Çdo e keqe e ka një të mirë dhe çdo problem sjell një mundësi të re!

Në mesin e këtyre dy proverbave mund ta gjejmë të gjithë situatën në të cilën ndodhemi sot.

I – Çdo e keqe e ka një të mirë

Kriza e thellë politike reflektohet në çdo pore të jetës sonë. Ajo ka mbërthyer çdo aktivitet social dhe ngulfatën jetën tonë normale duke përhapur pasiguri, ankth dhe frikë. Pasiguri për jetët tona, ankth se çdo ëndërr mund të na kthehet në makth dhe frikë për atë pak perspektivë që ishte e lidhur ngushtë me procesin e integrimit euro-atlantik po shkon drejt izolimit të plotë.

Qeveria aktuale degradoi komplet sistem shtetëror duke e kthyer në pushtet partiak që i shërben një klike të ngushtë njerëzish të zhytur fund e krye në vepra kriminale dhe korruptive. Opozita maqedonase, përmes audio materialeve komprometuese, zbulon në vazhdimësi këto akte ku janë përfshirë krerët më të lartë shtetëror.

E mira e gjithë kësaj të keqe është se tani qytetarët kanë në dorë argumentet dhe faktet për krimet të cilat të gjithë i kemi ditur, por askush nuk ka mundur ti vërtetoj dhe se opozita me këtë po vendos një standard të ri të cilin në qoftë se e shkel në të ardhmen do ta gjej i njëjti fat. Aktualisht askush ende nuk ka dhënë përgjegjësi para drejtësisë por megjithëse drejtësia mund të vonoj ajo do të vendoset përsëri në vend – është rregull i universit me të cilin ka mbijetuar deri sot njerëzimi.

II- Çdo problem sjell një mundësi të re

Problemet që ka sjell kjo situatë, jo më shumë se një javë u kurorëzuan me dëme të pakompensueshme  në njerëz dhe dëme të mëdha materiale që lan dhjetëra familje pa kulm mbi kokë.  Duke mos dashur të zgjatem më shumë në problemet sepse të gjithë i ndjejmë në kurrizin tonë, po ndalem në mundësitë që dalin nga ky problem i madh. Megjithëse ato janë më shumë unë do të potencoj 2 nga ata :

  1. Është mundësia e artë që bashkëqytetarët tanë maqedonas ta kuptojnë një herë e përgjithmonë se armiku i tyre nuk jemi ne shqiptarët por është nacionalizmi i shfrenuar shtetëror i sponsoruar me miliona euro nga paratë tona të përbashkëta, i cili shërben si mbulesë gjatë kohës kur ata keqpërdorin pasurinë tonë të përbashkët, me besimin e dhënë nga vetë ne. Si shqiptarë e dëshmuan edhe në 2001, se këtë vend duam të ndërtojmë bashkërisht dhe vetëm si vend i qytetarëve ë barabartë. Bashkëjetesa ekziston por ndërtimi i saj është relacion i dyanshëm dhe për këtë duhet përfundimisht bashkëqytetarët tanë maqedonas (në masë të madhe) ta shfrytëzojnë këtë mundësi të artë dhe ta pranojnë faktin se Maqedonia është shtet multietnik dhe të gjithë qytetarët e saj janë të barabartë pavarësisht përkatësisë etnike.
  2. Qeveria teknokrate kalimtare është e paevitueshme dhe këtë e dimë të gjithë. Takimet e liderëve kanë filluar dhe është momenti që veç tjerash edhe çështja e shqiptarëve të vendoset mbi tavolinë për tu mbyllur përgjithmonë nga qeveria që do të dakordohet. Kjo është mundësia historike që agjendat etnike të përmbyllen me çka do të hapej shteg për platformat politike qytetare dhe partitë nuk do të konkurronin me demagogji nacionaliste por me program zhvillimor për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Pa u zgjidhur çështja e shqiptarëve, prosperiteti do të jetë shumë i ngadaltë, me shumë gjasa edhe i pamundur. Maqedonia ka vetëm një zgjidhje që garanton prosperitet dhe stabilitet : Shtet i qytetarëve të barabartë!

Për në fund dua vetëm të potencoj  se e gjithë kjo situatë e rëndë në të cilën po kalojmë po rilind shpresën e fundit se Maqedonia mund të bëhet një shtet normal, me qytetar normal. Po u shuajt edhe kjo shpresë….?!

Lajme të ngjashme

Back to top button