BOTË PARALELE

Politikani i pafajshëm nuk ka lindur dhe s’ka për të lindur. Ai që s’dëshiron të bëjë mëkate, thotë Cvajgu, duhet t’i ngrys ditët në vetmi.

Politikani vepron në botën e egër ku priten interesa të shumta. Konfliktet e mëdha lindin për shkak të interesave të mëdha. Ata që kërkojnë politikanë të pafajshëm, gabimisht e kërkojnë vetmitarin. Politikanët nuk janë vetmitarë. As të pamëkatë. Në botën ku gjallojnë, botën mëkatare, kanë nevojë të përhershme për të tjerët – ithtarët e tyre…

Politikanët nuk janë të gjithëdijshëm. Këtë imazh ua sajojnë ekipet e padukshme. Sa më pak trajtohen të këtillë, aq më shumë jemi pjesë e një shoqërie më të lirë. Sa më shumë konsiderohen të pagabueshëm, aq më shumë jetojmë brenda botës mashtruese.

Ka që e dinë këtë mungesë gjithëdijshmërie dhe heshtin. Ka që e dinë këtë mungesë gjithëdijshmërie dhe bëhen pjesë në krijimin e këtij mashtrimi. Ka që nuk e shohin fare mashtrimin dhe besojnë me naivitet. Ata që marrin pjesë në krijimin e mashtrimit janë bashkëpjesëmarrës në mëkat. Shumica që i besojnë gënjeshtrës janë të paditur…

Njeriu i veshur me pushtet detyrimisht merret edhe me çështje mediokre. Pushteti ka fuqi magjike. Ne që s’e kemi provuar shijen e pushtetit, shpesh flasim duke u nisur nga parime etike. Ata që janë pjesë e pushtetit ose e luftës për pushtet, nisen nga qëllime pragmatike.

O pasuri, o pushtet”, klith Mbreti Edip i Sofokliut.

Shkrimtari i njohur boshnjak Mesha Selimoviq thotë se për shkak të pushtetit ka që vrasin dhe ka që vriten. Për shkak të tij humbet fytyra njerëzore. “Është joshës si guri magjik, sepse fal fuqi. Është shpirti i dalë prej llambës së Aladinit, në shërbim të çdo budallai që e mban në dorë”.

Në thelbin e tij pushteti nuk është as i urtë, as i ndershëm, për sa kohë vullneti për fuqi është i paskajshëm, thotë ai, dhe shton se në pushtet njeriu bëhet qyqar; kërkon lajkatarë; mbiçmon vetveten; i konsideron njerëzit si budallenj; i fsheh mendimet para tyre; i jep të drejtë vetes të dijë gjithçka dhe nuk e dëshiron kontestimin e mendimeve të tij. Njeriu në pushtet, duke mos qenë i zgjuar sa paraqitet, mbi të gjitha i urren ndryshimet. Pavarësisht se fjala “ndryshim” mund të dëgjohet shpesh, politikanët e duan “ndryshimin” e të tjerëve, por jo të vetvetes. Ndonëse shprehen për mendimin e lirë, ata nuk i durojnë kritikat.  “I përtypin” kur s’kanë nga t’ia mbajnë. Sa më pak kritikohen, aq më shumë bota në të cilën jetojmë shfytyrohet dhe dalëngadalë bëhemi pjesë e mashtrimit…

Kam biseduar me shkrimtarë e intelektualë të zotë, që e kanë provuar politikën. Sado kanë tentuar të ruajnë higjienën personale, sërishmi, me kalimin e kohës, e kanë humbur sensin e reflektimit dhe kanë rënë pre e kërkesave mizore të politikës. E kanë humbur vetminë dhe janë rrotulluar në vorbullën marramendëse të politikës ditore, duke u futur në dimensione të panjohura dhe të pabesueshme paraprakisht. Si gjithë politikanët, janë marrë me gjëra të papranueshme për ta sa kanë qenë shkrimtarë apo intelektualë. Kështu, kërkuesit e vazhdueshëm të lirisë dhe avokatët e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, papritmas janë shndërruar në kufizues lirie dhe indiferentë ndaj nëpërkëmbjes së këtij dinjiteti. Kritikuesit e cenuesve të vlerave etike, janë kënaqur me lolot e “oborreve” të tyre. Përçmuesit e servilëve, të rrethuar me servilë, çuditërisht u kanë besuar atyre dhe paradoksalisht i kanë admiruar. Në çaste të caktuara vet janë servilosur. Përçmuesit e rutinës, të zakonshmes, të përsëriturës, janë joshur nga refrenet e zakonshme dhe kanë humbur kontaktet me muzat. Zëri i poetit, shkrimtarit, intelektualit është mekur dhe ka triumfuar një tjetër zë, nëpërmjet të cilit janë artikuluar mendime nga më të zakonshmet. Gjuha e dikurshme, e magjishme, është zëvendësuar me gjuhën e zhveshur, që mund ta flet sekush. Shikimi i tyre është shtrirë së jashtmi dhe jo së brendshmi. Makthet e krijimit janë zëvendësuar me makthe pushteti.

Pasi i kanë humbur ose i kanë harruar sivëllezërit e tyre të artit apo shkencës, i kanë zëvendësuar me “sivëllezërit” e ri të politikës. Miqësitë e përhershme janë këmbyer për “miqësi” të përkohshme. Derisa me të parët dikur i lidhnin pasionet dhe kjo ishte miqësi ku nuk i bëhej vend interesit, me të dytët çdo afërsi bëhet për interesa çasti, që sigurojnë karrierë dhe mbijetesë të përkohshme politike. Dhe sa më shumë janë fundosur në baltinën e gjallë të politikës, aq më shumë janë bërë të padukshëm ose të parëndësishëm miqtë e tyre të dikurshëm, që kanë vazhduar të jetojnë me ëndrrën e tyre të lirisë së pakufizuar, por jo dhe arbitrare.

Kështu, te politikanët, kërkesa për një botë më të bukur është zëvendësuar me qëllimin për një botë më të përshtatshme të çastit dhe kështu, duke u zhytur sa më thellë në përmasat e saj, ka ardhur çasti kur janë bërë të varur, ashtu si i droguari, prej helmeve të kësaj bote krejtësisht të ndryshme nga ajo paraprakja. Dhe vetëm humbja e luftës politike, fillimisht e shoqëruar me zhgënjime, për shkakun se e kanë humbur botën mediokre, u ka mundësuar t’u shfaqej sërishmi, si vegim, bota tjetër, e dikurshmja, e humbura, me të tjera ligjësi nga bota e politikës. Atëherë e kanë kuptuar, disi, se me humbjen e botës mizore të politikës kanë rifituar botën e dikurshme, atë botë që ua ka rifalë ëndrrat, qartëpamësinë, ndonëse, herë pas here, kanë ndjerë sërishmi thirrjet shituese të sirenave të pushtetit, të cilat i kanë joshur me zërin e tyre të ëmbël deri në çmendi, për t’ua falur kënaqësitë vrastare të botës ku “çdo buzëqeshje është një kamë”, sikurse thotë Shekspiri. Pra, ngjashëm sikurse ish- duhanxhiu i pasionuar dehet, pas sa e sa vitesh, nga era e nikotinës.

Pasi kanë provuar të dy botët, shumë prej tyre, që nuk e kanë pasur njolla të theksuara në ndërgjegje, i kanë mbyllur veshët përballë këtyre sirenave dhe janë kthyer në Itakën e qetësisë, në vend se të rrugëtonin sërishmi drejt botës së trazuar, mbushur me zemërime të shumta, me intriga, me vigjilencë mizore kundrejt armikut, i cili mund të shfaqet befas edhe nga manteli i “miqve” të ri.

Por janë raste shumë të rralla.

Nga bota e parë hyn me lehtësi në botën e dytë, por vështirë kthehesh në të parën. Çdo njeri që ka provuar politikën, pavarësisht kulturës së tij, patjetër se është pushtuar së brendshmi nga djalli i lashtë sa njerëzimi – vullneti për pushtet, fuqi e mbijetesë. Kjo botë mizore e politikës është pothuajse kudo e njëjtë, por është çmendurisht më e egër aty ku politika është luftë për jetë a vdekje dhe jo arritje paqeje ndërmjet njeriut dhe shoqërisë…

E megjithatë, sado që mund ta urrejmë politikën, e cila mund ta shëmtojë edhe fytyrën më të bukur, sërishmi kemi nevojë për të, sepse i ndryshon gjërat dhe nuk ka popull të lirë që vepron përtej hapësirës politike. E që politika të mos marr pamje demoniake, ka nevojë edhe për angazhimin e elitave mendore, të cilët mund të mbrojnë, aq sa munden, synimin nistor të saj.

Ata që kritikojnë politikanët, sepse sikurse e thamë më lartë, njerëzit e veshur me pushtet përçudnohen, shpesh herë trajtohen si njerëz që nuk veprojnë dhe nuk pajtohen me asgjë. Megjithatë, falë tyre kjo botë bëhet më e bukur se sa është. Aty ku shuhet ose përçmohet mendimi kritik, liria është fjalë goje, është nocion abstrakt. Elita mendore, e tillë siç është, ka detyrim moral të angazhohet në shoqëri. Përveç nëse i ka shkëputur lidhjet me misionin e saj jetësor. Fatkeqësisht, po shtohen pjesëmarrësit në krijimin e mashtrimit të madh. Shembuj kemi plot. Ata ndonëse duan të na bindin se i takojnë botës sonë, në fakt ata janë përtej, në botën tjetër…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. kenaqesi te lexosh mbi arsyetimet, pikepamjet, botekuptimin … e z. Salihut, i cili mbetet nder intelektualet e rralle ketu ne kete vend qe shpreh kritiken dhe protesten e tij njerezore dhe intelektuale ndaj te keqes qe ka hyre brenda ne kete shoqeri habitshem dhe turperueshem amorfe… nje stil qe te evokon Sartrin… personalisht pres nje roman te ri nga autori 🙂

Back to top button