Fleta ditari (1)

Ishte ditë e mirë që në mëngjes. Roletnat si gjithnjë të ngritura, pasi ngritja në sabah është vërtet grabitje e nafakave, është në parim zakon i shëndetshëm. I konvenon trupit, edhe shpirtit. Njerëzit që jetojnë në harmoni me Natyrën apo ndonjë, të themi Rend tjetër të lartë, zgjohen herët: edhe fetarët, edhe njerëzit në fshat, punëtorët, shumica e krijuesëve, të gjithë ata që përkushtimin e kanë pasion.

Perdet e lëshuara vetëm se e çrregullojnë dihotominë natyrale ditë/natë pasi errësira e aktivizon hormonin e gjumit melatoninën, si pasojë vazhdojmë të jemi në gjumë ose të përgjumur edhe disa orë pas agimit. Ndejtja gjatë në shtrat në fakt më shumë e lodh se sa e çlodh njeriun pasi rendi natyral megjithatë vazhdon të jetë dominant edhe përkundër tabijateve të reja, shumica e të cilave janë në dëmin tonë, shembuj kemi plot.

Atë ditë të mirë e cila njihej që në mëngjes nuk më doli gjumi nga dielli, por nga zëri i myezinit të talentuar të xhamisë së Dizhonit. E kam bërë zakon posa të hap sytë të çohem në këmbë. Më pëlqejnë imagjinimet, por njeriu nuk e ka patjetër të rrijë shtrirë për të fantazuar diçka apo dikend, kjo pa problem kryhet edhe ditën kur je në lëvizje, kur i mbyll sytë, gjegjësisht dalldisesh për pak kohë. Është prehje nga gjërat prozaike. Vetëimunizim nga virusat e kujtimeve, mungesës, distancës që s’guxon të dhemb shumë pasi “e shkurtër është jeta për mallëngjime të gjata”. Kështu me sabah m’u kujtua fragmenti nga një tregim që kisha lexuar dikur “ajo i donte ëndërrat e natës, por e urrente zgjimin e nesërm, pa të”.

Fillim i bukur i ditës, por pas pak kohe ndjeva sikur më kaplon pamundësia, ose të paktën vështirësia e të shkruarit. Janë ca ditë apo, siq do thoshte Racini, edhe vargje ditësh kur shtytja për shkrim të duket se cfilitet, nuk je vetja, nuk e gjen vendin apo tingëllimën e duhur të fjalëve, fjalitë dalin si me zor. Kur kjo, për bela, ndodh ditën kur duhet dërguar tekstin, më duket se edhe muret e kanë fajin, mexhbur të dal: o në tavolinën në Irish pub që shikon kah lumi, o në ndonjërën nga çajtoret dy prej të cilave në një rrugë speciale gjarpërore të Çarshisë, kurse e treta fill pas tyre, në kthesë. Nëse ulem në tjetër lokal, beter bëhet puna, vazhdon sikleti me shkrimin. Pra, dal shtëpie furishëm, pres busin se llaptopi e vështirëson kënaqësinë e të ecurit në këmbë, kurse ecja njëlloj si zgjimi herët ndihmon edhe trupin edhe trurin. Gjatë rrugës përpiqem, kryesisht me sukses, që obligimin mos ta mendoj si barrë, dhe posa arrij tek Vendi mjafton një

cigare dhe disa gëllënjka kafe që puna të nis të ec. Çdoherë funkcionon.

Atë ditë që kishte një “freski të veçantë të ngrohtë” u debllokova te çajtorja Isak.

Por nuk do e sqaroj këtu pse-në.

Pasi kjo lyp kolumnë në vete.

Teksti i rradhës dhe tjerat pas tij në fakt do jenë pjesë e ditarit Vera 2015.

Ditari do të zgjasë kismet derisa të zgjasë vera.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button