Qëllohet me karrige drejt Bashës në Ersekë, plagoset një mbështetës

Një takim elektoral i krytarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, në Ersekë është shoqëruar me incident.

Një person ka hedhur një karrige në drejtim të kryedemokratit, por objekti ka përfunduar tek një person i cili ndodhej pranë Bashës, duke e plagosur në kokë.

Kandidati demokrat i Ersekës pretendon se personi që hodhi karrigen ishte militant i majtë. Mësohet se personi i dëmtuar ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve, për shkak të dëmtimeve në kokë.

Siç raporton Noa.al, personi i plagosur është 65 vjeçari Fuat Ndini, ndërsa i dyshuari si agresor është Suel Liço, i cili është shoqëruar në polici.

Pas vizitës në spital të të lënduarit, Basha u shpreh se, “Këta që hedhin karrige ne do ti shkulim nga karriget njëherë e përgjithmonë me votë”.

Përmes një deklarate për shtyp, PD dënon dhunën në aktivitetin elektoral ku ishte i pranishëm kreu i opozitës.

PD thotë se një person i njohur për lidhjet e tij me pushtetin, hodhi një karrige në drejtim të qytetarëve të mbledhur në aktivitet duke plagosur zotin Fuat Ndini 65 vjeç.

Sipas kësaj partie mos distancimi ndaj këtij sulmi nxjerr zbuluar autorët dhe porositësit që janë të njëjtët që kanë frymëzuar akte dhune edhe në qytete të tjera kundër opozitës.

“Ky është tregues i panikut dhe frikës që ka kapur dyshen Rama-Meta nga gjykimi popullor me votë në 21 qershor. Partia Demokratike shpreh mirënjohjen ndaj anëtarëve, simpatizantëve dhe qytetarëve shqiptarë që kanë vërshuar masivisht në takimet prezantuese të kandidatëve tanë. Ne i sigurojmë ata dhe mbarë qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike do të vazhdojë dhe intensifikojë fushatën e saj dinjitoze, qytetare dhe demokratike. Partia Demokratike paralajmëron dyshen Rama-Meta se çdo përpjekje apo presion kriminal i frymëzuar dhe i paguar nga kjo dyshe, nuk do të arrijë kurrë të mposhtë vendosmërinë plebishitare të qytetarëve shqiptarë për t’i dhënë gjykimin e merituar, por vetëm do ta shtojë padurimin e shqiptarëve të bashkuar për të larguar një orë e më parë oligarkinë Rama-Meta nga keqqeverisja shkatërrimtare për Shqipërinë dhe shqiptarët”, thuhet në vijim të qëndrimit të PD./ noa.al

Lajme të ngjashme

Back to top button