Pse Universitet në Shkup?

 

Siç ndodh me shumë ide në nënqiellin tonë, edhe për idenë e universitetit shtetëror me seli në Shkup opinionet janë skajshmërisht të ndara.

Duke pasur parasysh dëshirën shekullore të popullit tonë për shkollim, sakrificën e brezave të tërë që i njeh populli – për dije, barazi dhe përparim në njërën anë, si dhe të kaluarën e lavdishme që lidh Shkupin në çdo kontekst, historik e aktual, revolucionar e shkencor, e posaçërisht sot politik dhe ekonomik, është më shumë se imperativ që të ketë një qendër shtetërore universitare me seli në Shkup. Shkupi ka qenë dhe do të ngel qendër e të gjithë komuniteteve që jetojnë në Maqedoni, pra edhe qendër shqiptare. Shkupi është dhe interes i miqve dhe kolegëve të mi nga Tetova, Gostivari, Struga, etj. dhe kjo vërehet çdo ditë pune – ku qindra vetura në mëngjes shkojnë nga Pollogu drejt Shkupit, kurse unë jam nga të paktët që çdo ditë vozis në anën e kundërt të tyre në magjistrale.

Është koha kur gabimet e 25 vjeçarit të fundit duhet të korrigjohen dhe Shkupi do të jetë qendër arsimore dhe politike dhe këtë qendër duhet ta udhëheqin njerëz të arritur, të dijes dhe shkencës, ku do të kenë mundësinë drejtpërdrejtë të konkurojnë jo vetëm me kolegët nga po i njëjti qytet, po dhe në Evropë e gjetiu. Ai gabim, qoftë dhe i imponuar dikur, tani më shumë se kurrë duhet të korrigjohet. Deri këtu është konotacioni dhe parimi kombëtar për të cilin secili duhet të jetë dakord.

Në anën tjetër plotësisht i kuptoj skeptiket që kanë dyshim të bazuar se kjo mund të paraqesë lojë për poena politik, se ky universitet do të jetë një prej shumë të tjerëve pa shumë vlera, se militantë partiak do të zënë vende të pamerituara, etj. Pavarësisht kësaj, në parim 1. Duhet të përkrahet ideja si kombëtare e fisnike dhe 2. Duhet të sigurohemi që jo vetëm mos të ketë manipulime dhe jovlera, por dhe mënyrë se si do të themelohet një universitet (nga themeli i bërë si i tillë, jo me adaptime të fabrikave, monopoleve të duhanit apo hamameve publike) në mënyrë që të instalojë VLERA. Dhe për këtë politika nuk duhet të merret me teknikat e këtij projekti, por inteligjenca jo vetëm nga Maqedonia. Në mënyrë që të 1. reduktohet numri i fakulteteve ne cdo qytet dhe fshat, 2. të reduktohet numri i programeve redudante në më tepër qendra, si dhe të investohet në drejtimet deficitare, posaçërisht në shkencat natyrore, inzhinierike dhe mjekësore, 3. të rritet vlera e diplomës universitare, 4. të ngritet niveli profesional i stafit universitar (që për momentin është më shumë kuantitativ), 5. të aftësohen të diplomuarit e rinj në mënyrë që më lehtë të integrohen në tregun e punës, tregun e lirë pra dhe jo sektorin publik dhe të kenë shkathtësi sipërmarrjeje, 6. të motivohen të njëjtit që të jetojnë dhe punojnë në Maqedoni dhe jo si orientim të kenë emigrimin nga mungesa e perspektives.

Kështu, unë ndjej për obligim të prononcohem fort „pro“ idesë për universitet shtetëror në Shkup dhe njëherit falënderoj gatishmërinë për ta ndihmuar këtë projekt madhor një numër të madh profesorësh nga Kosova, Shqipëria, Evropa dhe Amerika. Shkrimi u motivua nga një postim që sapo lexova nga profesori im i nderuar Agni Dika.

 

Autori është ligjerues në UEJL

Lajme të ngjashme

Back to top button