Ademi informon studentët për reformat në arsim

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Abdilaqim Ademi ka realizuar takim me kryetarët e Parlamentëve të studentëve të Universiteteve publike në vend. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski dhe Elizabeta Todorova, sekretare shtetërore.

Në takim të parë u diskutua për bashkëpunimin në mes ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe unioneve të studentëve dhe temat që i tangojnë studentët.

Ministri Ademi i njoftoi Kryetarët e Parlamentëve të studentëve me reformat që bënë ministria, përkatësisht Qeveria e Republikës së Maqedonisë në arsimin e lartë, dhe në veçanti i njoftoi për idenë e aplikimit të provimit shtetëror në arsimin e lartë. Kjo ide, theksoi ministri Ademi, është në fazën e analizës dhe shqyrtimit publik dhe se qëllimi kryesor është ngritja e cilësisë së arsimit. Gjithashtu, u theksua se, nëse do të aplikohet kjo metodë nuk do të jetë model që do të cënojë autonominë e Universiteteve dhe në këtë rast do të shfrytëzohen përvojat e vendeve evropiane.

Kryetarët e Parlamentëve të studentëve përshëndetën iniciativën e ministrisë për takim me përfaqësuesit e studentëve në Universitete publike dhe njëherit shprehën gatishmërinë e tyre për të vazhduar bashkëpunimin me ministrinë e Arsimit dhe Shkencës me qëllim të arritjes së prioriteteve të përbashkëta.

Kryetarët e Parlamentëve të studentëve theksuan se përkrahin debatin dhe përfshirjen aktive të të gjithë palëve të tanguara për realizimin e idesë për provimin shtetëror, në veçanti studentët dhe bashkësinë akademike me qëllim që kjo të jetë në dobi të tyre.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button