Reagim qytetar apo revoltë sociale e shoqërisë?

A do të arrijë opinion qytetar këtë herë të vendosë autoritetin e tij mbi institucionet që po bëjnë sehir? Merua nuk shitet, ndërsa mediat në Shqipëri janë të kontrolluara dhe të shitura. Shikojmë Meron në gazetën “Tema” dhe deputetin Erion Braçe në Parlamentin e Shqipërisë. Të dy kanë marrë mbi vete denoncimin politik të korrupsionit në Shqipëri dhe po ngrenë zërin e arësyes për ndëshkimin prej drejtësisë të fajtorëve. Shikoni veprimtarinë e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Shëmbulli i respektimit të përgjegjësive shtetërore, pavarësisht mbështetjes politike. Milionat e abuzimeve, mori individësh të denoncuar në Prokurorinë e Përgjithëshme, dhe në krahun tjetër, vetëm zvarritje dhe heshtje. Ky institucion Kushtetues ka kohë që u bie kambanave të alarmit kundër korrupsionit dhe antiligjit. Këta mund të duken si zëra të vetmuar në morinë e strukturave dhe individëve që po shfaqen me ngarkesa për skandalin, por gjithësesi janë zëra të ndershëm.

Të gjithë shikojmë me bindje që, mekanizmat nuk lëvizin nga vendi, sepse janë të përlyer në një skemë neopotike kancerogjene, që na kujtojnë rrjetën vrasëse të merimangës së zezë. Ka akuza të drejtëpërdrejta edhe për Kryeministrin në opinionin shqiptar nga individë të veçantë mediatik dhe sa të vërteta mund të jenë këto, ne duhet ta dimë. Injorimi me heshtje jo gjithmonë është i arësyetuar. Prononcimi së fundi i Qeverisë për qëndrimin drejtë “ndëshkimit shëmbullor dhe respektimin e pavarësisë në reformimin e Bankës së Shqipërisë”, edhe pse i vonuar, ka mesazhin drejtë organit të akuzës dhe drejtësisë, duke harruar që, veçanërisht Prokurori i Përgjithshëm është i përfshirë në konflikt interesi në emërimin e tij, prej lidhjeve neopotike të subjetit që e emëroi dhe të stafit që bubullon rreth Ardian Fullanit. Adriatik Llalla e ka të vështirë të hedh hapin serioz që do ta ngrinte lartë rolin e akuzës në këtë rast.

Mosmbajtja e qëndrimit të hapur individual e Kryeministrit dhe e faktorit përgjegjës politik, ngarkon me përgjegjësi jo vetëm morale, por dhe juridike, kushtetuese, sepse në një rast të tillë, veprimi më i zakonshëm do të ishte njoftimi zyrtar i Prokurorisë së Përgjithëshme prej institucionit të shtetit mbi këtë person juridik të diskretituar, edhe pse Banka e Shqipërisë ka pavarësinë e saj. Për opinionin e tejlodhur shqiptar vazhdojnë të hidhen në tregun mediatik problem të tjera, të cilat me ose pa dashje, spostojnë vëmendjen nga problem i megaskalndalit në Bankën e Shtetit. Me këtë nuk dëshirojmë të themi që, shteti duhet të ndalojë kursin e reformave, por njeriu i thjeshtë shqiptar i kthen sytë në çdo rast drejtË Qeverisë. Qëndrimi i Berishës në lidhje me skandalin financiar është një hap para dy hapa prapa, duke dalë indirekt në mbrojtje të figurës më të përfolur sot në opinionin shqiptar, Ardian Fullanit. Ky i fundit duhet ta fitojë pafajësinë (nësë rezulton i tillë!!) vetëm në organet e drejtësisë. Askush prej politikës nuk ka të drejtë të bëjë avokatin e tij. Askush nga politikanët e çdo krahu, nuk kanë të drejtë të krijojë artifica dhe të injorojnë apo të ngatërrojë drejtësinë.

Qëndrimi dhe kërkesat qytetare na kujtojnë dhe na detyrojnë të mos harrojmë. Të mos harrojmë se, pushteti politik vetëm sa ka ndryshuar ekzekutivin, ndërsa në hallkat e tjera vazhdon të sundohet nga pushteti i Berishës. Kemi një qeveri, e cila ndryshe nga më parë, po bën përpjekje të ndryshojë situatën, por që është e detyruar t’i nënshtrohet “ndarjes së pushteteve” dhe ngërçit të mosfunksionimit të shumicës parlamentare për reforma të thella me karakter kushtetues. Të mos harrojmë që, kemi një Prokuror të Përgjithëshëm me konflikt interesi, kemi një drejtësi problematike, të politizuar dhe të korruptuar, me pak zëra nga brenda, që përfaqësojnë vërtet drejtësinë. Kemi një Kryetar Shteti, aspak bashkëveprues në luftën kundër së keqes që na ka mbërthyer për fyti, që më së shumti po bën rolin e nënkryetarit të PD-së, kur në fakt duhet të jetë një gjë krejt tjetër në këtë situatë. Kemi një organ të lartë të Drejtësisë të korruptuar (KLD), ku elementë të denoncuar mbrohen në mënyra skandaloze. Kemi një sistem OJQ (disa mijëra) që abuzojnë dhe janë kthyer në bisht të politikës dhe lavatriçe të pastrimit të parave dhe gëlltitjes së fondeve e donacioneve për interesa të krerëve të tyre në bashkëveprim edhe me fije jashtë Shqipërisë. Të mos harrojmë në fund të fundit që, kemi një Parlament të mbushur me mediokër, të paaftë, njerëz të interesave të biznesit që kanë kapur politikën, një tufë deputetësh të armiqësuar midis tyre në ekstrem, që e kanë kthyer foltoren e popullit në skena tragjikomedie, që kështu vetëm foltore e popullit nuk mund të jetë. Mëria dhe armiqësia shfaqen hapur në jetën parlamentare dhe po mbajnë peng në këtë vit të qeverisjes reformat kushtetuese, si pikënisje e reformimit të pushtetit politik në Shqipëri. Në kundërshtim me Kushtetutën e RSH (pa ndryshuar më parë nene të saj), shumica parlamentare po sjell në ndryshime reforma po kushtetuese, si ajo në fushën e Sigurisë Kombëtare dhe ndarjes territoriale dhe administrative të Shqipërisë. Çfarë përfaqësojnë këto veprime brenda të drejtës juridike e kushtetuese të funksionimit të shtetit? Kush mund t’i japë shpjegime opinionit shqiptar për këto? Para disa kohësh denoncova dhe kërkova hapur prishjen “e paktit” Berisha – Rama – Meta. Pata kundërvënien e dhjetra militantëve partiakë. Do të qetësohemi vetëm atëherë kur të shikojmë që, aleanca PS – LSI të mos ketë më vlerë dhe të mos e mbajë më peng jetën e shqiptarëve, për hatër të një pushteti korruptiv dhe të sëmurë.

Sot në Shqipëri kemi vetëm “sheikë” e pasanikë nga një krah dhe popullin e varfër në anën tjetër dhe nuk mund të pretendojmë akoma për drejtësi. Sot populli dhe Shqipëria vazhdojnë të vidhen në mes të ditës. Pasuria kombëtare është shpërdoruar dhe siguria dhe tërësia territoriale e vendit e rrezikuar. Ndodhemi në një situatë ngërçi social dhe politik, përballë një mjedisi tejet të inkriminuar. Opinioni kërkon shpjegime. Askush nuk e merr këtë përgjegjësi dhe drejtuesit Rama e Meta përpiqen të shfaqen ndryshe nga sa funksionon realiteti i brendshëm i marrëdhënieve të tyre në koalicion. Shqipëria nuk mund të ndryshojë dhe të ketë rilindje me andre dhe mballoma politike.

Paralelisht me ngërçin institucional vërehen protestat e qytetarëve, të cilët po përfaqësojnë një opinion të revoltuar, që kërkon drejtësinë e munguar deri më sot. Ato më shumë i drejtohen institucioneve, kur në këtë situatë të gjithë i janë drejtuar pushimeve, duke dhënë ndjesinë e shkrehjes së punës dhe të përgjegjësive. Të fyesh sot me hështje reagimin dhe inteligjencien qytetare, është përtej fatkeësisë kombëtare. Këta përfaqësues institucional po e konsiderojnë popullin akoma si turmë, me një megallomani që meriton të kalojë në filtrin e psikoanalizës. Vallë do të harrohet Fullani aq lehtë këtë herë me sjelljen që po demostron kundrejt opinionit shqiptar? Mos vallë duhet menduar se dhe ky megaskandal do t’i drejtohet arkivit, si shumë ngjarje e bëma të tjera, në mënyrë që aisbergu i korrupsionit dhe grabitjes të vazhdojë të flejë në perandorinë e krimit? Protestat qytetare dhe reagimet e ashpra me karakter denoncimi në media, në rrugë, rrjetet sociale, po përgatisin momentin që njerëzit do të kërkojnë të dalin në protesta jo partiake, këtë herë jo të shkatërrojnë shtetin dhe pronën (si në 97-tën), por për t’i dhënë pikënisje një revolte qytetare të organizuar, masive, kundër korrupsionit politik, social, ekonomik të ngritur në institucion. Do të ngrihen kundër kësaj të keqe të madhe që po rënon përditë shtyllat bazë të funksionimit të një shoqërie të shëndetëshme. Vetëdija sociale ka nevojë për një tërmet social dhe me sa duket, ai po shfaqet tek qyetarët tanë. Vetëm atëherë duhet të pretendojmë për një rilindje të vërtetë. Kam kuptuar me kohë se, kushdo që i ka hyrë në hak këtij populli, që u mësua tërë jetën të jetojë për mbijetesë me rrypin shtrënguar, dhe këtij vendi që i kemi borxh të gjithë, askush nuk i ka gëzuar “të mirat” që ka fituar apo përfituar në rrugë të pandershme. Jeta ka një çmim, dhe gjithkush e ka vetë në dorë që ta përcaktojë atë. Makutëria, babëzia, pabesia dhe sharllatanizmi, lidhjet dhe interesat klanore të dyshimta, si burime të një të kaluare të privilegjuar, e detyrojnë shpesh popullin të përmend fjalën sipas filozofisë së tij: SHKON HAKA TEK I ZOTI. Dhe kjo ditë po troket.

Lajme të ngjashme

Back to top button