Site icon PORTALB

Komuna e Sarajit publikoi planin urbanistik për Liqenin e Treskës, Bexheti: Treska do të shndërrohet në një atraksion të vërtetë

Blerim Bexheti

Qendër rekreative – sportive, pishina, aquapark, hapësirë për argëtimin e fëmijëve dhe të rriturve, vikend – shtëpiza, hotele dhe qendër tregtare, përfshin plani i ri urbanistik për revitalizimin e Liqenit të Treskës i miratuar nga ana e Komunës së Sarajit, i cili u prezantua sot nga kryetari, Blerim Bexheti, shkruan Portalb.mk.

Ai tha se po vijojnë procedurat juridike për shpallen e këtij liqeni zonë të lirë turistike dhe pas përfundimit, mund të fillojë realizimi i këtij projekti. Më pas, pritet që Qeveria të shpallë thirrje publike për investitorët, pas çka fillojnë punimet, të cilat sipas kalkulimeve fillestare nuk pritet të zgjasin më shumë se tre vite

Siç tha Bexhetit, plani urbanistik përbëhet prej 4 pjesëve  projekti parashihet të kushtojë më së paku 200 mln euro dhe i njëjti pritet të krijojë rreth 1000 vende të punës.

Plani urbanistik për Liqenin e Treskës

“Pas kthimit nga ana e Qeverisë, përkatësisht kur kompetencat e merr Komuna e Sarajit, ne e kemi vendos në prioritet që të vendosim në funksion revitalizimin e Liqenit të Treskës, i cili ka qenë pjesë edhe e programit tim parazgjedhor. Kemi arritur që të miratojmë plan urbanistik, i cili nënkupton një bazament të fuqishëm që të punojmë në aspektin juridik tani që konform idesë që të shpallet zonë e lirë turistike edhe kjo pjesë të fillon të gjallërohet”, deklaroi Bexheti.

Ai synon që kjo qendër të tërheqë vizitorë jo vetëm nga Komuna e Sarajit dhe nga Shkupi, por edhe më gjërë.

“Plani urbanistik është i ndarë në katër pjesë. Mendoj se do të shndërrohet në një atraksion të vërtetë, jo vetëm për Sarajin, Shkupin por edhe më gjerë, pasi sipas informatave që i kemi, kësi lloj qendre në shtetet në rajon nuk më kanë prezantuar njerëzit që i ndjekin pjesët urbanistike dhe të turizmit. Prandaj, ne do të vazhdojmë edhe më tutje të punojmë dhe po punojmë, pasi që ka shumë probleme juridike brenda, ne do të vazhdojmë të punojmë në këtë drejtim që përveç se të shpallet zonë e lirë turistike, të fillon rregullimi konform planit urbanistik”, tha ai.

I pyetur se çfarë do të ndodhë me kampistët të cilët kërkojnë që të mos largohen nga Liqeni i Treskës, Bexheti tha se plani i ri urbanistik parasheh edhe vikend shtëpiza të cilat mund të shfrytëzohen nga qytetarët. Sa i përket kampeve aktuale, ai tha se shumica prej tyre janë ndërtime me konstruksione të forta, gjë nuk është e lejuar dhe të njëjtat do të largohen.

Inspektorati komunal do të bëj inspektimin e procedurës së largimit të kamp shtëpizave dhe shfrytëzuesit janë të obliguar të posedojnë dokumente identifikimi dhe libreza për rimorkio. Do të largohen të gjitha konstruksionet me ndërtim të fortë (mur) dhe konstruksion metali gjithashtu do të ketë edhe asistencë të njësisë policore.

Kujtojmë se, Komuna e Sarajit filloi me rrënimin e objekteve dhe përmbajtjeve në Liqenin e Treskës. Me mekanizim ndërtimor largohen shtëpizat, kafenetë, restorantet, pishinat, tualetet tani më të shkatërruar, të cilat para dyzetë viteve ishin ndërtuar me vetë-kontribut të qytetarëve.

Me rrënimin e infrastrukturës, Komuna e Sarajit fillon me procedurën e realizimit të Planit detajuar urbanistik (PDU), përkatësisht me ndërtim të komplekseve hotelerike dhe vikend lagjes. Para vitit të ri, komuna u caktoi afat pronarëve të kampeve që të zhvendoseshin nga liqeni. Por këta të fundit u shprehën të vendosur që të mos largohen prej aty, gjë që e kërkon Komuna e Sarajit, me arsyetimin se vendi do të revitalizohet. Megjithatë, atë e shohin këtë si tentim që komuna ta uzurpojë këtë vend turistik. Ata u kanë bërë thirrje shoqatave qytetare, organizatave joqeveritare, avokatëve që t’i mbështesin në këtë luftë.

Exit mobile version