“Beteja“ kryesore: Kush do të udhëheqë me qeverinë kalimtare

Pa asnjë epilog kanë përfunduar takimet në Strasbourg për zgjidhjen e krizës politike në Maqedoni.

Njohësit e çështjeve politike thonë se në bisedimet që tashmë kanë nisur me ndërmjetësim ndërkombëtar, “beteja“ kryesore ka të bëjë me atë se kush do të udhëheqë me qeverinë kalimtare, transmeton REL.

“Kjo qeveri e ka humbur legjitimitetin, por mbetet të shihet se si do të rrjedhin negociata mes dy liderëve kryesor politik maqedonas. Është e qartë se do të ketë qeveri kalimtare, por beteja kryesore ka të bëjë me atë se kush do të jetë kryeministër, a do të vazhdojë ky kryeministër apo do të jetë dikush tjetër, cilat do të jenë pozicionet e partive në qeverinë e ardhshme, e kështu me radhë”.

“Pra kemi të bëjmë me blerje kohe nga partitë, me taktizime për të fituar maksimumin e një zgjidhjeje të mundshme në javët në vijim“, thotë për Radion Evropën e Lirë, Arsim Sinani nga Qendra për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike.

Denko Maleski, ish ministër i Punëve të Jashtme thotë se në tavolinë janë të gjitha opsionet, përfshirë edhe mundësinë që dy liderët të japin dorëheqje.

“Nuk e përjashtoj edhe këtë mundësi pasi për diçka të tillë ishte pajtuar edhe kreu i opozitës. Mendoj se të gjithë skenarët janë në lojë, por ajo që për momentin është më me rëndësi për faktorin ndërkombëtar ka të bëjë me atë që të mos ketë akte dhune, por zgjidhja të kërkohet në kuadër të negociatave”.

“Sidoqoftë vlerësoj se faktori ndërkombëtar seriozisht është kyçur në bisedimet për zgjidhjen e krizës dhe kjo dëshmohet edhe me pjesëmarrjen në bisedime të komisionerit, Johanes Han. Kjo tregon se BE-ja ka ngritur alarmin në raport me Maqedoninë“, thotë për Radion Evropa e Lirë, Denko Maleski, ish ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë.

Ndryshe, bisedime për krizën politike po zhvillohen nën hijen e aksionit policor në Lagjen e Trimave në Kumanovë, që la të paktën 22 të vrarë.

Luftimet mes policisë dhe një grupi të armatosur kanë lënë dilema nëse ky incident i rëndë ishte nxitur për, siç thuhet, “destabilizimin e Maqedonisë”, apo “shpërqëndrimin e vëmendjes nga kriza e rëndë politike” në të cilën ndodhet vendi.

Lajme të ngjashme

Back to top button