NJË KAVANOZ AJVAR

Nuk e dij sa shpesh ju kanë shkuar ndërmend pyetjet elementare, të llojit: Kush e zbuloi bukën, apo më mirë, kush ishte i pari që e zbuloi mënyrën se si gatuhet buka. Të tilla pyetje më lodhin së koti mendjen, sidomos në momentet kur e gjej veten duke mos u marrë me asnjë aktivitet. Ashtu lirshëm mendja bredh sa andej, sa këndej edhe ndodh që të ndalet në pyetje të këtilla. Në fakt ajo që më bezdis, përvec faktit që nuk dij të përgjigjem se kush e zbuloi bukën i pari (apo zjarrin, apo sende të tjera të cilat ne i marrim si të gatshme pa menduar aspak për to), është pyetja gati fëmijërore se pse këta heronj do të mbeten pa këngë, pa lavdi. Pse përshembull zbuluesit të simbolit nacional – ajvarit – nuk i dihet as emri, as fytyra. Pse ky person, apo kjo amvise nuk ka përmendore në qendër të qytetit. Ajo me siguri e ka bërë për të kënaqur burrin dhe fëmijët e saj. Por në fakt, na ka kënaqur të gjithëve, sepse trashëgimia e saj jo vetëm që na kënaq barkun, por në një mënyrë definon një shtet të tërë.

Ndoshta këto pyetje duken pak fëmijërore. Edhe unë e pranoj që janë pak fëmijërore. Po a nuk është tragjike që kjo heroinë, amvisja që zbuloi ajvarin, të mos gjendet mes tonelatave e tonelatave bronz e metal në formë heronjsh, luftëtarësh, mendimtarësh rrugëve të Shkupit… Ndërkaq ajvari është një ndër simbolet e këtij vendi, lene ti që sllovenët e patentuan para nesh, sidoqoftë, ajvari mbetet i joni. Cuditem se si nuk i kanë shkuar ndërmend mendjeve të ndritura politike të kohës tonë: Nikollës, Aliut, Koces edhe të tjerëve. Mendoj që, në mungesë të një fotografie të kësaj heroine, një përmendore në formën e një kavonozi me ajvar, të shijshëm, të skuqur, e meriton vendin më të mirë në sheshin qendror të Shkupit. Pse jo, edhe pranë Lekës së Madh. Të provojë Leka shijen e ushqimit, fundja edhe gastronomia është kulturë, e Leka ka përhapur kulturën antike maqedonase në gjithë botën me pushtimet e veta. Lene ti që bota thonë që kultura e tij ishte ajo heleniste, pra e gjithë popujve asokohe të Ballkanit.

Unë bile të isha si disa politikanë, kisha bërë mocion lidhur me stemën. Nuk do e kisha pranuar vetëm luanin si stemë të vendit. Besomëni propozimi im që vjen pas pak, do të ishte një zgjidhje që do t’i qetësonte gjakrat paksa edhe në taboret e BDI-së. Meqë ka anëtarë të saj të cilët refuzojnë luanin si shenjë kombëtare që do të vendohej në stemën e vendit, pse të mos bëhet kompromis: të pranohet luani, por të shtohet edhe ajvari. Fundja ajvarin e hanë njëlloj, si shqiptarët, si maqedonët. Ndoshta receptat ndryshojnë paksa, por sidoqoftë, ajvar mbetet. Ndërsa luanët mund të na hanë të gjithëve. Kësisoj, do të bëhej edhe një balanc digjestiv në stemë. Edhe principi i Badenterit do të ishte i siguruar. Jam i sigurtë që nuk ka deputet në parlamentin tonë që nuk e don ajvarin, prandaj nuk do votonin kundër. Ajvari nuk është vetëm një delikatesë, por është edhe një kujtim i vegjëlisë, një shije e mirë në gojë, një mengjes i këndshëm, një motiv për të filluar mbarë ditën. Po të ishte ajvari simboli kryesor në stemë, jam i sigurtë që të gjithë do të kujtonim me dashamirësi dhe me lavdi gjithë deputetët që do të votonin inkuadrimin e ajvarit në stemën e Maqedonisë, sepse do të na linin një shije të mirë në gojë duke na kujtuar gjithmonë ushqimin e preferuar të gjeneratave. Një popull me barkun plot, me ajvar, është një popull i kënaqur. Duke mbajtur mendjet e njerëzve të ushqyera me ushqim virtual, në letër, ata do të siguronin përjetësinë në kolltuqet e rehatshme të Parlamentit. Ndoshta si propozim shtesë do të mund të jepej ajo që para cdo seance parlamentare të shërbehej pak ajvar. Sa të bukura do ishin seancat, të gjithë të kënaqur, të lumtur, të fryrë. Sa e dua ajvarin tim…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button