Vit i punës dhe reflektimit!

Një nga ngjarjet që ia vlen të përmendet gjatë vitit 2014, ishin anëtarësimi në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura në Kosovë! Zgjedhjet e përgjithshme të 8 qershorit, ishin zgjedhjet më të mira të organizuara ndonjëherë në Kosovë, që prej përfundimit të luftës.
                        Kosova ka nevojë për udhëheqës të ndërgjegjshëm!
Gjendja e përgjithshme në Kosovë është shumë e rëndë në çdo aspekt. Duke filluar nga arsimi, shëndetësia, ekonomia, drejtësia etj. Për këto 15 vjet shteti është kapur për fyti nga politikanë të papërgjegjshëm, kriminelë, njerëz të korruptuar dhe të paditur.
Duke qeverisur njerëzit e gabuar për 15 vjet rresht, kemi ardhur në këtë gjendje të rëndë. Këta janë fajtorët për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhemi. Fajtorë për këtë gjendje të rëndë nuk janë vetëm partitë të cilat kanë qeverisur në dy mandatet e fundit, por edhe partitë që kanë udhëhequr më herët. Klasa politike në Kosovë tash e 15 vite e ka frikësuar këtë popull.
Ky popull e ka humbur besimin tek institucionet e saj në të gjitha sferat dhe vetëm me figura të pastra, njerëz parimorë dhe energji të reja mund ta kthejmë besimin e humbur të qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës. Prandaj kjo Qeveri duhet t’i japë fund keqqeverisjes në Kosovë, korrupsionit, krimit të organizuar, injorancës, nepotizmit dhe t’ua kthejë besimin dhe dinjitetin e humbur qytetarëve të Kosovës.
Vendi ynë për të dalë nga kjo gjendje e rëndë i duhet një qeverisje me njerëz të ndershëm, me duar të pastra dhe intelektualë të mirëfilltë, dhe jo siç është qeverisur deri më tash nga njerëz të pandershëm, të korruptuar, injorantë dhe halabakë. Qëllimi kryesor i kësaj Qeverie duhet të jetë ndërtimi i shtetit të së drejtës dhe pozicionimi i vlerave në shoqëri, që t’u japë pozicion vlerave dhe vetëm kështu mund ta ndërtojmë shtetin e së drejtës.
Lufta kundër korrupsionit, kriminalitetit, drogës, tregtisë me qeniet njerëzore, prostitucionit duhet të jetë një nga detyrat kryesore të kësaj qeverie. Hapja e vendeve të reja të punës, zhvillimi i bujqësisë, ndihma që duhet dhënë për t’iu kthyer njerëzit tokës, stimulimi i bizneseve të mesme dhe të vogla, krijimi i kushteve për tërheqjen e investimeve nga jashtë, rregullimi i sistemit shëndetësor të pastruar prej korrupsionit për të ofruar shërbim të gjithë qytetarëve. Sistemi i shkollimit, në të duhet të bëhen investimet më të mëdha ngaqë aty është zhvillimi, duhet krijuar kushte që studenti që kryen fakultetin të ketë mundësi punësimi, e shumë e shumë të tjera që duhet bërë për të dërguar vendin përpara.
Të bëjmë që ky vit që po vjen, të jetë vit i fillimit të veprimeve konkrete të mëdha, vit i kthesës së madhe, vit që do i japë fund një periudhë të errët e do kthejë shpresën për një ardhmëri më të mirë, të shikojmë përpara të marrim guximin të vëmë në lëvizje të gjithë potencialin që posedojmë e të bashkohemi në një të vetmin qëllim; që ta bëjmë atdheun tonë, vend ku do mund të jetojmë me dinjitet! Le të jetë ky vit një vit i punës, i realizimit të dëshirave dhe aspiratave tona!

Lajme të ngjashme

Back to top button