveshjen e 19 prillit 2013 në Bruksel e nënshkruar nga Hashim Thaçi,..e bërë punë e kryer me bekimin e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës me 27 qershor po të njëjtit vit.

Nënshkruesi i marrëveshjes së 25 gusht të vitit 2015, zoti Isa Mustafa vulosi ndarjen përfundimtare të shtetit në dysh mes; Republikës së Serbisë dhe Republikës së  Kosovës,…një ditë më pas të nënshkrimit edhe të marrëveshjes së Demarkacionit  të kufirit me Malin e Zi në Vjenë,…marrëveshje këto që shënojnë realizimin e objektivave serbo-malazeze, të ndihmuara nga bashkësia ndërkombëtare.

Tanimë pas marrëveshjeve politike të nënshkruara nga liderët e shantazhuar kosovar në Bruksel, shtrirja e sovranitetit të shtetit në pjesën veriore me mjete politike është e pamundur. “De facto” dhe “De jure”, veriu i vendit është ndarë nga Kosova.

Mbase ky do të jetë shkaku kryesor për mos reagim të bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e situatës bllokuese në kuvend.

Ngase ndërkombëtarëve më nuk ju duhen Hasha as Isa, pasi nga ta nxorën krejt atë çka kishin synim; Gjykatën Speciale, Asociacionin e komunave serbe, Demarkacionin dhe enklavizimin e Kosovës,…andaj tani pak peshë ka për ndërkombëtarët se kush do të vijë nesër në pushtet.

Do të mashtrohen keq të gjithë ata që mendojnë në investimin ndërkombëtar për shkatërrimin e bllokut VAN, ashtu siç patën vepruar me V-LAN-in në nëntorin e vitit të kaluar.

Si rezultat i odiseadës bllokuese, vendi është duke u zhytur në një krizë të thellë politike dhe institucionale me pasoja afatgjata.

Pavarësisht se a do të ndodhë “raportimi” i kryeministrit në kuvend apo jo, realiteti do të mbetët i pandryshuar. Nënshkruesit e marrëveshjeve të Brukselit (Hashim Thaçi e Isa Mustafa), nuk e kanë mundësinë e kthimit prapa!

Politika kosovare e udhëhequr nga Hashim Thaqi e Isa Mustafa, Kosovën e kanë futur në një rrugë “SENSO UNICO” (njëkahëshe), po ashtu kjo opozitë e çmendur pas pushteti, me veprimet e saja vetëm sa u kanë ndihmuar pushtetarëve aktual,,…marrëveshjet e Brukselit janë duke i përdorur si “alibi” për spektakle dhe skandale politke për rrëzimin e kësaj qeverie me dhunë,…duke mos llogaritur fare efektin final dhe pasojat politike për të ardhmen e vendit.

Pozita dhe opozita parlamentare në Kosovë një qëllim të përbashkët e kanë; mbajtjen, respektivisht marrjen e pushtetit për interesa personale, për zhvatjen e pasurive të mbetura shoqërore, publike dhe shtetërore.

Me ketë rast, të gjitha palëve të implikuara në luftën për pushtet ua bëjë një thirrje ironizuese; “Yrushi për pushtet, se edhe pak ka mbetur shtet”!

Befasia më e pakëndshme e opinionit publik kosovar mbetët LDK-ja, e cila nga një lëvizje shtet formuese dhe shtet ndërtuese, rrëshqiti keq në një subjekt të rrënimit të sovranitetit të shtetit, integritetit territorial dhe politik të vendit në bisedimet e Brukselit.

LDK-ja e grupeve të interesit e Isa Mustafës, edhe atëherë kur ishte në opozitë i dha mbështetje të fuqishme Hashim Thaçit në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në marrjen e vendimeve të dëmshme për vendin si; ligji për amnistomini e kriminelëve (serb), ratifikimi i marrëveshjes së 19 prillit 2013-të për “Zajednicën”, ligji për demarkacionin e shumë e shumë veprimeve tjera destruktive.

Prandaj për këtë arsye LDK.ja, vazhdon të goditet rëndë, nga opozita dhe shoqëria civile si bashkëpjesëmarrëse në skenarët fatkeq  për Republikën e Kosovës!

Prandaj si rezultat i gjithë kësaj, vendit i ka mbetur vetëm një zgjidhje; lindja e një alternative të re politike nga populli, për çrrënjosjen e së keqes së përbashkët të këtij vendi të quajtur “Pozitë-Opozitë”.

Thënë ndryshe, shpëtimtar për vendin nuk mund të jenë shkaktarët e së keqes, ata që rropën e s’rropën bashkërisht pasuritë shoqërore dhe publike për këto 16 vite rresht, ata që negociuan pavarësinë e larë me gjak, ata që i shkaktuan plagë dhe dhimbje shpirtërore popullit të tyre.

Shpëtimin populli duhet ta gjejë tek intelektualët e ngritur, me moral të pastër dhe integritet kombëtar, tek të gjitha shtresat e shoqërisë që janë të gatshëm të përballen me virusin kancerogjen të; krimit dhe korrupsionit, karrierizmit, familjarizimit, nepotizmit dhe të gjitha dukurive të tjera shoqërore të shfaqura në Kosovën e pasluftës, e në veçanti të periudhës së pas pavarësie.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button