Bushati: Marrëdhëniet ndëretnike janë jetike për ekzistencën e Maqedonisë

Ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati, mori pjesë në sesionin e 125-të Ministror të Këshillit të Evropës, që u zhvillua në Bruksel. Në këtë takim morën pjesë ministrat e Punëve të Jashtme të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës.

Sipas informacioneve zyrtare nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, mësohet se gjatë punimeve të sesionit ministror  u diskutua mbi raportin e dytë të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, fokusuar mbi situatën e demokracisë, shtetit ligjor dhe të drejtave të njeriut në Evropë, i cili bazohet në aspekte të veçanta të sigurisë demokratike në Evropë. Njëkohësisht, në kuadër të kontributit dhe rolit ekskluziv të Këshillit të Evropës në vendosjen e standardeve ligjore në luftën kundër terrorizmit, ministrat miratuan Deklaratën dhe Planin e Veprimit 2015-2017 të KE-së kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që çon në terrorizëm. Gjithashtu, u ra dakord për tekstin e Protokollit shtesë të Konventës së KiE-s kundër terrorizmit, me fokus të veçantë ndaj luftëtarëve terroristë të huaj.

Referuar zhvillimeve të fundit në Maqedoni, ministri Bushati u shpreh: “Do të doja të tërhiqja vëmendjen tuaj mbi zhvillimet në Maqedoninë fqinje. Nuk i referohem këtu vetëm luftimeve, shkatërrimit dhe humbjes së jetëve në qytetin e Kumanovës pak ditë më parë, ngjarje që, jo vetëm për shkak të përbërjes etnike komplekse të Maqedonisë, kërkojnë transparencë të plotë. Marrëdhëniet ndëretnike janë jetike për ekzistencën e Maqedonisë, ashtu sikundër është dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit. T’i quash zhvillimet e fundit në Maqedoni përplasje me karakter ndër-etnik dhe ndër-fetar është më shumë se sa një pakujdesi, është papërgjegjshmëri dhe përpjekje për të ndezur tensione ndëretnike. Kjo nuk është në interesin e sigurisë së Maqedonisë, të rajonit apo të vetë Evropës”.

Në përfundim të punimeve të sesionit Ministror, Kryesia e radhës e Këshillit të Evropës i kaloi Bosnjë-Hercegovinës për 6 muajt e ardhshëm. /AA/

Lajme të ngjashme

Back to top button