Kërçova bëhet jeshile (FOTO)

Në kuadër të projektit “E verdha është e gjelbër”, të gjithë të punësuarit e komunës së Kërçovës, të punësuarit e NP “Komunalec” dhe të punësuarit nëpër shkolla, sot realizuan një aksion pastrimi që përfshiu një pjesë të madhe të rrugëve të qytetit të Kërçovës.

Gjatë këtij aksioni, prezent ishte edhe kryetari  i Komunës së Kërçovës, Fatmir Dehari, i cili jua shpërndau detyrat të punësuarve dhe ndihmoi në pastrimin e një pjese të qytetit.

“Ne, si administratë komunale, kemi ndërmarrë një aktivitet të përbashkët për një qytet më të pastër sepse kjo është përditshmëria jonë. Është për të ardhur keq kur çdo ditë kalojmë këtyre rrugëve dhe vërejmë shumë mbeturina për të cilat jemi përgjegjës të gjithë sepse aktivitete të këtilla këtu nuk janë ndërmarrë që pas pavarësimit të Maqedonisë.

Duam të ndikojmë në sensibilizimin e qytetarëve për të respektuar ligjin për pastërti publike. Jua bëj me dije qytetarëve se që nga dita e hënë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme në Kërçovë do të ketë kontrolle sistematike në qytet dhe të gjithë ato që nuk e respektojnë këtë ligj do të gjobiten.” – tha Dehari.

Këtij aksioni të sotëm nuk i janë përgjigjur të gjitha institucionet publike si spitali i qytetit të Kërçovës dhe as sektori i MPB në Kërçovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button