Mësimi i Kuranit përmendësh

Shkruan: Erda Ballëk

HIVZI NË PERIUDHAT HERSHME

Kur’ani është libri më i plotë e i fundit ndër librat e shenjtë që Allahu i Lartëmadhëruar ua ka dërguar njerëzve. Kur’ani paraqet dokumentin i cili që nga faqja e parë deri tek e fundit përpiqet të theksojë të gjitha tendosjet morale që janë të nevojshme për veprim kreativ njerëzor. Në të vërtetë, në esencën e qendrës së interesimit të Kur’anit gjendet njeriu dhe përmirësimi i tij. Kur’ani që i ka zbritur Muhammedit a.s. është një vepër pa shëmbëllim dhe e pashoqe, e cila, duke u ruajtur me një kujdes dhe ndjeshmëri të jashtëzakonshme ka ardhur deri në ditët tona.

Kur’ani është ruajtur në dy mënyra: me anë të shkrimit dhe mësimit përmendësh të Kur’anit (hivzi), kjo është mënyra e veçantë e ruajtjes së Kur’anit me të cilat Kur’ani është ruajtur që nga fillimi i shpalljes.

Fjala “Hafiz” në gjuhën arabe ka kuptimin me e mbartë, me mbrojtë/ruajtë, e qe ka derivuar nga folja (ha-fi-dha), ndërsa ai i cili memorizon Kur’anin në tërësi quhet (hafidh/hafiz)

I pari i cili ne zemrën dhe shpirtin e tij e qëndisi Kur’ani Kerimin përmendësh është Pejgamberi a.s., e pastaj katër halifët e drejtë; Ebu Bekri, Omeri, Osmani, Aliu r.a., nga muhaxhirët Talha bin Ubejdullahu, Sa’d bin Ebi Vakkasi, Ebu Hurejre, ndërsa nga sahabet femra: Aisheja, Hafseja, Ummu Seleme, nga ensarët Ubejd bin K’abi, Muadh bin Xhebeli, Zejd bin Thabiti, Zejd el- Ensari, Ebu Derda r.a. etj.

Veçohen dy qendra kryesore të mësimit (memorizimit) të Kur’anit njëra në Mekkën fisnike, e cila quhej “Darul-Erkam”, ndërsa në Medinen e ndritshme ishte vendi pranë Xhamisë së Pejgamberit a.s., e quajtur “Ashabus-Suffa”. Në këto dy qendra shumë nga sahabët e kanë mësuar Kur’anin përmendësh. Në periudhat e mëvonshme mësimi përmendësh i Kur’anit filloi të formësohet, të sistematizohet me metodat teknike, p.sh. në periudhën e selxhukëve formimi i “Darul Huffazit” dhe “Darul Kurras” tregon se mësimi përmendësh i Kur’anit ka marrë formë institucionale. Ky sistem ka vazhduar edhe në periudhën osmane. Nga udhepershkrimi i Evlija Çelebiut regjistrohet se në Stamboll kanë qenë 9000 hafizë të Kur’anit, nga të cilët një e treta ishin femra. Në trojet tona shqiptare i është kushtuar një rëndësi e veçantë mësimit të hifzit të Kur’anit, diku më shumë e diku më pak, varësisht prej kulturës islame. Për fillimin e hifzit tek ne shiptarët, nuk mund të përmendim ndonjë vit konkret, por mund të konstatojmë së qysh në shekullin XVl në hapësirën shqiptare zë fill kultivimi i hifzit. Në Kosovë më së shumti hafizë ka pasur Prizreni, Peja dhe Prishtina. Prizreni si qendër e Sanxhakut (rajonit) shquhej gjatë kohës së kaluar për traditën e mësimit të hifzit të Kur’anit, lirisht mund të

themi se ka qenë burim i pashtershëm i hifzit në Kosovë. Pranë mektebeve dhe xhamive të shumta të Prizrenit ekzistonin punkte të caktuara të mësimit të hifzit me fëmijët e grupmoshave të ndryshme. Ata për një periudhë kohore 2-4 vjeçare e mësonin hifzin dhe pastaj nxënësit e caktuar vazhdonin mësimin në Medresenë e Gazi Mehmed Pashës, me një traditë arsimimi rreth 400 vjeçar. Të rrallë kanë qenë nxënësit që e kanë kryer Medresenë e Gazi Mehmed Pashës në Prizren deri ne vitin 1947 e të mos kenë kryer edhe hifzin më parë.

‘MË TË NDERUARIT E UMETIT TIM JANË BARTËSIT E KUR’ANIT’

Të mbajturit mend është forma kryesore me të cilën është mbartë dija shekuj me radhë, nga njëri brez te tjetri. Kjo është edhe forma kryesore se si është bartë Kur’ani dhe Hadithi. Për këtë Allahu e lehtësoi mësimin e Kur’anit, thotë Allahu xh.sh. në Kur’an: “Ne Kur’anin e bëmë të lehtë për nxënie, po a ka ndokush që merr mësim”. (El-Kamer, 17). Kur’ani është libri më i kënduar dhe më i mësuar përmendësh në tërë botën. Mësimi përmendësh i Kur’anit është çështje dëshire dhe vullneti. Pa këto, edhe sikur me dhjetëra herë të dëgjohet një sure apo ajet, mësimi përmendësh nuk bëhet.

Fjala më e ndershme dhe më e vlefshme në botë është fjala e Allahut xh.sh., Kur’ani Fisnik. I tillë është edhe ai që mëson dhe e ruan në zemër, tru e shpirt këtë fjalë të Zotit. Këtë e vërteton edhe fjala e Pejgamberit a.s. ku thotë “Më të nderuarit e umetit tim janë bartësit e Kur’anit”

Hafizët kanë vlerë të madhe tek Allahu fillimisht por edhe tek njerëzit gjithashtu. Pejgamberi a.s. thotë: “Lexuesit e Kur’anit janë miqtë e Allahut dhe të veçuarit e tij”. Dobitë e memorizimit janë të panumërta. Kur’ani Fisnik ka ndikim të madh në arritjen e sigurisë psikologjike, qetësisë së zemrës dhe rehatisë. Ai përbën një energji gjigante shpirtërore e cila ka ndikim të rëndësishëm në shpirtin e njeriut. Abdullah ibn Amër ibn Asi r.a. tregon se i Dërguari i Allahut a.s. ka thënë: “Zotëruesit të Kur’anit do t’i thuhet lexo dhe ngrehu lartë, lexoje ashtu si e ke lexuar në dynja, vendi yt do të jetë tek ajeti i fundit të cilën do ta lexosh”.

Dijetarët, si në të kaluarën, si tani diskutojnë për shkaqet pse një grup i besimtarëve qëndrojnë indiferent ndaj Kur’anit dhe mësimeve të tij. Në mesin tonë gjen njerëz të profileve të ndryshme sa i përket neglizhimit të Kur’anit: përtaci në lexim, përtaci në nxënien përmendësh të tij, shkujdesje ndaj meditimit të tij, braktisje të thirrjes në të, mosrespekti dhe vlerësimi i duhur etj. E ajo që bën të ndihesh edhe me keq, është se sot gjen shumë nxënës/student tek e kalojnë kohën në gjëra të kota, si në shikimin e telenovelave latine-amerikane e turke, ndjekjen e ndeshjeve futbollistike, dhënien pas leximit të lajmeve nga jeta e artistëve dhe këngëtarëve, bisedat e kota në rrjetet sociale etj. Në kohën kur mund të gjesh vetëm se pak prej tyre që i kanë kushtuar Kur’anit një kohë të veçantë. Transmetohet nga Osmani r.a. se Muhammedi a.s. ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kur’anin dhe ua mëson të tjerëve “.

Të merresh me fjalën e Zotit është një punë që e do Zoti, ta mësosh përmendësh Kur’anin do të thotë të jesh një njëri që të do Zoti, kjo në të njëjtën kohë do të thotë të jesh një njëri që aspak nuk të do shejtani i mallkuar. Kur jemi këtu, shejtani është ai që dëshiron të të largojë nga kjo punë, dëshiron të të shtyjë të mendosh se Kur’ani është i vështirë, se kjo është një punë e kotë, se me këtë hifz që je duke bërë ti humbësh shumë kohë të çmueshme, se ngelesh prapa shokëve/shoqeve në mësimet e shkollës, në sport etj. Të gjitha këto janë mendime të shejtanit dhe njerëzve që janë sikur shejtani.

Mos u afro ndaj atij pesimistit, që të thotë se mësimi i Kur’anit është i vështirë. Memorizimi në vete është dhunti, por me përsëritje dhe angazhim ajo shtohet dhe forcohet. Kush përpiqet dhe provon, do të gjej rezultate. Gjithashtu memorizimi i Kur’anit është fillimi i nxënies së diturisë dhe çelja e portës së memorizimit. Prandaj Hatib Bagdadiu thotë: ”Është e përshtatshme për një student, që ai të fillojë me mësimin përmendësh të Kur’anit Fisnik, që është burim më i madh i diturisë dhe të cilën duhet ta vendosim në vend të parë dhe t’i jepet përparësi”. Kush e ka provuar memorizimin e Kur’anit, e di mirë se në fillim do t’i duhet me shumë kohë për ta nxënë përmendësh një pjesë të caktuar, mirëpo më kalimin e kohës do ta dallojë tek vetja trefishin apo katërfishin e aftësisë memorizuese, madje mund të ndodh që të mësojë një çerek xhuzi (5 faqe) në një ulje të vetme ndërmjet akshamit dhe jacisë apo pas sabahut, kjo ndodh, sepse memoria shtohet dhe forcohet me ushtrimin e saj.

E vërteta është se të bëhesh hafiz është gjëja më ndershme në botë, të bëhesh hafiz nuk do të thotë të humbësh kohën kotë, porse ti je një njeri që di shumë mirë ta shfrytëzojë dhe organizojë kohën. Hfz. Fahad el-Kenderi thotë: “Mundësia dhe përsosmëria e hifzit nuk vjen pos pas një lodhjeje të madhe, së pari sinqeriteti pastaj mbështetja në Allahun Teala. Kur njeriu dëshiron ta mësojë librin e Allahut të Madhëruar, Allahu ia lehtëson atij çështjet e jetës së tij, për shkak të hifzit të tij ndaj Kur’anit. Përveç memories së fortë nxënësi duhet të jetë në gjendje më të mirë, në shkallët më të larta të moralit, duke iu shmangur çdo gjëje që ndalon Kur’ani. Ai duhet ta pastrojë zemrën, në mënyrë që të jetë i aftë për ta pranuar Kur’anin për të mbajtur mend atë dhe për të shkoqitur domethëniet dhe mësimet e tij. Sa bukur ka thënë një njeri: ”Zemra përgatitet për dituri ashtu sikur që toka përgatitet për mbjellje.”

MEMORIZIMI I KUR’ANIT PËRMENDËSH NDIHMON NË ARRITJEN E DITURISË

Dr. Abdullah Subejh, profesor i psikologjisë në Universitetin Islamik në Rijad, bëri apel te studentët që t’iu bashkangjiten kurseve (hallkave) duke sqaruar se mësimi i tij përmendësh ndihmon për përqendrim e që është një element i shumëkërkuar gjatë arritjes së dijes. Dhe, shtoi së çdo shkencë qoftë mjekësia, matematika, shkencat fetare apo natyrore kërkojnë një përqendrim shumë të lartë. E përderisa ai që mëson Kur’anin ushtrohet ta përqendrojë vëmendjen e tij, ai në këtë rast është më i shkathtë, dhe niveli i

përqendrimit të tij është më i gjatë se sa niveli I përqendrimit të tjerëve. Ai që mëson Kur’an përmendësh vazhdimisht nuk ka dyshim që qelizat e trurit dhe trupit të tij aktivizohen dhe janë më të fortë se sa nxënësi i cili nuk i ka aktivizuar ato përmes memorizimit. Kjo do të thotë që një nxënës që bën hifz në të njëjtën kohë është ndoshta edhe nxënësi/studenti më i mirë e më i sukseshëm, ky është fakt thuajse i pamohueshëm. Dr. Subejh sqaron se ata që mësojnë Kur’anin përmendësh përmes përkujdesjes që të mësojnë një “vird”- pjesë të caktuar nga Kur’ani, përfitojnë një shkallë serioziteti në jetën e tyre, si dhe mësojnë se si ta organizojnë jetën e tyre, planifikimet për jetën e tyre, përcaktimi i qëllimeve etj. Nga ana tjetër Dr. Adnan Ashur, konsulent i psikiatrisë ne Xhidde thotë se Kur’ani i ndihmon nxënësit në arritjen e diturisë dhe sqaron se kujtesa është aftësi trupore dhe zhvillohet aq sa e zhvillojmë atë si dhe zgjerohet sa më shumë të shtohet dija e deponuar në të. Dhe ka shtuar: ”Nëse njeriu i trajton me kujdes forcat e tij mendore e mirëpërdorë kujtesën dhe investon në të gjatë rinisë dhe moshës mesatare të tij, atëherë forcat e tij mendore dhe ideore dyfishohen.” Nga ana tjetër Prof. Bekr b. Ibrahim Bosfor drejtor i Drejtorisë së Arsimit për rajonin e Mekkes, tha: “Kur’ani Fisnik është derë përmes së cilës Allahu xh.sh. i hap mendjet dhe ndihmon ne arritjen e superioritetit me lejen e Allahut.”

PËR SA KOHË MUND TË BËHESH HAFIZ ?

Periudha kohore e mësimit të hifzit varet nga vetëpërcaktimi i hafizit. Në kushtet normale memorizimi i Kur’anit bëhet në periudhën 1 deri në 2 vjeçare, por me një angazhim pak më të ngjeshur mësimi përmendësh i Kur’anit mund të përfundojë edhe për një periudhë më të shkurtër se 6 mujore.

Ai/Ajo që niset në këtë rrugëtim të memorizmit të Kur’anit gjithmonëë ndeshet me këtë pyetje: Për sa kohë mund të bëhem hafiz?

Për këtë pyetje hafizët përgjigjen më këtë tregim:

Një hoxhë ishte duke e punuar arën e tij, ndërkohë i afrohet një djalosh dhe e pyet:

O axhë, për sa kohë mund të mbërrij në filan fshati?

Hoxha nuk i përgjigjet, edhe pse djaloshi e përsërit pyetjen për të tretën herë, sërish nuk ka përgjigje. Duke menduar se plaku është i shurdhër, djaloshi vazhdon të ecë. Pasi kaloi një rrugë të mjaftueshme, hoxha e thërret: Bir eja këtu!

Djaloshi i merakosur kthehet.

“Ti përafërsisht do të mbërrish për dy orë e gjysmë”- iu përgjigj hoxha.

Djaloshi i habitur: “O axhë, pasi që e ke ditur pse me heret nuk me tregove?!

“Po”- ia kthehu hoxha, rrugën e dija, por si do të jepja përgjigje pa e parë shpejtësinë e ecjes tënde!!!

PËRFUNDIM

Memorizimi i Kur’anit i ngjan shëtitjes në kopshtin hyjnor ku në çdo hap fascinohesh me bukurinë hyjnore të ajeteve të mrekullueshme që lidhin atë të përkohshmen me të përhershmin, kalimtaren me të amshueshmin, krijesën me Krijuesin.

Mësimi i vazhdueshëm (qoftë edhe pak) është më i mirë dhe më i vlefshëm sesa ta kalojmë tërë jetën me suret qe i kemi mësuar ne moshën 7-8 vjeçare. Veçanërisht pushimet verore janë rast shumë i mirë për të memorizuar nga Kur’ani Kerimi. Mund të jemi hafiz i plotë, gjysmë hafiz, çerek hafiz apo edhe hafiz i një xhuzi. Pra, të mundohemi që këtë lidhje çdo ditë e më shumë ta përforcojmë! Mësimi i ajeteve duhet të sjellë edhe praktikimin e tyre, praktika e tyre shëron çdo plage të shoqërisë dhe sjellë lumturinë e të dy botëve. Kështu që, ibadeti stoliset dhe thellohet,kurse shoqëria ndërtohet nën hijen e këtyre ajeteve të mësuara.

Burimet për konsultim:

1.Fazlur Rrahman, Islami, Logos-A, Shkup, 2010

2. Mehmet Ali Sari,Teknikat dhe rregullat e këndimit të bukur të Kur’anit,Logos-A,Shkup,2014

3. Doc. Dr.Hfz. Hajredin Hoxha, Edukata e mësuesit dhe studiuesit te Kur’anit,Furkan ISM,2013

4. Doc. Dr.Hfz. Hajredin Hoxha, Meditimi I Kur’anit edukata dhe parimet,Furkan ISM,2013

5. Faik Miftari, Hafizët e Prizrenit me rrethine (1912-2012),Prizren 2012

6. Kur’ani Kerim ve Hafizlik, Insan ve Hayat dergisi,sayi 36.

7. Memorizimi I Kur’anit, në: islamhouse.com

8. Rejhan Neziri, Përgjigje mbi tema të ndryshme, në: www.el-hikmeh.net

Lajme të ngjashme

Back to top button