Ukraina ka pretenduar se ka shkatërruar sot një grup elitar luftëtarësh çeçenë që po komplotonin për të vrarë presidentin Volodymyr Zelensky, transmeton Dailymail.
Oleksiy Danilov, Sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, tha gjatë një fjalimi televiziv sot se njësia “e cila erdhi për të vrarë Presidentin tonë, u eliminua”.
Më herët sot, Ramzan Kadyrov, ideri i Çeçenisë tha se çeçenët janë vrarë në pushtimin e Ukrainës nga Moska. Njësia u dërgua në Ukrainë nga Kadyrov, i cili është një aleat i vendosur i presidentit rus Vladimir Putin.
“Ne jemi tashmë të vetëdijshëm për operacionin special që do të kryhej nga njësia e forcave Kadyrov,” tha Danilov në kanalin televiziv “Ukraina 24″, raportoi The Mirror.
“Ne e morëm informacionin nga përfaqësues të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë, të cilët nuk duan të marrin pjesë në këtë luftë të përgjakshme. Njësia e forcave Kadyrov, e cila erdhi për të vrarë Presidentin tonë, u eliminua.”
Danilov tha se njësia ishte ndarë në dy grupe dhe lëvizjet e saj po gjurmoheshin nga afër.
Ai tha se një nga dy grupet u sulmua nga forcat e Ukrainës në Hostomel, një periferi veriperëndimore e kryeqytetit të Ukrainës.
“Njësia tjetër ishte ‘në pamjet tona. Ata u ndanë në dy grupe, ne po i gjurmuam”, tha Danilov në televizion. “Një grup u trajtua pranë Hostomel, tjetri është në vështrimin tonë”, tha ai.
Danilov vazhdoi: “Ne nuk do t’ia japim askujt Presidentin tonë apo vendin tonë. Kjo është toka jonë, largohuni nga këtu.’
Që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, ka pasur frikë se presidenti Zelensky mund të vritej nga forcat ruse. Në një fjalim, ai madje tha se ishte objektivi numër një i vrasësve të Kremlinit.
“Unë jam objektivi numër një, gruaja dhe fëmijët e mi janë numri dy”, tha Zelensky javën e kaluar.