Lufta ideologjike brenda myslimanëve

Të flasësh për luftën ideologjike brenda myslimanëve, do të thotë të prekësh në damarin e të gjitha grupeve, sepse shumë pak prej tyre do të mbesin të papërlyer me gjakun dhe hakun e civilëve të pafajshëm.

Siç ndodhë në të gjitha fetë, edhe brenda myslimanëve ekziston lufta ideologjike, që për disa është shkruar, ndërsa disa të tjera kanë mbetur tabu temë, nga frika e “mos shkaktimit të përçarjes”, që ka shkaktuar përçarje të dyfishtë prej prapa skenës.

Ideologjitë brenda myslimanëve janë të shumta, por nëse ato përgjithësohen, ato munden të futen në: ideologji që kanë mbrojtur regjimin e shtetit, ideologji që e kanë luftuar regjimin e shtetit nëpërmjet politikës, dhe e treta, ideologjitë xhihadike, të cilat nuk kanë mbrojtur regjimin po as që janë futur nëpër lojërat politike, por opsionin e vetëm e shohin marrjen e armës derisa ideologjia e tyre të jetë mbi të gjitha.

Sa i përket ideologjisë për mbrojtjen e regjimit të shtetit, çdo person i cili sadopak ka njohuri rreth botës arabe, është informuar se shumë grupe dhe sekte, kanë qenë pjesë e “strukturës” për sundimin e diktatorëve arab. Çdokush që mendon se një diktatorë nëpër shtetet arabe ka qëndruar në pushtet falë “fuqisë ushtarake”, ai nuk është prej atyre që mund të quhet si njohës i botës arabe.

Struktura e regjimeve është e përbërë prej dijetarëve, hoxhallarëve, organizatave, grupeve dhe sekteve të cilat “nëpërmjet fesë” kanë mbajtur në pushtet regjimet e botës arabe dekada me radhë. Kur e shkruaj këtë shkrim, dikujt i kujtohet Ez’heri i Egjiptit që mbronte regjimin e presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, grupet sufiste dhe alevite që mbronin regjimin e Bashar al-Assadit, grupet selefiste që mbrojnë regjimin e mbretërisë së Arabisë Saudite, Jordanisë dhe Bahrejnit, grupet esharito-maturidite që mbronin Gaddafin, dhe shumë të tjera, që kanë ndihmuar dhe do të ndihmojnë që diktatorët dhe kriminelët më të mëdhenj, të qëndrojnë në pushtet, falë “lehtësimeve fetare”.

Mos të harrojmë se pas Pranverës Arabe, ishin “dijetarët dhe hoxhallarët” ata që dolën në përkrahje të regjimeve, duke i kritikuar protestuesit të cilëve u kishte ardhur “deri në hunda”, që të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe se janë keqdashës të popullit.

Mos të harrojmë se pas daljes së grupeve opozitare në Siri, “dijetarët dhe hoxhallarët” e regjimit dolën në përkrahje të Bashar al-Assadit, duke thënë se ushtarët e regjimit sirian, janë njerëzit më të mirë në rruzullin tokësorë, edhe pse në atë kohë kishin vrarë mbi 12 mijë civil të pafajshëm.

Ideologjia e mbrojtjes së regjimit është formuar ose nënshtruar nga vetë regjimi, për ta mbajtur në qeveri diktatorin, sepse në dallim prej Evropës, në botën arabe, dijetarët dhe hoxhallarët kanë ndikimin më të madh në popull dhe kjo pikë, është keqpërdorur më së shumti. Kjo ideologji, ka luftuar ideologjinë e dytë dhe të tretë me çdo mjet që kanë pasur, vetëm që mos të rrëzohen regjimet.

Por siç shihet, posaçërisht në pesë vitet e fundit, ndikimi i tyre në popull është zbehur, sepse ta mbrosh një diktator i cili ka kryer vrasje masive dhe gjenocid mbi popullin e tij, është krim në vete dhe jo rastësisht, një prej atyre që mbronte Bashar al-Assadin, është vrarë nga grupet opozitare, thuhet se përgjegjës për vrasjen e tij është grupi opozitarë pro-amerikan, Free Syrian Army (Ushtria e Lirë Siriane).

Sa i përket lëvizjes së dytë, asaj që nëpërmjet politikës ka dashur të marrë pushtetin, na kujtohet ngjarja e partisë “Fronti Islamik i Shpëtimit”, e cila në vitin 1991 fitoi shumicën e votave, parti e cila kishte synim futjen e kushtetutës sheriatike në Algjeri, por edhe pse fitoi në zgjedhje të lira demokratike, “falë përzierjes nga jashtë”, zgjedhjet u anuluan dhe në pushtet mbeti përsëri partia “Fronti Çlirimtar Kombëtarë”, e cila përkrahej nga kolonitë që në të kaluarën kishin sunduar Afrikën Veri-Perëndimore. Si pasojë, filloi lufta civile me çka u vranë rreth 150 mijë algjerian.

Ideologjia politike në botën arabe, nuk ka qenë e suksesshme asnjëherë, sepse regjimet komuniste pro-ruse dhe ato pro-amerikane, kanë fituar zgjedhjet me 95% të votave, në disa vende me 90% të votave, ndërsa çdo lëvizje demokratike dhe islamike, ka qenë e mashtruar.

Texe Marrs, në librin e tij të famshëm “The Circle of intrigue”, kur flet për zgjedhjet demokratike në vendet perëndimore, thotë: “Në vendet demokratike masa e gjerë besojnë se të zgjedhurit përcaktohen nga votat e tyre, se ata i zgjedhin vetë drejtuesit! Ç’marrëzi! Këtyre burrave e grave të gënjyera u kanë mbyllur sytë para së vërtetës së tmerrshme, që, nëse dikush nuk ka mbështetjen e padronëve që sundojnë nga pas perdes, atëherë nuk ka asnjë lloj mundësie të fitojë”.

Parashtrohet pyetja, nëse kjo ndodhë në vendet më demokratike, atëherë çfarë mund të ndodhë në vendet komuniste dhe diktatoriale?

Lëvizja “Vëllazëria Myslimane” dekada me radhë mundohej që ta rrëzonte prej pushtetit presidentin egjiptian, Hosni Mubarak, por nuk arriti dot, sepse nuk kishte asnjë “frymë demokratike” në shtet dhe mu këtë regjim, arritën ta rrëzojnë nëpërmjet protestave dhe pastaj nëpërmjet zgjedhjeve demokratike, arritën ta marrin pushtetin, i cili nuk zgjati shumë, sepse siç thuhet, ky pushtet “është i rrezikshëm për sigurinë e Izraelit dhe interesave amerikane” dhe falë ideologjisë së parë, që përkrahën gjeneralin Sisi, Morsi u burgos, ndërsa në pushtet sot e kemi një ndër kokat e regjimit të kaluar, por edhe Mubaraku u shpall “i pafajshëm” nga gjykatat egjiptiane, me çka, siç shihet përsëri do të vjen në pushtetin “për të cilin e kishte marrë malli”.

Këtë lloj të ideologjisë e kemi edhe në tokat shqiptare, ajo e Fuad Ramiçit në Kosovë, Partia e Drejtësisë në Shqipëri dhe një lëvizje sapo e formuar në Maqedoni, edhe pse në Maqedoni, parti me frymë fetare ka pasur që para luftës së 2001-shës. Thuajse të gjitha janë ndikuar nga suksesi i presidentit turk, Rexhep Tajip Erdogan, por si duket, ata ose nuk e dinë se çfarë ka ndodhur në Turqi, ose nuk e dinë se çfarë ndodhë në tokat shqiptare.

Në Turqi ka pasur laicizëm ekstrem, i cili nuk ka lejuar shenjë fetare jashtë xhamive, ndërsa në tokat shqiptare, çdo kryetarë partie demokratike, në kohën e zgjedhjeve shndërrohen në “dijetarët e shekullit”, laicizëm ekstrem siç ka pasur në Turqi nuk ekziston, e posaçërisht në Shqipëri dhe në Maqedoni, ku femrat me mbulesa u lejohet shkollimi dhe punësimi, ndërsa sa i përket Kosovës, ne duhet njëherë e përgjithmonë ta kuptojmë se partitë politike në Kosovë, shiten “më katolik se papa” para qeverisë “në hije”, e cila komandon partitë ashtu siç duan vetë. Edhe të themi se ekziston laicizmi ekstrem në Kosovë, rezultatet e zgjedhjeve në dy grupet fetare që u kandiduan, tregojnë se populli i Kosovës nuk janë të interesuar për fryma të tilla, edhe pse përkraheshin prej hoxhallarëve më me ndikim në Kosovë.

Ideologjia e dytë, thuajse çdoherë është ballafaquar me burgosje, kurthe dhe intriga të qeverive në pushtet, dhe e freskët është ngjarja e arrestimeve të imamëve në Kosovë, për të cilën u bë bujë e madhe nga të dyja anët, njëra anë ajo myslimane e cila ishte e mbushur me propagandë se kinse janë burgosur për shkak të Islamit, ndërsa tjetra anë, ajo qeveritare, e cila propagandonte se janë burgosur për shkak të nxitjes së urrejtjes, terrorizmit dhe regrutimit. Çdo person i cili e njeh politikën në Kosovë, e ka të ditur se arrestimet e shumicës së imamëve (jo të gjithëve), ishte si hakmarrje politike ndaj hoxhallarëve të cilët “ia kthyen shpinën” partisë “së vogël” të Hashim Thaçit, e quajtur Partia e Drejtësisë. Kjo dhemb, por duhet të thuhet. Asnjë prej hoxhallarëve “që i qëndruan besnik Hashim Thaçit” nuk është arrestuar, interesant…

Sa i përket ideologjisë së tretë, ideologjia xhihadike, ajo ka hasur në manipulime dhe tradhti nga ana e fuqive botërore. Ishin mu grupet xhihadike që mposhtën Rusinë në Afganistan, në kohën kur i konvenonte SHBA-së dhe ishin mu ata që luftojnë kundër SHBA-së në Afganistan, në kohën kur i konvenon Rusisë.

Në të shumtën e rasteve, grupe të tilla manipulohen nga qeveritë arabe, sepse “xhihadi lokal” është pjesë e gjeo-politikës për dobësimin e një shteti në favor të një shteti tjetër, dobësimin e një regjimi në dobësim të një regjimi tjetër. Fakti më i mirë është ai i Afganistanit, ku në Arabinë Saudite, dijetarët dhe hoxhallarët në çdo xhami bënin thirrje që të përkrahen talibanët kundër Rusisë dhe shumica e atyre që shkuan dhe mbetën gjallë, kur u kthyen në Arabinë Saudite, u ballafaquan me dy zgjidhje: Ose të burgosen, ose t’i nënshtrohen regjimit saudit.

Mos të harrojmë se talibanët, të cilët njihen si popull rezistues, të cilët vazhdojnë të jetojnë me traditat e tyre, po të njëjtët, kur filluan të rezistojnë kundër pushtimit amerikan në Afganistan, hasën në kundërshtime të ashpra nga dijetarët dhe hoxhallarët e njëjtë të Arabisë Saudite, e cila njihet si aleat amerikan.

Ideologjia “e luftës” është përdorur edhe për kushtëzimin e shteteve, një prej tyre është edhe PKK-ja, e cila ndihmohet dhe furnizohet me armë prej Izraelit. Kjo organizatë çdoherë ka qenë kërcënim për Turqinë dhe sot po kjo organizatë, e cila në vitin 1997 është shpallur si organizatë terroriste prej Departamentit Amerikan të Shtetit, ndihmohet kundër një armiku tjetër. Thuhet se armiku i armikut tim, është miku im…

Ideologjia xhihadike është përdorur edhe për shitjen e armëve, ku në fillim të revolucionit sirian, kallashnikovi rus është shitur me çmim prej 5000 dollarë, e sipas disa analizave tjera, me çmim deri më 7000 dollarë.

Ideologjia xhihadike, është luftuar nga ideologjia e parë dhe e dytë, sepse ka qenë rrezik për ekzistimin e të dyjave, por disa herë kjo ideologji u ka konvenuar fuqive botërore për dobësimin e armikut të tyre. Kështu, xhihadistët çeçen janë financuar prej Arabisë Saudite, Katarit dhe Kuvajtit. Xhihadistët sirian të lëvizjeve Xhejsh el-Islam dhe Ahrar al-Sham, financohen nga shtetet e njëjta.

Në shkrimin e “heshtjes së SHBA-së për ngjarjet në Siri”, kam përmendur se dobësimi i regjimit sirian i ka konvenuar fuqive perëndimore, por nuk kanë besuar se situata del prej kontrolle.

Ideologjia xhihadiste bëhet e rrezikshme atëherë kur del jashtë kontrollit dhe shndërrohet në një ideologji globale e cila ka synim marrjen e resurseve nën kontroll të tyre. Projekti i ISIS-it për formimin e një shteti me të gjitha organet kompetente, qofshin ekonomike apo ushtarake, nuk është mirëpritur nga askush, sepse është kërcënim për çdo shtet në botën arabe që mbrojnë interesat amerikane dhe ato ruse.

Prandaj sot, për luftimin e ISIS-it, bashkëpunohet me një organizatë terroriste siç është PKK-ja, armike e Turqisë, kundër ISIS-it, me qëllim që xhihadi i tyre të mbetet lokal dhe mos të shpërndahet si merimangë në vendet tjera. Nëse lihet e qetë, nuk do të ketë siguri për Jordaninë, Arabinë Saudite, Kuvajtin dhe Katarin, por nuk do të ketë siguri edhe për Libanin dhe Iranin, ashtu siç nuk ka më siguri për Irakun dhe Sirinë.

Kur ideologjia xhihadike shndërrohet si ideologji globale, dijetarët dhe hoxhallarët që mbajnë regjimet në pushtet, e luftojnë me çdo mjet që kanë në dorë, sepse rrëzimi dhe zhdukja e regjimit, nënkupton edhe zhdukjen e strukturës së tij.

Kohëve të fundit, shumë prej atyre që ideologjinë e dytë e kanë parë si opsion më të mirë në botën arabe, i janë bashkëngjitur ideologjisë xhihadike për shkak të shtypjes dhe padrejtësisë që kanë hasur gjatë përpjekjeve politike. Një numër i madh i anëtarëve dhe aktivistëve të lëvizjes “Vëllazëria myslimane” sot i janë bashkëngjitur grupeve xhihadike në Siri dhe Irak, po ashtu, vlen të ceket se Ansar al-Shariah që rrëzoi regjimin e Gaddafit, është formuar prej aktivistëve më të mëdhenj të lëvizjes “Vëllazëria myslimane”. Këtë e shohim edhe në Irak, ku shumë fise sunite i janë bashkëngjitur ideologjisë xhihadike për rrëzimin e regjimit shiit në Irak, edhe pse në të kaluarën ishin pjesë e politikës së përditshme irakiane.

Të gjitha këto grupe që i përmendëm, luftojnë mes vete se kush do ta udhëheqë botën arabe, a do të jetë regjimi pro-rus, ai amerikan apo do të udhëhiqet nga vetë arabët. Gjaku vazhdon të derdhet, në favor të fuqive botërore, të cilat janë edhe eksportuesit më të mëdhenj të armëve në botë.

Lajme të ngjashme

Back to top button