Pronësia mediatike në Maqedoni dhe ndikimi i saj mbi objektivitetin e informacionit

A na informojnë mediat në Maqedoni apo na rekrutojnë dhe na mobilizojnë për zgjedhjet e ardhshme politike?

Pronarët e mediave në Maqedoni janë biznesmenë të fuqishëm, politikanë, deputetë, ministra, kryetarë të partive të ndryshme, drejtora institucionesh publike apo edhe punëtorë publik, gjë e cila ndalohet me ligjin për media në Maqedoni (Ligji për media Art. 11). Ky është një fenomen në Maqedoni. Pronarët e shfrytëzojnë mediumin për përfitime të tyre ekonomike, për përfitime politike, për emër, reputacion, por asnjëherë për të informuar objektivisht shoqërinë. Ata vendosin se çfarë pamjesh do të tregohen dhe si do t’i shërbehen (servohen) ato pamje shikuesit (masës). Një pjesë shumë e rëndësishme e servimit të informacioneve të ndryshme janë edhe lajmet e ditës që transmetohen nëpër media. Fjalën e fundit të pregaditjes dhe objektivitetit të këtyre lajmeve e kanë vetë pronarët e mediave. Po bëj vetëm një pasqyrë të shkurtër për pronësinë mediatike, sidomos të blloku maqedonas:

Tv Sitel (Tv Sitel 2 dhe Tv Sitel 3) i përket Ljubisha Ivanov – Xingo-s i cili ka qenë prej 1991-2012 deputet në Parlament (llogaritet deputeti më i vjetër në Maqedoni që nga koha e komunizmit). Gjithashtu ka qenë edhe kryetari i Partisë Socialiste të Maqedonisë. Qoftë me LSDM-në, qoftë me VMRO-në në pushtet partia e tij ka pasur ministri të ndryshme si ajo e shëndetësisë, bujqësisë etj. Është i pafund numri i ndërmarrjeve që posedon ai dhe familja e tij.

Pronari i TV Kanal 5 (dhe Kanal 5+) është Boris Stojmenov-i. Ai ka qenë ministri i Financave në Maqedoni dhe ka qenë njëkohësisht nënkryetari i VMRO-së. Nga viti 2000 me paraqitjen e disa problemeve ai formoi një parti të re që quhej VMRO e vërteta. Në 2002 partia e tij quhej VMRO-Maqedone. Në vitin 2012 partia e tij u shkri në VMRO-në në qeveri. Njëlloj si Xingo-ja edhe ky ka biznese të shumta dhe ndër të tjera ka edhe shtypshkronjën 11 Tetori që (si mund të jetë ndryshe) ka të drejtën të shtypë banknotat e parave në Maqedoni. Sipas Nova TV, Stojmenovi dhe familja e tij në vitin 1999 kanë themeluar edhe ndërmarrje në shtetin e Panamasë me emrin Sunlite Trading S.A. Televizioni Telma ka për pronar ndërmarrjen Makpetrol e cila në radhë të parë merret me tregëtimin e derivateve të naftës dhe vajrave. Edhe Makpetrol-i ka themeluar disa ndërmarrje të tjera. Televizioni Alfa TV (dhe TV Skopje) ka për pronar Sterjo Nakov i cili është pronar i ndërmarrjes Fersped A.D. dhe gjithashtu është pronar i shumë ndërmarrjeve në vend dhe jashtë vendit. Themeluesi i ndërmarrjes Orka, Jordan Kamçev-i e ka nën ombrellën e tij edhe ndërmarrjen MPM (Media Print Maqedoni), e cila posedon së paku 3 gazeta ditore, së paku 4 revista si dhe disa portale interneti në gjuhën maqedone.

Po të bëjmë një analizë të mirëfilltë të pronarëve të mediave dhe ndërmarrjeve që i posedojnë ata do të shohim se ata nuk e kanë problem paranë dhe se mediat e tyre nuk i kanë ngritur në fillim të themelimit të ndërmarrjeve të ndryshme, por e kundërta, ata kanë bërë kapitalin e tyre në forma të tjera (të lidhura me politikën) dhe kanë themeluar mediat me qëllim që ti shërbejë politikës dhe ta përkrahin politikën, e cila i ka ngritur financiarisht. Ka pafund raste të cilat tregojnë se politika është përkrahur jashtëzakonisht shumë nga mediat, nga politika redaktoriale e tyre dhe pronarët e tyre edhe për vetë faktin se pronarët mediatik janë/ishin vetë pjesë e politikës (qeverisë). Për këtë përkrahje (sidomos në qeverinë e Nikolla Gruevskit) mediat e ndryshme janë shpërblyer me suma të majme parash që kanë marrë nga reklamat qeveritare. Motoja këtu është: samë shumë të më përkrahësh me mediumin tënd, aq më shumë do të të shpërblej (ose do të kursej me mos dërgimin e inspektorëve). Shumica e mediave më të mëdha dhe më me ndikim në vend ju përkasin oligarkëve të cilët përfitimet e tyre i kanë bërë në kohën e tranzicionit. Me këtë, mund të konstatohet që në Maqedoni mediat nuk shihen në mënyrë primare si biznes por si mjete dhe instrumente perfekte për të përhapur ndikimet dhe interesat politike, me të cilat në mes tjerash mund të fitohen edhe suma të mira parash nga qeveria.

Pjesa më e madhe e shoqërisë nuk e kanë idenë se kush i posedon mediat dhe në çfarë lidhshmërie qëndrojnë këta pronarët e mediave me politikën dhe me zhvillimet e tjera në vend dhe me këtë nuk mund të bëhet një vlerësim i mirëfilltë (real) i përhapjes së informacionit. Informacioni vlerësohet si objektiv. Mediat në Maqedoni nuk e kanë për qëllim që ta informojnë në mënyrë objektive shoqërinë por qëllimi i tyre është më shumë për ta rekrutuar dhe për ta mobilizuar për zgjedhjet e radhës, ku fituesi dihet para kohe.

Edhe gazetarët të cilët punojnë nëpër këta media skajshmërisht të politizuara dhe që në fakt duhej të ishin ura lidhëse në mes politikës dhe shoqërisë dhe ti përçojnë shoqërisë të gjitha veprimet politike, e kanë shumë të vështirë të tregojnë aftësitë e tyre gazetareske pasi që janë peng i pronarëve mediatik. Integriteti profesional është për ta një luks të cilin ata nuk mund t’ia lejojnë vetes.

Mund të konkludohet se mediat në Maqedoni janë vetëm një dorë e zgjatur e politikës e tregu mediatik është një zgjatim i tregut politik. Kjo u pa edhe me publikimin e “bombave” nga ana a opozitës ku shihet qartë së politika dirigjon dhe porosit kronikat e ndryshme me të cilat gjoja se informohet objektivisht mbarë shoqëria. Problemi me gazetarët dhe me pronarët mediatik do të ekzistojë në Maqedoni aq sa vëtëcenzurimi i gazetarëve nuk shihet dhe nuk perceptohet si problem por si përditshmëri dhe aq sa gazetarët nuk publikojnë forma të tjera gazetareske (psh. të gazetarisë hulumtuese). Pronarët e mediave dhe politikanët në Maqedoni janë partnerë dhe kjo lidhje është një fenomen dhe njëkohësisht një pengesë për opinionin publik, mediat e lira dhe gazetarinë e pavarur.

Kryeredaktorët e këtyre mediave përzgjedhin lajmin i cili do të përcillet tek mbarë shoqëria. A mund realisht të mendojmë se ne si shoqëri po thithim informacione dhe lajme të përzgjedhura nga pikërisht këta kryeredaktorë të cilët në mënyrë absolute nuk e kanë lirinë e përzgjedhjes së informacionit dhe informimit të drejtë të opinionit? Nëse lajmet përzgjidhen sipas interesit të pronarit të psh. televizionit dhe jo sipas interesit të mbarë shoqërisë atëherë i bije që ne nuk informohemi realisht. Nëse statistikisht 65 % e informacioneve të cilat transmetohen nëpër media nuk janë reale atëherë i bie që realitetin e jetës tonë ne e krijojmë në bazë të inskenimeve (joreales, manipulimeve) që na servon media. Atëherë i bie që ne jetojmë në një realitet joreal, baza e të cilit është interesi personal (politik) i një individi. Medait nuk na transmetojnë informacione por vetëm ideologji. Këtë e thotë edhe udhëheqësja e komitetit të Helsinkit: “Mediat i kapin informacionet, i mbyllin në një kafaz ekzistent me paragjykime, stereotipe, të vërteta të paqarta dhe shpërthimit të urrejtjes dhe këtë të ashtuquajtur “informacion” të vjedhur ja ofrojnë qytetarëve si të ishte kjo një gazetari objektive”. Duhet ta dimë se politika redaktoriale e mbi 90 % të mediave projektohet nga qendra e pushtetit.

Nëse detyra e gazetarit është që ta mbikëqyrë të gjithë politikën (është një lloj “watch dog” (një qen roje) dhe ta informojë opinionin për veprimet e ndryshme dhe rezultatet e pritura, gazetarët në Maqedoni janë bërë më shumë një “qen prehëri” i cili ju rri në prehër pronarëve të tyre medial dhe është raportues i dëshirave të tyre. Opinioni manipulohet. Skandalet janë më shumë se të mirëseardhura dhe verifikimi i fakteve nuk është i dëshirueshëm. Përparësi ka dëshira e pronarit.

Nëse një politikan në Maqedoni posedon një gazetë, një revistë, një televizion, një radio, një portal interneti, kush mund të jetë i sigurt, që politikani nuk përzihet në politikën redaktoriale të mediumit? Mediumet nuk mund të jenë të besueshme në Maqedoni. Në këtë mënyrë politika ka arritur që të diskreditojë rolin dhe vlerën e gazetarit në vend. Ajo që nëpër mediat perëndimore është e ndaluar me ligj, në Maqedoni është përditshmëri. Motivi për të patur një gazetari hulumtuese thuajse nuk ekziston. Motoja e qeverisë është: “gjithçka që ne duam, është gjithçka”. Nëse duam të ofrojmë shërbim të mirë mediatik ka dy rrugë tradicionale: duhet të përdoret ligji dhe duhet të besohet tregu. Nëse këta të dy rezultojnë negativ në Maqedoni atëherë zgjidhja e tretë është Etika mediatike. Etika të paktën na jep ndjenjën e përgjegjësisë shoqërore të mediave, mirëpo për këtë na duhet profesionalizëm e ky arrihet me punë të ndershme. Në vend që të kërkohen fakte dhe këta fakte ti prezantohen publikut, mediat në Maqedoni prezantojnë spekulime, të cilat zbukurohen me fotografi, ngjyra, dhe manipulime të tjera të ndryshme dhe të gjitha këta në fund prezantohen si fakte. Mediat dhe politika në Maqedoni funksionojnë sipas principit “njëra dorë e lan tjetrën”.

Sistemi dhe struktura mediatike në Maqedoni ka shumë veti negative dhe kështu nuk mund të pranohet. E pranueshme do të ishte një sistem i ri mediatik, me aktorë dhe pronarë të rinj, larg nga politika dhe ndikimet e saj. Këtu nuk mund të lë pa përmendur edhe një këshill të ri për radiodifuzionin, një procedurë të re për zgjedhjen e drejtorit dhe anëtarëve të tjerë, një televizion publik të ri, me një fjalë duhet media të reja dhe pronarë të rinj të cilat do të punonin të pavarur dhe në mënyrë profesionale. Pronarët e vjetër, udhëheqësia e televizionit publik, e këshillit etj. duhet të merren në pyetje nga prokuroria se pse ata nuk e kanë informuar shoqërinë në mënyrë objektive por e kanë manipuluar me politikën e tyre dhe animet e tyre politike. Në veçanti televizioni publik ka këtu një përgjegjësi shumë më të madhe pasi që financohet nga vetë shoqëria. Motoja: “më jep para, që të të manipuloj”. Fenomeni i Maqedonisë që një politikan, një deputet, kryetar të partive, një ministër, një diplomat, një anëtar parlamenti si dhe bartës të tjerë të detyrave publike posedojnë media, duhet të zhduket. Këta persona nuk kanë se çfarë kërkojnë në pronësinë e një mediumi.

Është interesant fakti se nëse gënjen dhe manipulon dënohesh me ligj varësisht nga gënjeshtra. Por nëse gënjen dhe manipulon një shoqëri të tërë dhe atë një kohë të gjatë siç e kanë bërë tërë kohën mediat në Maqedoni, cili do të ishte dënimi? Kjo mbetet në ndërgjegjjen e shikuesve, lexuesve, përdoruesve të mediave në Maqedoni. Mark Twain ka thënë: “nëse nuk e lexon gazetën, do të jesh i painformuar, por nëse e lexon atë do të jesh i keq informuar”. Shoqëria e gjërë duhet vetë të vendosë se a do të jetë një shoqëri e keq informuar nga mediat apo do ti marrë “informacionet” që shfaqen nëpër media me një lloj skepticizmi duke i analizuar ato pak më mirë se deri më tani. Vetëm edhe një fakt për në fund: nga “bombat” e opozitës u kuptua se vetë Llatasi (kryeredaktori në televizionin e Xingos – Sitel) tha se nga 12 kronika që kanë lajmet, 7 vijnë me porosi direkte nga kryeministri. D.m.th. Gruevski vendos se për cilën temë dhe arritje do të bëhet kronikë, si duhet t’i prezantohet kjo kronikë shikuesit, çfarë duhet të kuptojë shikuesi, si duhet ta mirëpresë shikuesi kronikën në fjalë, si duhet të bëhet radhitja e kronikave (cila kronikë e para, e dyta e treta etj. dhe në fund çfarë efekti duhet të ketë kronika te shikuesi (masa).

Ky është një manipulim total i mendjes së njeriut, i cili mendon se gazetari i pavarur ka bërë kronikën e në ndërkohë qendra e pushtetit dirigjon me gjithçka që paraqitet në media. Motoja e pushtetit përsëri: gjithçka që ne duam është gjithçka. Politika e ka fjalën e fundit në media, e jo gazetari dhe kryeredaktori. Gabim i madh!!!

(Autori është pedagog i fushës se mediave ne USHT dhe UEJL)

Lajme të ngjashme

Back to top button