Palestinezët me sytë nga BE

Është njohur deri më tani nga 135 shtete por kjo nuk e ka ndihmuar shtetin e Palestinës që të jetë anëtare e barabartë e Organizatës së Kombëve të Bashkuara. Palestinezët krijuan shtetin e tyre më 15 nëntor të vitit 1988 dhe për 26 vite me radhë janë përpjekur që të anëtarësohen në OKB, veprim i cili është përballur me veton e SHBA-së. Megjithatë vitet e fundit konflikti i zgjatur me Izraelin dhe ndërtimet që shteti hebre po bënë në territorin palestinez, kanë ndikuar në ndryshimin e opinionit ndërkombëtar ndaj kësaj çështje. Suedia është shteti i radhës që njohu pak javë më parë Palestinën dhe vendimin e vendit nordik pritet ta ndjekin fqinjët e tij por edhe disa shtete të tjera të BE-së. Vendimi i vendeve anëtare të BE-së për të njohur ose jo shtetin e Palestinës do jetë mesa duket çelsi i palestinezëve për të hapur derën e OKB-së.

BE drejt njohjes përfundimtare

69.9% e vendeve anëtare të OKB-së njohin shtetin e Palestinës dhe pjesa më e madhe e atyre shteteve që nuk e kanë marrë ende këtë vendim ndodhen në Europë. Vetëm 9 nga 28 vendet anëtare të BE-së njohin e shtetin arab, megjithatë lëvizjet e fundit tregojnë se gjërat po ndryshojnë në favor të palestinezëve. Suedia dha sinjalin e qartë se vendet e BE-së po shkojnë drejt njohjes përfundimtare të Palestinës.

Më 29 shtator të këtij viti, Parlamenti Europian kaloi një rezolutë ku i bënte thirrje vendeve anëtare që të mbeshtesnin kërkesën e palestinezëve për tu prezantuar si shtet në Kombët e Bashkuara. Ndërkohë që gjatë muajt dhjetor PE do të njoh atë si shtet të pavarur, duke shtyrë përpara shtete të tjera të BE-së të marrin këtë vendim.

Shtete me peshë brenda BE-së, si Britania e Madhe dhe Franca kanë bërë të qartë se njohja e Palestinës është e pashmangshme edhe pse do të duhen edhe pak vite për bërë një hap të tillë.

Në tetor të 2014, Dhoma e Komunëve në Britani miratoi një mocion jo detyrues me 274 vota pro dhe 12 kundër, ku i kërkohej qeverisë të njihte shtetin e Palestinës.

Më e vendosur në qëndrimin e saj ka qenë Franca, kur ministri i Jashtëm Laurent Fabius, deklaroi pak ditë më parë se vendi i tij do të njohë shtetin e Palestinës, nëse përpjekja e fundit ndërkombëtare për të tejkaluar konfliktet mes izraelitëve dhe palestinezëve do të dështojë, duke propozuar një periudhë 2-vjeçare për t’i dhënë fund konfliktit përmes një rezolute të mbështetur nga OKB. “Nëse kjo përpjekje e fundit për të arritur një zgjidhje të negociuar dështon, atëherë Franca do të duhet të bëjë atë që i takon, duke e njohur pa vonesa shtetin e Palestinës. Ne jemi gati”, tha Fabius.

Parisi është duke punuar së bashku me Londrën dhe Berlinin për të hartuar një rezolutë në Këshillin e Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, e cila nëse miratohet do të rinisë dhe do t’i përfundojë negociatat brenda 2 vjetësh, duke i dhënë fund pushtimeve të Izraelit në nëntor të 2016.

Gjermania është fuqia e vetme brenda BE-së, e cila vazhdon të mbetet e pavendosur për njohjen e fqinjit të Izraelit. Kancelarja Angela Merkel, është shprehur se vendi i saj kërkon një zgjidhje ku përfshihet shteti i Palestinës, por për këtë duhet të nisin negociatat me shtetin hebre.

Kundërshtimi amerikan

SHBA ka qenë e prerë në qëndrimin e saj për të mos njohur shtetin e Palestinës. Të njohur si aleatë strategjikë të Izraelit, SHBA ka vendosur veton për çdo tentativë të shtetit arab për tu anëtarësuar në OKB.  SHBA mbajti të njëjtën linjë kundërshtimi edhe gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombëve të Bashkuara më 2012, për ti dhënë Palestinës statusin vëzhgues të vendit jo-anëtar. Megjithatë, administrata e presidentit Barack Obama ka dënuar disa herë vendimin e Izraelit për të vazhduar ndërtimet e banesave për hebrenjtë në territorin palestinez.

Ndonse nuk e njeh Palestinën, SHBA ruan një marrdhënie diplomatike normale me këtë shtet dhe qëndrimi i Europës në dy vitet e ardhshme do ta vendosi aleatin përtej atlantikut në pozita të vështira për të vënë edhe një herë tjetër veton kundër një shteti që në të ardhmen e afërt pritet ta njohin pothuajse të gjitha vendet anëtare të OKB-së.

Shqipëri-Palestinë

Pesë nga gjashtë vendet kandidate për tu anëtarësuar në Bashkimin Europian e njohin tashmë pavarësinë e Palestinës. Shqipëria, Serbia, Bosnie-Hercegovina, Mali i Zi dhe Turqia e kanë marrë këtë vendim prej vitesh, ndërsa Maqedonia ende nuk e njohur shtetin arab. Shqipëria ka qenë një prej vendeve të para që ka njohur këtë shtet. Regjimi komunist e njohu Palestinën vetëm dy ditë pas shpalljes së pavarësisë dhe sot në Tiranë ndodhet e hapur ambasada e këtij e shteti. Qëndrimi i mbajtur nga Tirana ndaj kësaj çështjeje ka ndryshuar gradualisht gjatë periudhës së tranzicionit dhe afrimit të Shqipërisë me SHBA e Izraelin. Gjithsesi, duhet thënë se qëndrimi i mbajtur nga diplomatët palestinez për çështjen e Kosovës ka qenë tërësisht pro serb, duke e konsideruar Republikën e Kosovës në takime me zyrtarë të lartë serb dhe në dalje publike si zemër të Serbisë. Kjo ka ndikuar jo pak në ftohjen e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Palestinës, e cila është bërë e qartë në vitin 2012 ku Tirana abstenoi gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për ti dhënë Palestinës statusin vëzhgues të vendit jo-anëtar.

Kevin Sinani

Lajme të ngjashme

Back to top button