Site icon PORTALB

Ministrja sllovene Fajon nesër në vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut

Tanja Fajon

Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani nesër do të jetë nikoqir i zëvendëskryeministres dhe ministres së Punëve të Jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, e cila do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, njofton Portalb.mk.

Krahas marrëdhënieve bilaterale, në fokus të bisedimeve do të jetë edhe dosja evropiane e vendit, çështjet rajonale, sfidat gjeopolitike dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, si dhe kryesimi i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut me OSBE-në.

Në kuadër të qëndrimit të saj në Shkup, Fajon pritet të takohet edhe me presidentin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, me kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, si dhe me zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Koordinim të Resorëve Ekonomikë dhe Investimeve, Fatmir Bytyqi.

Ndryshe, Raporti i progresit për Maqedoninë e Veriut u publikua më 12 tetor, në të cilin thuhet se Maqedonia e Veriut është mesatarisht e përgatitur për thuajse të gjitha kriteret.

Vetëm në kriteret ekonomi është theksuar progres i mirë, ndërkaq në harmonizimin e vendit me politikën evropiane të jashtme dhe të sigurisë ka progres shumë të mirë.

Pas 17 vitesh Maqedonia e Veriut më 19 korrik të këtij viti filloi negociatat me BE-në me mbajtjen e konferencës ndërqeveritare.

Propozimi francez për zgjidhjen e ngërçit Bullgari-Maqedoni e Veriut dhe hapjen e negociatave eurointegruese, në vend mbërriti më 30 qershor.

Menjëherë pas miratimit të propozimit francez në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut, më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese nga pala e Maqedonisë, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojmë për ndryshimin e Kushtetutës, madje duke e kundërshtuar atë me protesta.

Kujtojmë se para heqjes së vetos, hapja e negociatave me Bashkimin Evropian për Maqedoninë e Veriut bllokohej vazhdimisht nga BullgariaSofja zyrtare kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Exit mobile version