VARFËRIA, KJO!

Cka ka nxjerrë më shumë njerëz nga varfëria? Bamirësia apo liria ekonomike? Mendoj që dallimi është i pamatshëm.

Bamirësia është e mrekullueshme; jam i pari që do të proklamoja që secili prej nesh e ka obligim të ndajë pasurinë e vet me nevojtarët dhe të skamurit. Ndarjen e pasurisë tonë, qoftë materiale apo intelektuale, secili do ta bëjë në mënyrën e vet. Por sidoqë mund ta kuptojmë bamirësinë, qoftë si një ndërmarrësi personale apo grupore për të rishpërndarë të mirat tona – bamirësia është rishpërndarje e vullnetshme – qoftë si një formë më pak fisnike, nëpërmjet programeve shtetërore të “bamirësisë”, sidoqoftë për të shpërndarë bamirësi, duhet të ekzistojë pasuria. Por prej ku rrjedh pasuria?

Në kohët mesjetare apo edhe më herët, një njeri i pasur përshembull është konsideruar ai i cili ka poseduar 100 kokë dhen. Por krahasoheni pasurinë e atij njeriu të asaj kohe me atë të një rrogëtari të zakonshëm sot, që posedon veturën dhe shtëpinë e vet, me të gjitha orenditë si TV, kompjuter, frizhider etj. Ky i fundit do të ishte shumë i pasur në syte e njeriut të mesjetës. Arsyeja është shumë e thjeshtë: sot ka shumë më shumë pasuri se cka patur para disa shekujsh. Mësimi i parë që mund të nxjerrim nga kjo është se pasuria mund të krijohet. Pasuria krijohet me rritjen e produktivitetit. Nëse njeriu i mesjetës do të kishte dijet e sotme lidhur me rritjen më efikase të dhenve apo kultivimit bujqësor, ai do të kishte qenë shumë më i pasur, si sot, ashtu edhe në mesjetë.

Për të qenë më produktivë njerëzit duhet të kenë motivime. E vërteta është se motivi kryesor për zhvillim dhe krijim të pasurisë së përgjithshme është profiti, sado që profiti mund të trajtohet si e keqja e botës nga demagogët. Në një botë pa profit, pa mëkate, nuk do të kishte nevojë për profit. Sepse nuk  do të kishte lakmi mes njerëzve. Në një botë të tillë, nëse paraqitet nevoja per një të mirë të caktuar, të gjithë do të organizoheshin që të ndihmojnë nevojtarët.

Megjithatë njerëzit e shëndoshë jetojnë në botën reale, ku rregullat janë ndryshe. Rregulli kryesor thotë që motivimi spiritual apo religjioz për të mirën e përgjithshme pa interesa personale, është motivimi më I lartë në piramidën e motivimeve, por edhe më i rralli. Aq më pak mund të motivojë një popull të tërë për të përmirësuar mirëqenien e vet. Individualizmi dhe interesi personal për profit janë fuqitë që vënë botën në lëvizje dhe krijojnë mirëqenie për të gjithë. Nëse Bill Gates nuk do të ishte shtyrë nga interesat personale për pasurim, atëherë ne nuk do të jetonim në këtë botë në të cilën jetojmë. Për hir të inovacioneve kompjuterike të këtij gjeniali të kohës, jeta jonë është më e mirë. Megjithatë motivi i Bill Gates për të krijuar imperinë të cilën e ka krijuar dhe pasurinë e tij të pamatshme, nuk ka qenë e mira e përgjithshme, por interesi personal. Të gjitha të tjerat janë efekte dytësore që pasojnë idetë dhe njerëzit e mëdhenj.

Për të kënaqur nevojat tona personale, a do të ishim mbështetur në dëshirën e mirë të bashkëvendasve tanë apo në interesin personal për profit dhe mirëqenie? Përgjigja është shumë e thjeshtë: shikoni të gjitha të mrekullitë e shkencës dhe medicinës, të gjitha lukset rreth vetvetes dhe mendoni sa prej këtyre të mirave janë krijuar për të mirën e përgjithshme, dhe sa prej interesave për pasurim personal të disa individëve? Bamirësia është e mrekullueshme, por gjithashtu është shumë e rrallë.

Vetëm bamirësia dhe lëmosha e shtetit është më e zakonshme. Dhe kjo siç thashë më lartë nuk bëhet fare për qëllime fisnike. Edhe kjo bëhet për interesa të caktuara profitabile, tani jo më të një individi, por një grupi të bashkuar individësh të quajtur parti politike, apo në formën e vet më të avancuar, qeveri. Tani, kur je në lëmoshë të dikujt tjetër, jeta jote varet nga lëmosha e tij. Edhe për grupet e caktuara të një populli vlen e njejta aksiomë. Nëse 1/3 e popullsisë së Maqedonisë është e varfër, siç e ceka në shkrimin tim të kaluar, atëherë ajo është e varur nga disponimi dhe dëshira për bamirësi të një grupi më të fuqishëm. Ky grup mund të jetë i organizuar në formë politike, por mund të jetë i organizuar edhe në forma tjera të ngjashme – themi religjioze – kisha e xhamia, bashkësi fetare. Këta grupacione të caktuara fuqie na mbajnë nën kontrollë të përhershme vetëm sepse kontrollojnë lëmoshën dhe bamirësinë.

E vetmja mënyrë për të kthyer në rrugë të drejtë ekonominë e këtij vendi, të secilit vend, rrjedhimisht edhe përmirësim të mirëqenies dhe shpërndarje të re të pasurisë, është kthimi i lirisë ekonomike. Që një vend të arrijë maksimumin e potencialit të vet ekonomik dhe për të prodhuar sasi sa më të madhe të pasurisë, duhet të ekzistojë një motivim shumë i fuqishëm për profit. Për të arritur këtë duhet krijuar apo mundësuar liri absolute për ekonominë. Lidhja mes lirisë ekonomike të një vendi me prosperitetin e këtij vendi është shumë e fuqishme dhe e patjetërsueshme. Bëjeni këtë pyetje: pse mërgimtarët tanë ia dalin aq mirë në vendet e jashtme, duke u pasuruar dhe krijuar prosperitet për veten dhe familjet e tyre, ndërsa në vendin e tyre nuk ia dalin dot? Arsyeja për këtë është pikërisht liria ekonomike që jua mundëson vendi nikoqir. Atje ata kanë lirinë të zhvillojnë biznese dhe të pasurohen ashtu si mendojnë vetë që është më mirë, kuptohet gjithmonë konform ligjit. Ndërsa për t’u pasuruar në vendin tonë, ti duhet së pari të korruptosh dhe të pasurosh gjithë politikanët dhe inspektorët që të dalin para vetes, të kalosh barrierat ligjore dhe administrative për udhëheqjen e biznesit tënd legjitim dhe t’I bësh ballë dobësisë së institucioneve shtetërore.

Liria ekonomike humbet duke mos e vlerësuar. Sikur të dijmë të vlerësojmë atë si shpëtimin tonë, atëherë e ardhmja do të jetë më e mirë për të gjithë ne. Zgjedhjet tona do të jenë më të mira dhe më të lira.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Një koment

  1. Shkrim mjaft i bukur, i dobishem edhe per ne amatoret.
    Parim vetem vazhdo keshtu! Uroj suksese, ti i meriton.

Back to top button