Lumturia sot!

Lumturia e njeriut është dinjiteti personal, morali i mirë, harmonia familjare dhe shoqërore, solidariteti, humanizmi dhe virtyte të tjera. Duke vështruar të jetuarit në kohët e sodit hasen botëkuptime të ndryshme të lumturisë së njeriut.

Sot has njerëz me pasuri të madhe dhe me varfëri të madhe. Njerëz me famë të ngritur dhe pa famë. Njerëz të pranuar në shoqëri dhe njerëz të refuzuar në shoqëri.  Sheh njerëz të buzëqeshur dhe njerëz të vrenjtur në fytyrë.  Njerëz të shëndoshë dhe njerëz të sëmurë. Njerëz të vetmuar dhe njerëz të shoqëruar nga dikush… Lloj-lloj njerëzish hasen në përditshmërinë e të jetuarit.

Këtë fenomen mund ta vërejmë vetëm nga aspekti fizik i tyre. Po, a thua si është gjendja psiqike apo shpirtërore e tyre?! Me plotë bindje ajo është e lodhur, e rraskapitur.

Njerëzit nga jashtë të duken se kanë dinjitet të tyre por a thua a kanë vërtetë dinjitet?  A e kanë ruajtur dinjitetin e tyre personal pas vështirësive që i sjellë jeta?! E pa besueshme por e vërtetë. Sot has në njerëz që e shesin veten, dinjitetin e tyre, për përfitime personale.
Pasi që jeta, të vepruarit në shoqëri është bërë shumë e vështirë. Ka ardhur koha që njeriu të bëjë ç’mos që të arrijë aty ku dëshiron ose atë që e meriton. Ka ardhur koha që të jesh ai që në fakt nuk je, vetëm për tu bëtë si të tjerët. E kush na qenkan këta të tjerët pos se ata që e shesin , veten për sende të pakta. Ata që braktisin familjen dhe ia kthejnë shpinën më të shtrenjtës për sende të pakta. Ata që gënjejnë, vjedhin dhe manipulojnë pa mos u skuqur fytyra. Ata që kur u bën mirë s’ka më të mirë se ti ndërsa po s’u bëre mirë ose ua ktheve me të keq lërë që s’ka më të prishur se ti por edhe të gjenë belaja.

Ata që kur shohin ndonjë fëmijë në rrugë e shajnë dhe nuk i buzëqeshin duke dashur t’i tregojnë sjellje të mira dhe shembullore me vetë sjelljet e tyre. Ata që nëse shohin ndonjë plak ose plakë në rrugë nuk i ofrojnë ndihmë por i kalojnë pranë sikur të mos ekzistonin fare para syve të tyre. Ata që harxhojnë denarin e fundit në bixhoz, kafene dhe punë nga më të kota e të këqija,  ndërsa familja e tyre, prindërit, bashkëshortja dhe fëmijët u vuajnë për kafshatë buke. Ata që janë të paguar të kryejnë shërbim publike dhe janë si meritë e jotja ose tjetrit njeri në atë vend pune dhe të injorojnë, s’të marrin fare në dorë dhe të shajnë kur shkon t’u kërkosh të kryhet ndonjë punë. Ata që janë përgjegjës për shpërndarjen e njohurive, diturive, praktikave të mira ndaj nxënësve dhe studentëve e që në vend që të kontribuojnë në shpërndarjen e tyre ata sillen sikur të ishin rënë nga qielli me plotë dituri dhe dritë, e s’mendojnë aspak se “ishin të bardhë si fleta” dhe dikush i shkroi  sikur që edhe ata duhet të shkruajnë dikë e për të vazhduar ky proces. Ata që sillen me arrogancë dhe kryelartësi, sikur që do të ishin të njëjtit edhe pas 50 vitesh apo edhe më shumë, ndoshta. ..

Ata që mendojnë se do të jetojnë në përjetësi dhe asnjëherë nuk do të kalben sikur të tjerët që u kalbën para tyre. Që e humbën pasurinë, famën, pushtetin, dijen, kryelartësinë, dhe çdo gjë që posedonin. Ata janë ata që mendojnë se jeta nuk është bumerang, se nuk rrotullohet për të përjetuar të njëjtat që i pate bërë dhe në fund të të gëlltisë toka e të të kalbë dhe të të mbesin vetëm eshtrat, që sikur të të kishin pare njerëzit do të çmendeshin nga frika dhe tmerri që shihnin.

Si mundet vallë të jesh i lumtur me vese të këtilla?! Si që të të lumturojë kur sillesh keq me dikë ose i bën keq dikujt, direkt ose indirekt?! Ia prish ditën dikujt, ia thyen zemrën, e pikëllon dhe je i lumtur?! Si mundet të jesh i lumtur kur familja, fqiu ose shoqëria janë të sëmurë ose vuajnë nga diçka e ti nuk ua shtrinë dorën për ndihmë?! Si mund të jesh i lumtur kur e sheh se shoqëria ka marrë rrugën e teposhtës ndërsa ti rri e nuk ndërmerr asgjë?!…

Për të qenë i lumtur duhet që të jetosh siç jetojnë pakica e mençur. Jo rastësisht janë të mençur dhe pakicë. Sepse mu ata nuk veprojnë siç veprojnë të lartpërmendurit. Mu ata posedojnë virtytet më të larta morale që janë meritë për tu ndjekur dhe marrë shembull. Mu ata janë njerëzit e pa prishur dhe që se shesin veten, dinjitetin e tyre, moralin dhe nderin e tyre për asgjë në jetë. Kjo pakicë janë njerëzit që sillen mirë me të tjerët, u dalin në ndihmë nevojtarëve, janë shoqërues të mirë, janë të përulur dhe modest dhe të ditur, dhe të gjithë këta i bëjnë pa asnjë interes.

Ata janë të lumtur sepse ata janë të kënaqur me atë çka i ka falur dhe u ka dhënë Zoti; Dhe mu ata vazhdojnë të veprojnë ashtu që të jenë të lumtur dhe të kënaqur deri në frymën e fundit, sepse ata e dinë se të shesësh veten për asgjë nuk ka vlerë…

Prandaj për të qenë i lumtur së pari kënaqu me atë që ke, falëndero Zotin për atë që ke, ruaj dinjitetin personal, moralin e mirë, solidarizohu me njerëzit dhe mos e shitë veten për asgjë në këtë botë, sepse ti vlen më shumë se çdo gjë!

Lajme të ngjashme

Back to top button